‘’Martohu ose paguaj taksë beqarie’’, ja një mënyrë për të stimuluar demografinë

Kosovë&Rajon

 Njerëzit në Serbi do të ‘’detyrohen’’ të martohen. “Martohu ose paguaj taksë beqarie”! Kjo mund të jetë alternativa me të cilën ata do të përballen nëse qeveria pranon propozimin e hedhur nga një Sindikatë Punëdhënësish. Këta të fundit thonë se ky propozim është një mënyrë për të stimuluar demografinë.

Si pasojë e shqetësimeve për pakësimin e ndjeshëm të lindshmërisë dhe parashikimit se enti i serbëve të Bosnjës mund të mbesë pa qytetarë të aftë fizikisht brenda pak dekadash, sindikata e punëdhënësve të Republikës Serbe të Bosnjës bëri thirrje për një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit për të diskutuar politikat mbi popullsinë.

Sindikata thotë se një masë për të stimuluar demografinë mund të jetë taksimi i burrave dhe grave të pamartuar, gjë që mund të nxisë më shumë njerëz të martohen dhe të lindin fëmijë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sindikata tha se ende po shqyrton idenë se cili duhet të taksohet dhe në çfarë mase apo nëse taksa do të jetë e njëjtë apo e ndryshme për moshat e ndryshme.

“Ky është problemi më i madh kombëtar në Republikën Serbe. Kjo kërkon një aksion më të gjerë shoqëror dhe ne presim një përgjigje urgjente nga institucionet më të larta në Republikën Serbe,” deklaroi për BIRn Sasa Acic, presidenti i sindikatës së punëdhënësve.

“Ne do të hartojmë konkluzionet tona dhe do t’ia dërgojmë qeverisë, parlamentit dhe presidentit të republikës në mënyrë që problemi të marrë zgjidhje,” shtoi ai.

Sipas sindikatës, Republika Serbe pritet të humbasë rreth 100 mijë nënshtetas të aftë për punë – gati 10 për qind të popullsisë totale – brenda pesë viteve të ardhëshme.

Papunësia do të bjerë si pasojë e faktit që forca e punës po plaket. Pasoja negative është që do të ketë më pak njerëz të aftë për punë.

“Dhjetë vjet nga tani, Republika Serbe do të detyrohet të importojë punë,” shpjegoi demografi Stevo Pasalic për BIRN.

Norma negative e lindshmërisë është një arsye tjetër për reduktimin e popullsisë në moshë pune. Sipas statistikave, në më pak se dy vjet, popullsia ra me 10,761 vetë, rezultat kjo e diferencës mes numrit të lindjes dhe numrit të vdekjeve.

Shumica e ekonomistëve e hedhin poshtë idenë e taksës mbi beqarinë por janë dakord se emigrimi i të rinjve nga Bosnja është një problem i madh.

“Për fat të keq, parametrat ekonomikë tregojnë se qytetarët e Bosnjës do të vijojnë të ikin për një jetë më të mirë,” komentoi ekonomisti Zoran Pavlovic për BIRN.

Qeveria e Republikës së Serbëve të Bosnjës nuk ka komentuar ende mbi propozimin.

“Do të komentojmë pasi të marrim kërkesën e tyre zyrtare por nuk mendoj se taksimi i beqarëve apo çifteve pa fëmijë është një opsion i vlefshëm,” tha një burim nga qeveria për BIRN.

Ideja e Taksës së Beqarisë nuk është e re. Dy vjet më parë, presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik propozoi të njëjtën gjë por nuk gjeti mbështetje.

Shumë nga ata që mund të preken nga ky propozim e konsiderojnë atë thellësisht shqetësues.

“E gjej fyese – po nëse dikush nuk arrin të bëjë fëmijë?” komentoi Gorani, një banor i Banja Lukës, i cili është përpjekur të bëjë një fëmijë me bashkëshorten e tij prej shumë vitesh.

“I gjithë koncepti është gabim. Nëse ata janë të shqetësuar se punëtorët po largohen jashtë vendit, pse nuk i rrisin rrogat që t’i mbajnë këtu?” pyeti ai.

Dragani, një banor tjetër i Banja Lukës tha: “Unë jam i divorcuar – dy herë. Mendoj se kam paguar mjaftueshëm sakaq.

“Nëse ata këmbëngulin për taksë, do të martohem për herë të tretë. Miqtë e mi sakaq më quajnë ‘Zoti i Unazave’, e pse të mos e blej edhe një unazë tjetër martese?” shtoi ai me ironi. /Reporter.al/

ME TE LEXUARAT