Reforma në universitete, ministrja Nikolla letër të hapur studentëve

Aktualitet

nikolla14Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, u dërgoi një letër të hapur studentëve, të cilët kanë protestuar kundra ligjit të Arsimit të Lartë, duke iu shpjeguar atyre se ky ligj ka në qendër studentët.

Sipas ministres Nikolla, edhe pse debati jo rrallë është veshur me të pavërteta, të vërtetat e reformës në arsimin e lartë, lidhen drejtpërdrejtë me studentin.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nikolla qartësoi se nenet e ligjit të ri që lidhet me kuotat, tarifat dhe mënyrën e zgjedhjes së degës do të zbatohen në vitin akademik 2016-2017, për studentët e rinj që hyjnë në sistem.

“Asnjë nga ju që e meriton, por që nuk ka mundësi financiare nuk do të mbetet jashtë universitetit. Studentët ekselentë dhe studentët shumë të mirë, por në pamundësi financiare do të konkurrojnë për degët që ata dëshirojnë mbi parimin meritë-preferencë.

Nëse nuk do të ketë mundësi pranimi në këto degë për shkak të numrit të vendeve në dispozicion, që përcaktohen nga vetë universiteti, ata do të ftohen me bursë të plotë në degë që kanë interes në zhvillimin kombëtar, apo në degë për të cilat shoqëria ka nevojë, por janë të papreferuara.

Po ashtu, studentëve që insistojnë të shkojnë në degë shumë të kërkuara, për të cilat janë plotësuar kuotat e bursave sipas meritës, do t’ju ofrohet një mekanizëm i plotë i kredisë studentore me interes 0, si të në gjithë vendet e zhvilluara”, nënvizoi Nikolla.

Ndërkaq, ajo theksoi se “asnjë para publike nuk do të shkojë për universitetet private, por do të ketë më shumë para publike e private për universitetet publike. Kush thotë ndryshe, thotë një të pavërtetë”.

Duke shtuar se, ligji i ri parashikon rritjen e autonomisë së universiteteve në menaxhimin e burimeve financiare në përcaktimin e kuotave dhe tarifave , Nikolla shpjegoi se, ai sjell shumëllojshmërinë e financimit të universiteteve.

Sipas saj, “edhe impenjimi i kësaj qeverie për të shtuar financimet në arsim dhe për të stimuluar donatorët, do të mundësojë përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të kushteve të studimit”.

Duke u ndaluar tek akreditimi i universiteteve, në letrën e saj drejtuar studentëve, ministrja tha se “ky akreditim do të bëhet nga një agjenci, pjesë e ENQA-s”.

“Monitorimi i cilësisë së mësimdhënies dhe plotësimi i kërkesave të BE-së për arsimin e lartë, do të mundësojë që diplomat tuaja të njihen në BE, për t’u punësuar apo për të vazhduar studimet si të gjithë studentët e tjerë të BE-së”.

Në përmbyllje të letrës, Nikolla tha se “ me sistemin e ri të arsimit të lartë, ju do të edukoheni në radhë të parë, me sensin e meritës dhe të garës”.

ME TE LEXUARAT