Shperthen Henri Cili: Fund epokës së pakicës së zhurmshme me super rroga, të kthejmë sytë nga shumica e heshtur

Në Tiranë, shkarkimet nga puna të disa gazetarëve të njohur vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit publik, pas dyshimeve për censurë dhe presione politike.

Botuesi i gazetës MAPO, Henri Çili, tha sot se largimi i ish-drejtuesit të redaksisë Alfred Lela, ka të bëjë me çështje menaxheriale dhe jo me trysni politike.

Intervistë me botuesin e gazetës MAPO, Henri Çili, administrator i Universitetit Europian të Tiranës
Zëri i Amerikës: Zoti Çili! Çfarë mund të detajoni lidhur me largimin ose mos-rikontraktimin për vitin e ri të ish-drejtuesit të botimeve MAPO, Alfred Lela?
Henri Çili: Me Alfred Lelën, ish-drejtor i gazetës MAPO, kemi pasur një bashkëpunim të gjatë që nga dita e parë e gazetës Mapo, shumë të mirë, shumë pozitiv dhe përfunduam normalisht një kontratë menaxhoriale editoriale në 31 dhjetor, që vendosëm mos ta përsërisim në formatin e mëparshëm. Kaq është pak a shumë e gjitha.
Kjo ngjarje përkoi rastësisht me ngjarje të tjera, të cilat nuk dua t’i komentoj në emërtime të veçanta, pasi nuk i njoh, por kam një mendim të përgjithshëm për median. Ajo që duhet thënë në lidhje me median specifike MAPO është një gazetë, së bashku me dy revistat përkatëse dhe rrjetin përkatës, jo një media e madhe por mendoj simpatike dhe mbi të gjitha e vendosur në një shtrat shumë të qartë konceptual. MAPO është një organizatë jofitimprurëse, pra jo një biznes, por është një kontribut i imi edhe prej pasionit që kam pasur, sepse vij nga fusha e gazetarisë. E njoh pamjen në të dy drejtimet dhe për shkak të interesave ose gjërave të mia te ligjshme në kuptimin e një grupi arsimor ose një sipërmarresi të angazhuar në fushën e arsimit. Ajo që bën çudi me MAPO-n, që kontekstualizohet dhe me rastin e përfundimit të kontratës me ish-drejtorin Lela, është fakti që MAPO ka dalluar në median shqiptare, kryesisht edhe prej specifikës time si gazetar, për qëndimet e qarta, të hapura dhe të përfaqësuara nga unë personalisht në momente zgjedhjesh në momente të rëndësishme dhe së fundi në editorialin e parë të çdo viti. Në këtë sens gazeta MAPO ka qenë është dhe mbetet liberale, një gazetë me natyrë ideologjike nga mënyra si e sheh shoqërinë, por jo një gazetë e PS-së ose e PD-së, e Ramës ose e Berishës, me Bashën apo me Metën, por një gazetë, e cila e gjykon realitetin rast pas rasti dhe në përputhje me këto ide. Unë bëj pak a shumë një lloj shakaje të tillë: “Më thoni cilën ide ka ndryshuar MAPO?”. Se cilën ide kanë ndryshuar politikanët ajo është puna e tyre. Të vetmin sqarim, ndoshta një keqkuptim nga kolegu Lela, është që gazeta MAPO nuk ka ndryshuar linjë editoriale; ajo është një linjë e shpallur editoriale, përfshirë këtu edhe besimin tim, që për kontekstin që ka sot jeta politike, për peshën e aktorëve dhe mënyrën se si aktorët janë pozicionuar në krye te politikave kryesore të vendit, mendoj që Rama përfaqëson një opsion politik më të mirë se pjesa tjetër, ose më saktë se opozita. Siç e kam shprehur në një editorial përkatës, ky cikël reformues i rëndësishëm i vendit ka vlerë të vazhdojë një mandat të dytë me Ramën kryeministër. Opozita është ende shpejt, lidershipi i Bashës është ende i dobët, edhe pse në avancim, ai ka rënë shpesh preh e populizmave të ditës, ka humbur në shumë raste thelbin e një partie të djathtë me propozime me natyrë ose populiste ose puniste herë pas here dhe është brenda një cikli normal të reformimit; është një lider i ri. Kjo është e thjeshtë, e qartë, e thënë si në dritë të diellit dhe në këtë kuptim mendoj që mediat që mbajnë një qëndrim, që janë të hapura, janë të qarta me idetë dhe opsionet e tyre jo vetëm nuk duhet të etiketohen, por duhet të vlerësohen mendoj nga shoqëria dhe në përgjithësi nga komuniteti i profesionistëve.
