Rama provokon grekët me foton e Ali Pashë Tepelenës

Politikë

Kryeministri Edi Rama ka postuar ne faqen e tij zyrtare një foto të Ali Pashë Tepelenës, për të përkujtuar ditën e tij të vdekjes, plot 195 vjet nga sot.

Rama e quan ate “Luani i Janinës”, ndoshta pa dashur, por kryeministri ka provokuar sërish fqinjët grekë, kur thotë se ishte pikërisht Ali Pashë Tepelena që frymëzoi në një farë mënyrë revolucionin në Greqi që përfundoi me shpalljen e pavarësisë së kësaj të fundit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore”,- shkruan Rama.

STATUSI I PLOTE

195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali pashë Tepelena, Luani i Janinës.

Si personalitet historik, Ali pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve. Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rretherrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.

Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.

Shumë i detyrohet Ali pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.

Figura e pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar.

ME TE LEXUARAT