Denoncimi/ Flet i revoltuar Erkand Qerimaj: Peshëngritja po shkatërrohet

Sport

Erkand Qerimaj, një nga sportistët e pakët elitarë që ka Shqipëria, ka "thyer" heshtjen dhe ka akuzuar politikanë (qëndrorë e lokalë) dhe drejtues të sportit për kushtet skandaloze të peshëngritjes.

Një ekip i emisionit "Fiks Fare" udhëtoi në Shkodër për të takuar kampionin e europës. Qerimajn e gjejnë në apartamentin e tij, në lagjen "Xhabije". Në hyrje të apartamentit, ai ka bërë një palestër, ku dhe stërvitet prej disa vitesh.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Jam detyruar ta bëj këtu stërvitjen, sepse s'kemi ku të bëjmë, s'kemi vend tjetër, pasi janë kushte skandaloze në palestrën e klubit 'Vllaznia". E kam bërë me shpenzimet e mia dhe me mbështetjen e dashamirësve. Duke qenë se jam një nga sportistët më me shumë medalje, vendosa ta bëj publike këtë gjendje. Peshëngritja po shkatërrohet", thotë ai.

Qerimaj shton se medaljen e fundit europiane e ka në vitin 2014, kur u shpall kampion europe në Izrael, rezultati më i madh për të rritur në historinë e peshëngritjes shqiptare. Gazetarët e pyesin për trajtimet nga shteti.

"Kemi vetëm trajtime ushqimore, por pa siguracione. Kam 20 vjet në sport dhe jam i pasiguruar. Ministria e Arsimit më ka punësuar para pak kohësh si mësues fizkulture në Kamëz. Vetëm për atë kohë kam siguracione. E pash pasi më kërkonin në punë. Nuk mund të bëja dot dy herë stërvitje dhe të shkoja në punë nga ora 08.00 deri në 14.00. Është premtuar shumë herë punësimi, apo siguracionet, por kanë kaluar shumë vite dhe jemi në këto kushte kur flasim në Fiks Fare", vijon Qerimaj.

Ai thotë se sportistët që kanë dalë janë spunto vetjake, nga familjet, dhe nuk ka një zinxhir shtetëror që mund t'i nxjerrë. "Të paktën t'i mbajnë. Nuk shoh arsye që Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, të më mërzisë para europianit të Splitit në Kroaci", shton Qerimaj.

Para pak ditësh, gjatë homazheve në nder të Ymer Pampurit ai pati një përplasje me Gjozën, duke i kujtuar për deklaratat e tij të fundit se Qerimaj ka marrë miliona lekë nga federata dhe shteti. Duke u ndalur tek kjo përplasje, kampioni i europës në vitin 2014 thotë për "Fiks Fare" se Federata e ka lajmëruar për një garë vetëm dy javë para zhvillimit të saj.

"Kemi lënë kockat në këtë sport, jemi me hernie diskale. Pastaj ato llogaritë që bën ai më mirë tia bëj vetes. Kam kërkuar një hetim ku shkojnë këto fonde", thotë Qerimaj, ndërsa ndalet edhe tek deklaratat e politikanëve.

"Kokat e shtetit bëjnë deklarata të njëjta prej 15 vitesh, që kam unë në sport. Zinxhiri poshtë është problem, ligji nuk është bërë si në Europë. E kam menduar largimin nga Shqipëria kur politikanët dhe drejtuesit e sportit bëjnë të tilla deklarata që na mërzisin", shton Qerimaj.

Ndërsa gazetarët e pyesin nëse kanë ndonjë apel për shtetarët, ai thotë: "Apeli im, fakti që flas në Fiks Fare është apeli i bërë. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, të bëhet ligji i sportit dhe të ketë ndryshim".

"Në palestrën e Vllaznisë rrezikojmë jetën"

Erkand Qerimaj shoqëroi ekipin e "Fiks Fare" në palestrën e ekipit të peshëngritjes "Vllaznia". Gazetarët e pyesin nëse kjo është palestër, pasi dyshemeja ishte e shkatërruar, pedanat të prishura, mure me lagështirë dhe nuk kishte ngrohje.

"Po (qesh), s'të besohet ty! Këto janë banjot e pallatit të sportit. Është korridor, sa kanë futur veglat. Ekipi i peshëngritjes po shkatërrohet. Unë kam bërë stërvitje në këtë vend, po ka qenë ftohtë dhe në këtë vend rrezikoja të dëmtohesha. Është shumë e rrezikshme, nuk ia këshilloj kujt të stërvitet këtu. Mund të thyejnë këmbët, duart, madje edhe shtyllën kurrizore. Me 150 kilogramë rrezikon të përplasesh me muret. Këto kushte janë të papranueshme, më mirë të stërvitesh jashtë sesa këtu", thotë Qerimaj.

Shefi i Klubit Vllaznia: Palestrën duhet ta bëjë qeveria dhe FSHF-ja

Fiks Fare intervistoi edhe shefin e Klubit Sportiv "Vllaznia", Mark Kroqi, i cili ditët e fundit është përplasur me peshëngritësin Erkand Qerimaj. Gazetarët e pyetën si mund të stërviten sportistë në palestrën e peshëngritjes, pasi ajo është e shkatërruar.

"Nuk është palestër, është me tepër se skandal. Qeveria ka detyrimin ligjor që ta kthejë në gjendjen e mëparshme, pasi ne kemi pasur një palestër të mirë në stadiumin 'Loro Boriçi'. Trajneri, pas prishjes së asaj palestre na kërkoi një favor dhe e sistemuam në këtë vend. Është bërë skandal si pasojë e peshave. Më vjen mirë që Erkand Qerimaj e ka ngritur këtë shqetësim. Mund të them se është vonuar pak", ishte ironia e zotit Kroqi për akuzat publike të Qerimajt.

Gazetarët e pyesin zotin Kroqi se sipas kreut të peshëngritjes, palestrën duhet ta ketë pushteti lokal. "Ai thotë, ne themi, ata thonë, por problemi është ky. Asnjëri nuk lëviz nga vendi. Bashkia e ka pasur palestrën, nuk e ka luksin të bëjë palestër të re. Duhet ta rregullojë FSHF-ja, prandaj dhe stadiumi i ri nuk është marrë në dorëzim", thotë ai.

Fiksi e pyet zotin Kroqi përse Qerimaj nuk është futur në 10 sportistët më të mirë në Shkodër për vitin 2016. Ai thotë se, "Qerimaj nuk ka pse mërzitet, nuk është bërë nami". Më tej ai pyetet edhe për mungesën e rrogës dhe siguracionit te sportistët elitarë.

"Kjo pyetje nuk më pëlqen, pasi e lokalizon problemin te bashkia. Janë edhe institucionet qendrore që mund ta zgjidhin këtë problem. Ligji parashikon vetëm trajtim ushqimor. Ky problem mund të zgjidhet vetëm me një VKM nga qeveria", përfundon ai.

/ Top Channel

ME TE LEXUARAT