Vdekja tragjike e 3-vjeçares në Elbasan, zbulohen detaje të reja nga aksidenti

Aktualitet

Të tjera detaje zbulohen nga aksidenti tragjik i një ditë më parë në Elbasan, ku një makinë drejtuar nga 25-vjeçari Shaipi, i mori jetën vajzës së vogël vetëm 3-vjeçare.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur kur po kthehej 3 vjeçarja për në shtëpi bashkë me nënën e saj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Burime zyrtare nga policisë bënë të ditur se nënë e bijë u përplasën nga një automjet tip “Peugeot”, që për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, doli nga rruga, pasi shoferi nuk mundi të mbante mjetin nën kontroll.

Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të fshatit Ibë e Sipërme. Policia tha se ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin e rëndë, 25-vjeçarin Imirjan Shaipi, nga Elbasani.

Nga verifikimet dhe matjet e kryera në vendin e ngjarjes, ekspertët e Policisë Rrugore kanë dyshime se Shaipi po lëvizte me shpejtësi mbi 120 kilometra në orë dhe për këtë arsye ka humbur kontrollin e mjetit, duke dalë nga rruga. Ndërsa nënë e bijë po ecnin në anë të autostradës, kur makina i ka përplasur.

Vajza e mitur, Xh. Velija, ka ndërruar jetë kur po transportohej për në spital. Ndërsa nëna e saj, E. Velija, 35 vjeçe, pas ndërhyrjes së mjekëve, e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës.

Burimet thanë se edhe vetë drejtuesi i mjetit ka marrë disa plagë të lehta, por u shoqërua menjëherë në Polici, ku më pas u arrestua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Pasi iu nënshtrua një testi, shoferi nuk rezultoi të kishte konsumuar alkool, ndërsa, sipas Policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

FIKSIMI PAS SHPEJTESISË

I riu që shkaktoi aksidentin e rëndë në fshatin Ibë të Tiranës, është administrator i një kompanie private sigurie në Elbasan. Ai udhëtonte shpesh në kryeqytet dhe duket se autostradën që lidh dy qytetet e bënte për një kohë shumë të shkurtër, kjo për shkak të fiksimit që kishte për t’i dhënë makinës me shpejtësi, shkruan Panorama.

Udhëtimet e tij të vazhdueshme drejt Tiranës e anasjelltas në Elbasan, Imirjan Shaipi i dokumentonte shpesh me video e foto që i publikonte në profilin e tij në “Facebook”. Madje në të njëjtën rrugë, ku shkaktoi aksidentin e rëndë të dielën, ai ka publikuar dy video, duke lëvizur me shpejtësi deri në 230 kilometra në orë.

Fotografia e fundit që tregon kilometrazhin e makinës së tij në ecje, që shënon 253 km/ orë, ai e ka postuar më 10 janar, shoqëruar me diçiturën: “Për të gjithë ata që nuk ndihen të sigurt me mua…”.

Ndërsa komentet poshtë kësaj fotoje, shumica ishin këshilla për të ulur shpejtësinë, kishte dhe të tjerë që i jepnin zemër të ecte në të njëjtën mënyrë. E me gjithë sigurinë që kishte në vete, gjatë drejtimit të makinave luksoze, duket se pikërisht kjo siguri e la në baltë këtë herë, pasi shkaktoi vdekjen e një vajze vetëm 3 vjeçe dhe plagosjen e nënës së saj. Ndërsa vetë përfundoi në qeli, si shkaktar i këtij aksidenti të rëndë, të ndodhur nga fiksimi i tij për të ecur shpejt.

Megjithatë, me një vëzhgim fare të lehtë në profilin social të Shaipit, duket se ai rrugën Tiranë – Elbasan e kishte kthyer në një vend ku bënte gara shpejtësie. Këtë e dëshmojnë videot e postuara nga vetë ai, ku udhëton me makinë me një shpejtësi deri në 260 kilometra në orë.

Në një prej videove, të postuar më 10 Janar, Shaipi shkruan: “Për të gjithë ata që nuk ndihen të sigurtë me mua…”, raporton Tvklan.

E vogla ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa nëna e saj ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht edhe 7 – vjeçari që udhëtonte me Shaipin në automjet nuk ka pësuar dëmtime.

ME TE LEXUARAT