"Marshimi i grave" kundër Donald Trump mbush rrugët e Uashingtonit

Bota

Pjesëmarrësit në “Marshimin e Grave” në Uashington, po vazhdojnë të marshojnë pas një tubimi energjitik, gjatë së cilit ata brohoritën për folësit, mes së cilëve kishte yje të medias dhe aktivistë të të drejtave të grave.

Marshimi i Grave në Uashington

Një det me kapele ngjyrë rozë shihet në të gjitha drejtimet përreth skenës së tubimit në Bulevardin Independence dhe pjesëmarrësit kanë mbushur gjithë perimetrin përreth skenës, që ndodhet pranë Zërit të Amerikës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas agjencisë Associated Press, organizatorët po diskutojnë nëse marshimi formal mund të fillojë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen masive.

Organizatorët thanë se parashikonin që gjysmë miliionë vetë të merrnin pjesë në marshimin që pritet të përfundojë tek Shtëpia e Bardhë.

Regjisori Michael Moore tha se duke gjykuar nga pjesëmarrja, çfarëdo të kishte qenë objektivi i marshimit, ai ishte realizuar.

"Disa herë na duhet të shfaqemi fizikisht për të mbrojtur bindjet tona. Ndonjëherë, vetëm shprehja virtuale nuk mjafton”, tha ikona e feminizmit, Gloria Steinem.

"Ne jemi Amerika. Ne nuk do të kthehemi nga një vend emigrantësh në një vend injorance”, tha aktorja hispanike America Ferrera.

Marshimi, një ditë pas inaugurimit

Marshimi vjen një ditë pas inaugurimit të Presidentit Donald Trump dhe ka si synim protestën ndaj politikave të Presidentit të ri.

Në shumë raste, ishte e vështirë të arrihej tek vendi i grumbullimit për marshimin. Autobuzët dhe trenat e metrosë ishin plot.

Deri pak para mesditës, 275 mijë vetë kishin përdorur metronë. Të premten, në ditën e inaugurimit, në të njëjtën kohë 193 mijë vetë kishin përdorur sistemin e metrosë.

Zyrtarët në Uashington thanë se 1800 autobuzë janë regjistruar për të parkuar në qytet të shtunën, gjë që mund të thotë se rreth 100 mijë njerëz do të vijnë vetëm me autobuz.

Protesta të ngjashme po mbahen në shumë qytete të tjera të mëdha kudo në botë, duke përfshirë Londrën, Berlinin, Nairobin dhe Sidnein. Të paktën 600 mitingje janë planifikuar në mbarë botën.

Organizatorët e marshimit në Uashington thonë se duan t’i dërgojnë një mesazh presidentit të ri ditën e tij të parë të plotë në detyrë që të drejtat e grave janë të drejta njerëzore. Demonstruesit thonë se do të bëjnë thirrje për barazi racore dhe gjinore, kujdes shëndetësor të përballueshëm dhe të drejtat e abortit – çështje që ata thonë se janë nën rrezik nga presidenca e zotit Trump.

Sarah Young, e cili ka udhëtuar nga shtëpia e saj në Indiana për të marshuar në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se shqetësimi i saj kryesor është kujdesi shëndetësor grave.

Çështje të tjera motivuese të pjesmarrësve janë fundi i dhunës ndaj grave, çështjet mjedisore, mbrojtja e të drejtave të punëtorëve, e personave me aftësi të kufizuara, emigrantëve dhe komunitetit LGBT.

Marshimi në Uashington fillon sot në orën 10 të mëngjesit me një miting pranë ndërtesës së Kapitolit me fjalime dhe muzikë, dhe më pas të mbledhurit do të ecin përgjatë rrugës Independence Avenue në drejtim të Shtëpisë së Bardhë.

Ideja për marshim filloi në Facebook, ku disa gra në mbarë vendin, të zhgënjyera me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale bënë thirrje për organizim.

Kjo ngjarje është bërë edhe tema e kritikave në mediat sociale. Disa u tallën me protestuesit se nuk janë në gjendje të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Të tjerë kritikuan lëvizjen se nuk është gjithëpërfshirëse, sepse gratë që janë kundër abortit kanë thënë se nuk ndjehen të mirëpritura për t’iu bashkuar lëvizjes.

ME TE LEXUARAT