Deklarata/ “PS rrezikon të mos marrë as 60 deputetë në Qershor”

Koço Kokëdhima, drejtues i Lëvizjes Zgjidhja për modernizimin e Partisë Socialiste ka kritikuar mënyrën sesi po administrohet qeverisja dhe partia nga Kryeministri Edi Rama.

Në një takim të zhvilluar sot me mbështetësit e tij në qytetin e Fierit, Kokëdhima ka deklaruar se Partia Socialiste rrezikon të mos marrë as 60 deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit. Kokëdhima tha se ky rezultat do të vijë si pasojë e shkëputjes që ka ndodhur mes bazës së PS-së dhe qeverisjes socialiste në këto 4 vjet.

“Por edhe pse kjo është e vërtetë, ajo reduktohet e zvogëlohet çdo dy vjet. Në këtë rrugë që ecën, PS rrezikon që të prekë, në zgjedhjet e qershorit, pozitën e vet më të keqe historike. Ajo rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve”, nënvizoi Kokëdhima. Sipas tij, udhëheqja e PS-së është autokratike, forumet e saj nuk informohen, nuk diskutojnë e vendosin për asgjë kolegjialisht. “Grupi parlamentar, Asambleja Kombëtare dhe Kongresi kanë rënë plotësisht. Niveli i tyre, nga pikëpamja e funksionimit, debatit dhe respektimit të rregullave të partisë, është më i ulët edhe se niveli që kishte organizata e rinisë së Lapulecit në kohën e Enverit! Asnjë zhvillim i rëndësishëm nuk debatohet e vendoset në forumet e partisë. Këto forume përdoren vetëm për propagandë nga ministrat dhe kryetari”, -tha Kokëdhima.

Gjatë fjalës së tij, ish-deputeti dhe ish-sekretari i PS-së, ka deklaruar se e majta dhe PS kanë nevojë për një bashkëpunim të sinqertë me qytetarët.

“Partia e udhëheqjes e shalon këtë partinë e bazës dhe pushtetin që prodhojnë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Zgjidhja kërkon që njerëzve t’u thuhet e vërteta, që në parti të flitet hapur, të ketë debat, të dëgjohen të gjithë, jo vetëm kryetari dhe ministrat e tij. Udhëheqja jonë është arrogante, e mbyt debatin, i kërcënon e shantazhon dhe i pushon nga puna ata socialistë e qytetarë që kanë dhe flasin mendime të tjera nga kryetari”, u shpreh Kokëdhima gjatë takimit me socialistët e Fierit.

Politikani socialist, Koço Kokëdhima, u shpreh se shkaku kryesor që e çoi Shqipërinë nën tiraninë e skamjes dhe korrupsionit, është sistemi politik i kalbur. “Ne nuk kemi një demokraci kushtetuese funksionale, por kemi në fuqi një regjim që quhet regjimi i partitokracisë ose regjimi ku sundojnë kryetarët e përjetshëm të partive!”, tha Kokëdhima gjatë takimit me socialistët e Fierit. Sipas drejtuesit të Lëvizjes “Zgjidhja” në PS, në vitin 2013 populli ynë pati shumë shpresë te Edi Rama.

“Sot, shumë socialistë dhe qytetarë të thjeshtë, mendojnë se Edi Rama është si Saliu, u soll me pushtetin njësoj si Berisha. Shumë nga ata që votuan Ramën dhe koalicionin tonë në zgjedhjet e shkuara, ndihen thellësisht të zhgënjyer, siç janë ndier të zhgënjyer prej liderëve të tjerë politikë më përpara”, tha Kokëdhima. Sipas tij, votuesit janë të zhgënjyer dhe të gjithë këta liderë sillen njësoj me pushtetin dhe me popullin tonë, pasi sistemi është i deformuar, ndërsa Rama dhe Berisha kanë konsoliduar partitokracinë.

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Thirrjet e Bashës për thyerje xhamash e shpim gomash, vjen përgjigjja e parë nga PS: Mos o trim

Kryetari i Partisë Demokratike bëri thirrje për një reagim më të ashpër ...