"Asnjë makinë s`del nga qarkullimi. Arritja e standardit Euro 3, domosdoshmëri"

Aktualitet

Qeveria ka gati një draft projektakt i cili synon të mbrojë shëndetin e njeriut dhe mjedisin nga shkarkimet e ndotësve të gaztë prej mjeteve motorrike, nëpërmjet përcaktimit të kushteve të importit të tyre dhe vendosjes së limiteve të shkarkimeve për këta ndotës.

Përmes aktit ligjor synohet ulja me 30% e nivelit të ndotjes se ajrit në zonat urbane nëpërmjet përdorimit të karburanteve dhe kontrollit te automjeteve konform kritereve të BE-së.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Projektakti i hartuar nga 2 institucione, ministria e Mjedisit dhe ajo e Transportit, parashikon që pas hyjres në fuqi, të lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë vetëm mjetet motorrike e kategorisë M dhe N, të reja dhe të përdorura, që plotësojnë standardet Euro 4 dhe Euro 5 të shkarkimeve në ajër. Makinat e importit të përdorura që do të hyjnë në Shqipëri do të duhet të jenë të paktën standard Euro 4.

Makinat e importit të reja do të duhen të jenë me standard të paktën euro 5. Ana Kekezi, Këshilltare për Mediat dhe Komunikimin pranë Ministrisë së Mjedisit nisur nga konfondimi i qytetarëve në ditët e fundit siguron për ATSH se asnjë makinë nuk del nga qarkullimi.

“Kjo nuk do të thotë se mjetet motorrike që qarkullojnë aktualisht në vend, Euro 1 dhe Euro 2 do të dalin nga qarkullimi. Sot në vendet perëndimore lëvizin lirisht makina të viteve 1940-1950. Çdo makinë nëse përshtatet me standardin euro që synojmë të miratojmë në kuadër të Planit Kombëtar të cilësisë së Ajrit do të lëvizë lirisht”

Nëpërmjet këtij projektvendimi ministria e Mjedisit ka propozuar dy masa sa i takon vendosjes në treg të mjeteve motorrike dhe mjeteve në qarkullim. Kategoria M dhe N, shkarkimet e të cilave ju përkasin standardeve Euro 1 (viti i prodhimit para 1993) dhe Euro 2 (viti i prodhimit 1993- 1997), duhet të marrin masat për arritjen e standardit Euro 3, në makinat e tyre. Kalimi nga Euro 1 dhe Euro 2 në euro 3 për flotën ekzistuese do të bëhet në mënyrë graduale.

Ministria e Mjedisit ka kërkuar që poseduesve të makinave ekzistuese me Euro 1 dhe Euro 2, pas hyrjes në fuqi tu lihet një afat kohor 6 -12 muaj për të bërë këtë përshtatje

Kur do të ndodhë?

Në fazën aktuale të procedurës, ky draft do të kalojë në një fazë të re, konsultimi me grupet e interesit. Pas kësaj do të kalojë për mendim në ministritë e linjës. Pasi gjithë institucionet të dakortësojnë sa është propozuar, kalon në Këshill të Ministrave për miratim. Parashikojmë që kjo fazë të zgjasë nga 6 muaj deri në 12 muaj. Pra VKM hyn në fuqi me shumë gjasa në Dhjetor 2017 ose fillim të 2018-ës.

Si do e përshtasin me standard euro 3 , poseduesit e makinave Euro 1 dhe Euro 2?

Pasi të miratohet kjo VKM me udhëzim Ministri, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, si ministria përgjegjëse për këtë do të nxjerrë disa rrugë/mënyra që qytetarët mund të përshtasin makinat e tyre në standard euro 3

Ndotja e ajrit është një ndër problemet e mprehta që lidhet me shëndetin publik dhe mjedisin. Monitorimi i cilësisë së ajrit të mjedisit dhe inventari kombëtar i shkarkimeve në ajër, tregojnë se burimi kryesor i ndotjes së tij është transporti rrugor.

Në vendin tonë transporti kontribuon me 48%-60% në ndotjen e ajrit dhe veçanërisht në treguesit e PM10, (lëndë grimcore me diametër më të vogël se 10 mikron), dhe gazeve të azotit NOX, që emetohen nga djegia e lëndës djegëse nga automjetet.

Shkalla e ekspozimit të popullatës ndaj ndotjes mbetet e lartë, si pasojë e tejkalimit të normës vjetore të ditëve të ndotura. Norma vjetore e ditëve të lejuara me ndotje është 35 ditë/vit. Në qytetin e Tiranës në stacionet e monitorimit ku trafiku është i lartë, numri i ditëve që tejkalohet varion nga 62 në 102 ditë/vit (rreth 2-3 herë më i lartë se standardi i BE-së). Vlera më e lartë ditore është monitoruar në muajin prill dhe është 142.55 μg/m3 nga 50 μg/m3 që është standardi ditor i BE-së.

