Afera e “CEZ”, Balla: Ja prova e lidhjes së sekserit dhe Shkelzen Berishës

Aktualitet

Deputeti i PS, Taulant Balla, njëheresh kryetar i komisionit hetimor parlamentar për privatizimin e OSHEE-së, ka paraqitur këtë të mërkurë për mediat një mesazh elektronik, që sipas tij vërteton rolin e shtetasit Nuel Kalaj në marrëveshjen mes CEZ dhe qeverisë Berisha.

Sipas Ballës, email-i i shkëmbyer mes krerëve të kompanisë çeke provon edhe përfshirjen e të birit të ish-kryeministrit Berisha në aferën e privatizimit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Sot po publikojmë një ndër shumë provat e pakontestueshme, e cila dëshmon qartë rolin që ka luajtur Nuel Kalaj. Ai ka qenë i lidhur me të birin e kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha. Kjo kuptohet qartë në këtë e-mail ku drejtori çek në Shqipëri, Josef Hejsek i thotë nëndrejtorit të CEZ në Pragë, Tomas Pleskaç, se do ta priste së bashku me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP. Hejsek thotë gjithashtu se, sipas Nuelit, ‘takimin me të birin do ta shtyjmë për nesër, pas ardhjes së kryeministrit’. Pra, kuptohet qe Tomas Pleskaç, së bashku me Hejsekun dhe të tjerë janë takuar me kryeministrin dhe pastaj me të birin e tij”, ka thënë Balla.

Balla ka theksuar se, ky mesazh do të jetë në fokus të mbledhjes së ardhshme të komisionit hetimor parlamentar. “Sot nuk po bëj asnjë pyetje. Pyetjet do t'i bëhen në komsion hetimor dhe më pas”, ka thënë Balla.

Deputeti i PS, ka shtuar se, ndërkohë komisioni ka marrë nën administrim edhe disa dokumente nga banka të nivelit të dytë, të cilat konfirmojnë kryerjen e transfertave bankare me vlerë miliona euro nga CEZ, të cilat më pas janë tërhequr në formë kesh nga Nuel Kalaj në qershor të vitit 2009, pak ditë para zgjedhjeve.

“Gjithashtu, komisioni ka kerkuar informacione shtesë nga banka, por edhe nga banka të tjera, pse CEZ i ka bërë keto transferta tek ky individ dhe ku i ka çuar paratë kesh Nue Kalaj”, sqaroi Balla.

ME TE LEXUARAT