Kokëdhima themelon lëvizje brenda PS: Do t`ja heqim pushtetin Kryetarit

Politikë

Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes për Reformimin e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, u shpreh se do të mbetet një socialist besnik dhe do të vërë në jetë idetë për ndryshimin e kësaj force politike. Në intervistën për TV “Apollon”, ai tha se do të jetë deputet i Partisë Socialiste.

“Do ua marrim këtë pushtet kryetarëve dhe do t’ua japim socialistëve të bazës dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ata le të na refuzojnë, jo kryetarët”, u shpreh Kokëdhima, duke shpjeguar propozimin e tij për zgjedhje paraprake brenda partive politike.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pjesë nga intervista

Cili do të jetë fati i Koço Kokëdhimës në zgjedhjet e 18 qershorit 2017? Do të kandidoni apo do të riktheni në botën e biznesit apo si botues?

“Unë do të jem aktiv, siç e kam njoftuar. Në datën 10 maj 2016 kam bërë një njoftim. Ditën kur ata që komplotuan kundër mandatit tim, me Gjykatën Kushtetuese, ata që urdhëruan ndërprerjen e mandatit tim me shpresën se do të eliminonin karrierën time politike, e kanë marrë përgjigjen prej meje. Unë do të jem aktiv më shumë se kurrë në politikë, sot dhe gjithë kohës. Dhe do ta bëj moshën time, deri në pension, në politikë. Këto ide që ju them këtu do t’i zbatoj me çdo kusht, për sa kohë besoj se populli ynë i do këto ide dhe ka nevojë për to”.

Do të kandidonit për cilëndo parti që ju ofron mandatin e deputetit?

“Unë jam socialist, besnik i pathyeshëm dhe i patjetërsueshëm. Unë nuk do të tradhtoj asnjë socialist që beson tek unë. Unë do të jem deputet i Partisë Socialiste. Le të zgjedhin në Partinë Socialiste 140 kandidatë që janë më të mirë se unë, unë do t’i duartrokas dhe do të shkoj të votoj për ta dhe do të bëj gjithçka kam në dorë që t’i mbështes ata. Por unë besoj se Partia Socialiste do të ketë kritere dhe forcë që të zbatojë meritokracinë në zgjedhjen e kandidaturave dhe do të krijojnë hapësira që të shkojnë të gjithë të zotët. Po qe se unë do e meritoj, do të shkoj lumturisht. Po qe se unë nuk do e meritoj, se do të ketë shokë më të mirë se unë, me meritat më të mira se unë dhe me aftësi kontribute, projekte, ide, unë do të mbështes ata që janë më të mirë se unë. Por unë do jem socialist se nuk e ndërroj dot gjakun tim dhe nuk e hedh poshtë të shkuarën time. As punën që kam bërë për ta rindërtuar Partinë Socialiste”.

I druheni faktit që e çuat dëm karrierën në politikë, për shkak të konflikteve parimore dhe konstruktive?

“Unë kam çuar dëm karrierën? E keni shumë gabim”.

Po listat e deputetëve i bën kryetari?

“Do ta heqim kryetarin, po të them. Do ja japim qytetarit. Këtë luftë do të bëjmë. Do ua marrim këtë pushtet kryetarëve dhe do t’ua japim socialistëve të bazës dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ata le të na refuzojnë, jo kryetarët”.

ME TE LEXUARAT