Regjistrimi i pasurisë apo ndarja e pronës, zyrat përkatëse: Ja si të përfundoni punë brenda 15 ditësh

Aktualitet

Regjistrimi i pasurisë, ndarja ose përpjesëtimi i saj, në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme mund të kryhet brenda 15 ditëve, me një kosto prej 700 lekësh dhe pa pritur në radhë në dyert e zyrave të Hipotekës. Në faqen “e-albania”, çdo person që dëshiron të kryejë veprime me pronën mund të aplikojë online, të plotësojë dokumentet dhe të presë dokumentin në shtëpi, i cili vjen me anë të postës. Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një kërkesë për regjistrimin e bashkimit, ndarjes apo pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme.

Nëse pasuritë e paluajtshme në kufij të ngjitur me njëra-tjetrën janë pronë e të njëjtit pronar, si dhe u nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve të njëjta, me kërkesë të pronarit, regjistruesi regjistron bashkimin e tyre, duke mbyllur kartelat që u takojnë këtyre pasurive të paluajtshme dhe duke hapur një kartelë apo disa kartela të reja për pasurinë apo pasuritë e paluajtshme që dalin nga bashkime të tilla, si dhe duke përditësuar hartën kadastrale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

KËRKESA

Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm apo të të gjithë bashkëpronarëve për ndarjen e një pasurie të paluajtshme në dy a më shumë pjesë të kësaj pasurie, regjistruesi bën regjistrimin e ndarjes, duke mbyllur kartelën për pasurinë e paluajtshme që ndahet, hap kartela të reja dhe përditëson hartat kadastrale për pasuritë e paluajtshme të reja, që dalin nga ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjithë informacionin që kishte kartela e mbyllur.

Në asnjë rast regjistruesi nuk lejon ndryshimin e pronësisë së pasurisë së paluajtshme, që fshin të drejtat reale mbi të. Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e tij të paluajtshme, regjistruesi i kërkon atij të dorëzojë një plan rilevimi të nënndarjeve të propozuara, të përgatitura prej një topografi të licencuar. Në të gjitha rastet e përcaktuara në pikat e mësipërme të këtij neni, pronarët dorëzojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme certifikatën origjinale të pasurisë që do të bashkohet ose do të ndahet, si dhe pajisen me certifikata të reja pronësie për pasuritë e krijuara.

SHQYRTIMI

Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPPsë dhe në varësi të informacionit kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me email, dërgimit të përgjigjes elektronike te “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-Albania”, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave.

Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik. Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe Kodin e Sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Kthimi i përgjigjes elektronike dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet dërgimit te “Dokumentet e mia” në “e-Albania” dhe informimit me email për shkarkimin e përgjigjes elektronike. Gjithashtu, nëse qytetari e dëshiron përgjigjen në format letër, e merr nëpërmjet shërbimit postar. Çdo tarifë për shërbimin në ZRPP, paguhet në llogarinë bankare të Zyrës së Regjistrimit.

NDREQJA E GABIMEVE

Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për korrigjim gabimesh në kartelë. Regjistruesi korrigjon gabimet materiale në certifikatë dhe/ose kartelën e pasurisë së paluajtshme, me kërkesë të pronarit, në rastet e mëposhtme: në rastin e gabimeve ose mungesave që nuk prekin interesat e një pronari tjetër; kur, pas një rilevimi, del se një sipërfaqe e treguar në kartelë nuk është në përputhje me aktin e fitimit të pronësisë. Në këtë rast, regjistruesi njofton më parë të gjithë personat e shënuar në regjistër, të cilët janë të interesuar ose që preken nga ky korrigjim i propozuar; me vërtetimin e ndryshimit të emrit ose adresës së një pronari dhe me kërkesën me shkrim të pronarit, regjistruesi regjistron ndryshimin në kartelë.

Kur regjistruesi vëren se në certifikatë ka gabime materiale, lëshon certifikatë të re, pasi janë depozituar certifikatat e mëparshme të pronësisë. Urdhri i regjistruesit për korrigjimin e kartelës, në rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, mund të rishikohet nga Kryeregjistruesi. Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me email, dërgimit të përgjigjes elektronike tek “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-Albania”, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër.

Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të Ligjit Nr. 33/2012 bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i përpunimit të kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik.

DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM

1. Dokument identifikimi i përdoruesit: Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin “e-Albania”)

2. Kërkesë e të interesuarit (e skanuar)

3. Planrilevimi

4. Certifikatë pronësie

5. Kartela e pasurisë

6. Kontratë pjesëtimi ose vendim gjykate

Hapat e procedurës

1. Identifikohuni si qytetar ose si biznes në portal

2. Zgjidhni shërbimin “Kërkesë për regjistrimin e bashkimit, ndarjes apo pjesëtimit të pasurisë së

paluajtshme”

3. Klikoni butonin “Përdor”

4. Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi pronën, mbi shërbimin/shërbimet e kërkuara dhe taksat e nevojshme

5. Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit

6. Shkarkoni mandatpagesën me të cilën mund të paraqiteni në bankë për të kryer pagesën e nevojshme

7. Punonjësi i ZRPP-së proceson kërkesën e ardhur dhe në varësi të vendimit që merret i kthen përgjigje me email aplikuesit, me URL-në e shkarkimit të përgjigjes elektronike të ruajtur te “Dokumentet e mia” në “e-Albania”, ose me njoftimin e arsyes së refuzimit

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit

15 ditë pune./gazetashqiptare/

ME TE LEXUARAT