Për shkak të shkarkimit nga automjetet, tendenca e PM10 për 4 vitet e fundit në Tiranë, në pikat e trafikut, është në rritje dhe ngelet qyteti me ndotjen më të lartë në rang vendi.

Pasoja nga automjetet justifikohet me faktin se në vendin tonë nuk janë përcaktuar standardet për automjetet që hidhen në treg lidhur me shkarkimet e tyre.

Kjo do të thotë që në tregun shqiptar mund të futet çdo lloj mjeti motorrik, me kushtin që viti i prodhimit të korrespondojë me shkarkimet e tij.

Mosha mesatare e makinave të pasagjereve në Shqipëri është 18,4 vjet që sipas përllogaritjeve korrespondon me Euro 1.

Pra, jemi ne kushtet e mungesës se një standardi minimal lidhur me lëshimin e gazeve ndotës, gjë që promovon kthimin e tregut tonë në një “kosh” ku mund të hedhësh makina nga më të vjetrat që kanë impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e shkallës së ndotjes së ajrit.

Kjo është arsyeja qe kemi këtë vjetërsi te makinave dhe standardin mesatar më të ulët të mundshëm lidhur me lëshimin e gazeve ndotës, i cili përkon me makinat, viti i prodhimit të të cilave është viti 1994 (Euro 1).

Praktikisht, Shqipëria është shumë larg standardit Euro 5 që po zbatohet në vendet e Bashkimit Evropian që prej vitit 2010, apo Euro 6 që nga shtatori 2015.

Për të kuptuar diferencën midis Euro 1 dhe Euro 5, referuar grimcave PM10, duke kaluar nga Euro 1 në euro 5, shkarkimet e tyre zvogëlohen nga 140 mg/km për mjetet motorrike Euro 1 në 5 mg/km për mjetet motorrike Euro 5; referuar NOx, shkarkimet e tyre zvogëlohen nga 500 mg/km për mjetet motorrike Euro 1 në 80 mg/km për mjetet motorrike Euro 5; Pra, kalimi nga standarti Euro 1 në Euro 5, çon në një reduktim të ndotjes së ajrit nga PM10 me 96% dhe nga NOx me 84%.

Të dy masat e propozuara do të çojnë në përmirësimin e standardeve të flotës së automjeteve, duke synuar arritjen e objektivave të cilësisë së ajrit të mjedisit, të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Cilësisë së Ajrit, dhe në ligjin nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis, që ka transpozuar Direktivën e Parlamentit Europian dhe Këshillit 2008/50/KE, datë 21 maj 2008, “Për cilësinë e ajrit në mjedis dhe një ajër më të pastër në Evropë”.

Masat e propozuara janë në përputhje edhe me parashikimet e Paketës së politikave të BE-së deri në vitin 2030, për një ajër më të pastër në Evropë. Pjesë përbërëse e kësaj pakete është zbatimi i standardit Euro 6 për prodhimin dhe vendosjen në treg të mjeteve mororrike, e cila do të çojë në një reduktim të kostove në sektorin e shëndetit në vlerën 38 -138 bn €/vit, e thënë ndryshe reduktimi i kostove në sektorin e shëndetësisë do të jetë 12-40 herë më të larta se kostot që implikojnë zbatimin e standardeve të automjeteve.

Mungesa e masave për të adresuar ndotjen nga transporti çon në rritjen e kostos për përballimin e pasojave në shëndet dhe mjedis, e cila sipas një studimi është vlerësuar të jetë rreth 2% e GDP në vendet e zhvilluara dhe më shumë se 5% në vendet në zhvillim (p.sh. Kina me 7% me një tendencë rritjeje në 13% në vitin 2020);

Masa të ngjashme janë duke u zbatuar edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë. Mbi bazën e një studimi të bërë nga UNEP, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në vitin 2012, lidhur me standardet e automjeteve të aplikuara në vendet e Europës Lindore, Kaukazit dhe Azisë Qendrore, situata është si me poshtë: Mali i Zi, që prej vitit 2011 lejon vetëm importin e automjeteve që i përkasin Euro 5 ( të reja dhe të përdorura); Serbia lejon vetëm importin e automjeteve Euro 3 ( të reja dhe të përdorura); Bosnja dhe Hercegovina lejon vetëm importin e automjeteve Euro 5 të reja qe prej vitit 2010 dhe Euro 3 për automjetet e përdorura; Maqedonia që prej korrikut 2015 lejon vetëm importin e automjeteve Euro 5 të reja dhe Euro 4 për automjetet e përdorura;

Kroacia lejon vetëm importin e automjeteve Euro 6 të reja dhe të përdorura (si vend anëtar i BE-së); Turqia lejon vetëm importin e automjeteve Euro 5 të reja. Ndalohet importi i automjeteve të përdorura; Ukraina në vitin 2016 do të lejojë vetëm importin e automjeteve Euro 5 (të reja dhe të përdorura)

ME TE LEXUARAT