Zëri i Amerikës: Zoti Lela thotë se këto përcaktime e kanë penguar kolegun Lela për të vazhduar bashkëpunimin me ju dhe se ato e vështirësojnë punën e redaksisë.
Henri Çili: Në lidhje me linjën editoriale të MAPO-s, që po marrim si ilustrim, unë duhet të flisja për transparencën, qartësinë dhe qëndrueshmërinë e saj në raport me idetë. Kështu i shohim ne, ose unë si botues, për ta thënë më thjesht, mënyrën se si e shoh politikën redaksionale në këtë moment. Sistemi po piqet, kanë kaluar 25-26 vjet dhe palët po marrin rolin e tyre dhe unë mendoj se janë 3 aktorë që bashkëveprojnë sot në media dhe asnjëri nuk mund t’i zërë vendin tjetrit; botuesit, pronarët, sipërmarrësit, subvensionuesit, quajeni çfarëdo, mecenati i mediave të lira i shtypit të lirë ka të drejtën bazë të përcaktimit të linjës editoriale. Këtë të drejtë nuk mund t’ia mohojë askush; as profesionistët sado të zotë, as punistët, as moralistët e pamoralshëm të botës intelektuale shqiptare. Kjo është natyra e kapitalizmit, kjo është natyra e lirisë. Secili në një treg të lirë krijon produktin, e formëson produktin e vet, përfshirë informimin, sipas asaj që mendon, që ai koncepton apo i intereson. Pra, e drejta e sipërmarrësve apo pronarëve për të përcaktuar linjën editoriale është elementare. Ashtu siç është e drejta e profesionistëve të medias, e korporatës ta pranojë apo jo këtë linjë editoriale në një fazë të caktuar apo jo dhe të zhvendoset në një media tjetër ose të kalojë në një nivel, që lidhet me opinion-bërjen etj., etj., e cila nuk i mohohet askujt në Shqipëri. Të gjithë kanë të drejtë të shkruajnë kudo, thyajse kudo. Nga ana tjetër, kjo marrëdhënie na nxjerr një problem të ri, që po piqet; krizën e autoriteteve të rreme në gazetarinë shqiptare, ose autoriteteve të fryra. Ne po vijmë në një situatë reale. S’ka më cudi. Tregjet janë të saturuara dhe ekonomiksi i mediave po del në situatën e vet reale. Kaq informacion do kjo shoqëri, kaq ekonomi ka. Këtu janë burimet dhe kaq para ka. Në përpjekje për të krijuar logo të reja, u krijua një treg fiktiv, që mund ta quaja kriza e rrogave të larta. Nuk ka një krizë të ligjit të shtypit në Shqipëri, por ka një krizë të pagave të larta dhe të autoriteteve të rreme, të mësuar me, për një qëllim të ndryshëm dhe nuk i paragjykoj, të mësuar me statuse të caktuara, me rroga super të larta, për shkak të fillimit të medias dhe fillimit të sistemit. Tani ky treg fillon e saturohet dhe secili “ka vlerën e vet”. Pra, ne shohim sot jo një krizë të lirisë së shtypit, por një krizë të autoriteteve të rreme ose të patricëve të medias dhe jo të reporterëve dhe gazetarëve, që ndoshta thjesht sakrifikojnë më shumë, paguhen më pak dhe kanë apo jo sigurime, kanë apo jo kualifikimin e nevojshëm dhe trajnimet përkatëse. Ata nuk dëgjohen dhe dëgjohet kjo lloj patricërie, e cila është mësuar me super rroga të larta, me trafikim influence, me konsumim, në emër të interesit publik, të subjektiviteteve të veta e kështu me radhë. Por tani është problem i asaj koorporate. Unë nuk shoh në parim asnjë problem makro, përveç ristrukturimit apo ripozicionimit të kësaj kaste, të këtij grupi të patricëve të koorporatës së medias, e cila po shfryhet paksa dhe po vjen në vlerën reale.
Zëri i Amerikës: Përmendët gazetarët e terrenit me paga të ulëta e të pambrojtur. Si e vlerësoni shtypin shqiptar, sepse rrogat e ulta nga një anë edhe paracaktimi i politikave editoriale krijojnë disa kufizime autocensure?
