Testamenti i At’ Gjergj Fishtës sipas Lasgush Poradecit

Kliko per me shume info

“Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Detaje mbi ditët e fundit të Atë Gjergj Fishtës, ceremonia madhështore në Kishën e Gjuhadolit dhe telegramet e ngushëllimit, nga Ernest Koliçi, Bahri Omari e të tjerë.

Kliko per me shume info

“Kangën mâ t’bukurën duen me thânë, e këndon mjellma para se të desë. Nji kângë përmallimi, qi shquen ndër angrra ndiesitë ma të mrendëshmet. Nji kangë përshëndetjeje, që frymëzohet në një kundrim nostalgjik të së kaluemes.”

Këto janë vargjet e para të librit “Sëmunjda e deka”, kushtuar ditëve të fundit të Atë Gjergj Fishtës. Është një libër voluminoz me kapakë ngjyrë vishnje e thellë të vitit 1943, ku gjenden tri fotografitë befasuese të At Gjergj Fishtës në shtratin e vdekjes. Libri ruhet vetëm në një kopje në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Në këtë botim ka detaje të rëndësishme për fjalët më të fundit të Atë Gjergj Fishtës. Një ndër më interesantët është version i përshkruar nga Lasgush Poradeci. Ai e krahason mesazhin e fundit të Fishtës me vargjet e Dante Aligerit.

Është një botim i rrallë, përkujtimor, me referate, ese, studime e analiza mbi jetën dhe veprën e Gjergj Fishtës, nga studiuesit më në zë të kohës. Tre vjet pas vdekjes, si një shenjë përkujtimi, ky libër u përgatit nga At Benedikt Dema, një ish-nxënës i Fishtës nën titullin “At Gjergj Fishta”.

Në këtë libër ka detaje të rëndësishme nga ditët e fundit të jetës së Gjergj Fishtës. Në krye të shënimeve të tij, frat Agustin Gemelli, Rektor Magnificus i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit në Milano, thekson: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të Provincës Shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe, e për provincën tonë.”

Sipas at Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij, skena nga “Gjyqi i fundit”. E gjejmë këtë shënim në librin e cituar që në krye. Këto fjalë të thëna në agoni dy orë para se të vdiste, dilnin nga shpirti i trazuar i poetit dhe shprehnin një ndjenjë gati-gati hyjnore për vetëperfeksionimin e fratit artist.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit shkruan sërish në librin e përgatitur nga Benedikt Dema që Fishta e mbylli testamentin e vet me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur), përse kam punue për Fe, Atdhe, e për Provincën tonë”.

Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i vërtetë i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani, i cili i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje.”

Gjergj Fishta ishte i ndërgjegjshëm për lapidarin që i kishte ngritur vetes, prandaj i përkiste edhe kombit. Lasgush Poradeci e barasvlerëson këtë thënie me vargun e Dante Aligerit: “… del resto, anche la nazione ha diritti su di me” (fundja edhe kombi ka të drejtë mbi mua), çka do të thotë se shpreh vetëdije të lartë ashtu si e gjejmë në të gjithë veprën e tij, letrare e shoqërore.

Ndërsa italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë , pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “jo për tjetër, por, sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes.”

Të gjithë këto variante e dëshmi të kohës lidhen në të vërtetë mbi thënien e fundit, amanetin që la At Gjergj Fishta, teksa largohej nga kjo jetë. Por, dy tre fakte dhe dëshmi tregojnë se At Gjergj Fishta ditët e fundit të jetës së tij i kaloi duke menduar për veprën e tij letrare. Njëra prej dëshmieve tregon idenë për t’iu rikthyer sërish kryeveprës së tij “Lahuta e Malcisë”.

Ndërsa në studimin e frat Agustin Gemellit gjejmë këto rreshta: “At Fishtën e zuri vdekja, ndërsa kishte ndër duar përkthimin e Petrarkës në gjuhën shqipe, sikurse kishte përkthyer që me kohë “Hymnet e shenjta” dhe “Pesë Maj” të Manzonit disa nga ariet e Metazit dhe lirika nga shumë poetë të tjerë italianë.”

/ 27.al

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here