Deklarata "surprizë" e Vladimir Putin: Të zgjidhim problemet me SHBA-në

Bota

putin-natoPresidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij do të ngrihet për interesat e veta, por nuk ka qëllim të përfshihet në ndonjë konfrontim me vendet e tjera. “Nuk kërkojmë armiq, duam miq”, tha Putin në fjalimin e tij vjetor, në një sesion të përbashkët të parlamentit dhe qeverisë në Kremlin. Ai po ashtu tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në “në baza të barabarta”. Putin tha se është e rëndësishme për Rusinë dhe SHBA-në që të punojnë në zgjidhjen e problemeve globale, sidomos terrorizmit ndërkombëtar.

Putin nuk e përmendi me emër presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, por tha se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me administratën e re në Uashington. “Është e rëndësishme t’i normalizojmë dhe t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona në bazë të të drejtave të barabarta dhe të përfitimeve të ndërsjella. Bashkëpunimi midis Rusisë dhe SHBA-së në zgjidhjen e problemeve globale dhe rajonale u shërben interesave të të gjithë botës. Ne ndajmë përgjegjësi për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, tha Putin. Komentet vijnë në kohën kur marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin janë më të këqijat që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Përkeqësimi i tyre ka pasuar aneksimin që i ka bërë Moska Gadishullit ukrainas të Krimesë. Putin tha se Rusia është e gatshme të tejkalojë vështirësitë me të cilat ballafaqohet. “Viti i kaluar nuk ka qenë i lehtë, por të kaluarit nëpër prova të rënda na bën më të fortë”, tha Putin.

“Qytetarët janë bashkuar, duhet t’i falënderojmë për këtë rreth vlerave patriotike, jo vetëm pse janë të kënaqur me të gjitha aspektet e jetës së tyre, sepse ka shumë vështirësi dhe probleme këto ditë; por, ka një mirëkuptim në lidhje me arsyet dhe, çfarë është më e rëndësishmja, ka besim se do t’i kapërcejmë ato së bashku, ka gatishmëri për të punuar për të mirën e Rusisë. Kjo është ajo që qëndron në thelbin e unitetit kombëtar”, tha Putin. Rusia po lufton për dalje nga recesioni, i shkaktuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe sanksionet që i ka vënë Perëndimi për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë. Putin po ashtu tha se lufta kundër korrupsionit “nuk është shfaqje”, porse duhet të kryhet në mënyrë profesionale. Ai i lavdëroi përmirësimet në shërbimet mjekësore në vend, por tha se "probleme në kujdesin shëndetësor mbeten". Putin po ashtu tha se situata demografike e vendit vazhdon të përmirësohet dhe se popullsia ruse po rritet më shpejt se në shumë vende të Evropës.

Adresimi i Putinit është i mandatuar me Kushtetutën e Rusisë, e cila kërkon që presidenti të raportojë çdo vit për gjendjen aktuale në vend dhe prioritetet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme. /Rel/

ME TE LEXUARAT