Kreu i Emergjencave Civile informon: Bora do vijojë gjatë gjithë janarit, temperatura minimale në ekstrem

Aktualitet

Në mbledhjen e Zyrës Operacionale, Prençi tha se në 24 orët e fundit janë regjistruar temperatura minimale në ekstrem. Kreu i Emergjencave Civile, duke u bazuar në parashikimet meteorologjike të institucioneve shqiptare dhe atyre të huaja, deklaroi sot se reshjet e dëborës do të vijojnë gjatë gjithë muajit janar dhe rrjedhimisht edhe prezenca e ngricave dhe akullit në rrugë.

“Shërbimet meteorologjike të vendit dhe partnere në 24 orët e fundit kanë regjistruar temperaturat minimale në ekstrem -29 dhe -27 në Vermosh dhe në fshatin Shtyllë të Librazhdit. Sot kanë rinisur reshje të lehta të dëborës në rajonin e Livadhjasë dhe Qafë Muzinës dhe në Pukë. Çka tregon se reshjet do të vijojnë gjatë gjithë janarit.

Prezenca e akullit do të vijojë në të gjitha akset. Të gjitha strukturat duhet të marrin masat për të pasur një përkujdesje maksimale. Kemi 13 akse rrugore që janë ende të pahapura. Përgjithësisht situata konsiderohet nën një menaxhim të mirë. Ka pasur koordinim të mirë edhe me strukturat vendore. Emergjencat Civile po iu përgjigjen kërkesave të kryetarëve të bashkive për të çuar ndihma atje ku ka nevojë”, deklaroi Prençi.

Ai apeloi për marrjen e masave me rezerva ushqimore e materiale për t’iu përgjigjur situatës së motit e cila do të vijojë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Gjatë gjithë këtij muaji duhet të marrim masa për të pasur rezerva ushqimore, materiale dhe në mjete për t’u shkuar në ndihmë familjeve në nevojë”, tha Prençi.

ME TE LEXUARAT