Fillon turizmi dimëror i dëborës, në disa destinacione kushtet janë optimale

Soft

turizmi-dimerorSezoni i turizmit dimëror, ose turizmi i bardhë, tashmë ka nisur dhe biznesi privat i ka filluar përgatitjet dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qëndror për të qenë në lartësinë e duhur.

Pengesa kryesore është infrastruktura rrugore, që në shumë zona është gati e pamundur gjatë stinës së dimrit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse nga Qafë Sorë deri në Theth, janë 12 km rrugë tepër te vështira dhe kalohet me mjete të larta, fuoristrada.

Kështu që vizitori me mjete normale nuk ngitet dot as në dimër e as në verë. Po kështu, vështirësi në periudhën e dimrit paraqesin edhe Valbona, Dardha, Tomorri apo edhe vetë Voskopoja. Një pjesë e komunave të këtyre zonave kanë probleme edhe me sistemin energjetik dhe atë shëndetësor.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peisazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.

Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale, janë edhe Razma e Boga, në veri të vendit mbi Shkodër.

Fshati i Razmës ndodhet rreth 40 km në veri të Shkodrës, nje vend ideal për të praktikuar alpinizmin malor dhe skitë. Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina. Ka një klimë tipike malore, ajër shumë të pastër e me vlera kurative.

Kullotat alpine, pyjet e ahut dhe të pishave, janë karakteristike për zonën.

Zona e Razmës ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës.

Po kështu dhe Boga sipër Razmës është një destinacion tepër interesant për turizmin dimëror.

Boga është një fshat i vendosur në një luginë 950 m mbi nivelin e detit, i rrethuar nga Alpet. Bukuria, pasuritë natyrore dhe kulturore të këtij fshati u lënë mbresa çdo vizitori.

Shumë studiues apo kalimtare të huaj kanë shkruar për të, një nga të cilët është dhe Mary Edith Durham, që e përmend këtë fshat në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Inxhinieri italian, Piero Ghiglione, që vizitoi Bogën në vitet 1942, e quan atë “kryevendi” përsa i takon ngjitjeve në mal.

Sipas gojëdhënave, Boga ishte emri i djalit të dytë të Kelmecës (të parit të Kelmendit…). Nga djali i dytë rrodhi fisi i vogël i Bogës, i cili bënte pjesë në Fisin e Kelmendasve.

Deri në shekullin e XVII ky fshat ka qenë pjesë e Kelmendit, duke qenë një ndër katër bajraqet e tij.

Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme Ilire të shek. II-III. Shpella e Madhe, afër qendrës së banuar, është një dëshmi e hershmërisë së jetës në Bogë.

Në malet e veshura me masive pyjesh të ahut dhe pishave gjenden shumë bimë mjekësore, të cilat vendasit i mbledhin dhe i tregëtojnë duke siguruar një ndihmë për ekonominë e tyre.

Boga është vendi ideal për amatorët dhe profesionistët e speleologjisë. Këtu gjendet shpella të shumta për vlerat e tyre historike.

Në qëndër të fshatit ka dhe një kishë që i kushtohet Shën Mhillit, që njihet si kryeëngjëlli mbrojtës i miqve.

Festa e Shën Mhillit festohet më 28 shtator.

Mikpritja e malësorëve të Bogës është një traditë e ruajtur prej shekujsh.

Këtu keni mundësi të akomodoheni në disa shtëpi pritëse mjaft komode, të ushqeheni në restorantet e fshatit, të provoni gatimet tradicionale si, mishin e fërlikut, jardunin e deles, djathin e zier, kaçamakun, patatet në kaki etj.

Biznesi i turizmit të deborës ka nisur përgatitjet për të pritur vizitorët e shumtë që preferojnë këto lartësi të ashpra malore. Dhe të parët kanë mbërritur bashke me deborën e parë. Ata janë vendas dhe të huaj të ardhur nga Evropa Veriore.

ME TE LEXUARAT