E mashtrojnë dhe i marrin 70 mln Lekë, 78-vjeçari denoncon 53-vjeçarin

Aktualitet

Një 78 vjeçar ka denoncuar një rast mashtrimi në policinë e Beratit duke deklaruar se para dy vitesh me mirëbesim i ka dhënë me fajde 70 milionë lekë një të njohurit të tij.

I moshuari A.M ka rrëfyer se shuma e lekëve ka qënë e të birit dhe çdo gjë ka nisur në vitin 2015 kur me mirëbesim kishte vënë në dijeni një të njohurin e tij, shtetasin me iniciale G.T., 53 vjeç, se mbante në shtëpi gjithë kursimet e fëmijëve të tij emigrantë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Mësohet se pas kësaj, 53-vjeçari kishte nisur ta takonte thuajse çdo ditë të moshuarin deri sa arriti ta bënte “shok” dhe të fitonte besimin e tij.

“Unë i thashë në mirëbesim se kisha në shtëpi 70 milionë lekë të vjetër. Janë lekët që fëmijët e mi i kanë fituar me djersë në emigracion. Sapo i thashë shumën e parave, G.T. nisi të takohej thuajse çdo ditë me mua.

Dilnim, pinim kafe. Derisa një ditë ai më kërkoi fillimisht një shumë parash që t’ia jepja borxh. Më pas më kërkoi t’i jepja një tjetër shumë me interes, pasi donte të investonte në ndërtim. Derisa m’i mori të gjitha, dhe më pas kur ia kërkova, më tha se nuk ia kisha dhënë”, është shprehur në Policinë e Beratit 78-vjeçari, shkruan “Panorama”.

Menjëherë pas denoncimit të tij, policia ka nisur hetimin në gjendje të lirë për personin e denoncuar.

“Ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G.T., 53 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se gjatë vitit 2015 i ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit shumën prej 700 0000 lekë, shtetasit A.M., 78 vjeç, banues në Berat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale ‘mashtrim’, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e Policisë së Beratit.

Tashmë do të merret në pyetje personi i dyshuar. Në sajë të pretendimeve të të moshuarit, paratë janë dhënë në mirëbesim dhe nuk rezulton që të kenë nënshkruar ndonjë deklaratë noteriale për paratë e dhëna.

ME TE LEXUARAT