Henri Çili: Unë e njoh këtë situatë, sepse e kam profesionin tim të dikurshëm. Kjo është një situatë vërtet e shëmtuar. Në median tonë MAPO kemi çdo individ të siguruar, të formalizuar e të bankerizuar, me pagesa e grante etj. Por, është një keqrdhje, që duke u marrë me makroproceset, ne kemi harruar thelbin e gazetarisë. Shfryrja e autoriteteve të rreme do të na kthejë vëmendjen tek problemet reale: cilësia dhe standardi, trajnimi, formalizimi, zhvillimi i karrierës të atyre, që mbajnë peshën kryesore të gazetarisë. Problemi ka nisur rreth vitit 2000, kur cikli i zhvillimit të shtypit u rimor dhe kur u krijuan dhe ranë shumë logo të reja. Ishte faza e parë e një tregu të ri, ose ajo që quhet cost entry. Pronarët dhe sipërmarrësit investuan shumë, e ndoshta edhe grupe të tjera pas kuintave, por nuk kam të dhëna, për të krijuar dhe për të marrë avantazh. Kjo fazë përfundoi dhe ne duhet të vijmë tek problemet reale.
Nëse pozicionohemi konstruktivisht, ose logjikisht, që secili të bëjë detyrën e vet; pronarët të ndjekin qëllimet e tyre, standartet dhe ligjet, të fiksojnë së bashku me korporatën linjën editoriale, menaxherët, ose kjo patricëri e medias, të vijë në një përmasë më reale, në një raport më të arsyeshëm, atëherë kjo është një rrugëdalje nga kjo krizë e rreme.
Ne shohim çdo natë dhjetëra emisione, qindra portale, gazeta etj. Sot ka një krizë të mosdëgjimit, jo një krizë për t’u shprehur. Kush pengohet sot për t’u shprehur në diçka, ku nuk doli një gjë?! Pra, është absurditet të mendohet ndalimi. Përkundrazi. Ne njohim në zhvillimin e kapitalizmit në shumë fusha nocionin e esnafërisë, ose oligarkisë, që rri si pengesë mes konsumatorit dhe pjesës bazike të një sistemi, për ta çliruar sistemin dhe për ta bërë më kompetitiv. Drejtorë, drejtues emisionesh pa audiencë, drejtorë pa rezultate, pa klikime, pa tirazh ka dhe do të ketë. Kjo nuk është një krizë e gazetarisë, por është krizë e aftësive të tyre të menaxhimit, ndaj është mirë që secili të ulet në vendin e vet, sepse gjithë këto vite janë ngatërruar rolet. Pra, secili të bëjë punën e vet dhe t’i shkohet në thelb çështjes: ta formalizojmë median shqiptare, t’ i kushtojmë rëndësi kualifikimit dhe rritjes së standartit, sepse pluraliteti është i garantuar.
Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga vështirësitë e tjera të gazetarëve dhe redaksive në Shqipëri?
Henri Çili: Në media ka një shumicë të heshtur, që nuk trajtohet mirë, dhe një pakicë e zhurmshme në bollëk. Krahas pronarëve, kjo oligarki pasive e dominon sistemin, por mbi 90-95 për qind e sistemit, baza e gazetarisë, është në gjendje të mjerueshme dhe problematike. Tani është rasti të kthehet shikimi mbi ata, gazetarët e thjeshtë; me kualifikim, standartizim, me suport tek ky grup, i cili bën bazën e informacionit, është në terren, njeh gjendjen. Ky është mesazhi i parë, që korporata e medias duhet të japë. Si mund të bëhet një lajm, ku të kërkohet llogari për korrupsionin, qëndrimin etik etj., kur vetë ajo media nuk ka përmbushur detyrat dhe standartet minimale e madje as ato ligjore. Le t’u japim fund pagesave me dy lista, mungesës së sigurimeve shoqërore, aprofesionalizmit, në hyrje dhe në vazhdim të punës. Kohët ndryshojnë shpejt, teknologjia ndryshon shpejt, po ashtu edhe situatat. Gjithë ky sistem i medias ka nevojë për t’u trajtuar me dinjitet dhe profesionalizëm.

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Reagimi/ “Si do të dënohen pushtetarët e korruptuar nga ekspertët e SHBA-ve”

Avokati Spartak Ngjela në një postim të publikuar në rrjetin social  “Facebook” ...