BSH: Bankat të krijojnë "fond shpëtimi", Sejko: Qytetarët s`do paguajnë

Aktualitet

gent-sejkoBanka e Shqipërisë i ka propozuar Parlamentit një ligj, i cili parashikon ngritjen e një fondi të posaçëm kombëtar që do të përdoret në raste krizash financiare.

Guvernatori Gent Sejko deklaron në një intervistë për Top Channel se paratë për këtë fond do të paguhen nga vetë bankat private, çka do të thotë se në rast krizash janë pronarët e bankave ata që do paguajnë për humbjet dhe jo qytetarët.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Shtete të ndryshme u përballën me kriza financiare dhe u përdorën fonde publike, fonde të taksapaguesve për të mbuluar humbjet e bankave në vështirësi. Ky pr/ligj parashikon të shmangë përdorimin e taksapaguesve dhe përdorimin e një fondi të caktuar që do të lidhet me kontributet e institucioneve financiare, që do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe do të përdoret i pari në rast krizash”, deklaron Sejko.

Projektligji i lejon Bankës së Shqipërisë të marrë në dorë administrimin e bankave të keqmenaxhuara dhe i jep të drejtën të shkarkojë edhe drejtuseit e tyre.

“Nëpërmjet këtij ligji përcaktohen qartë parametrat dhe kriteret kur një bankë është keqmenaxhuar dhe normalisht Autoriteti i Rimëkëmbjes dhe Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme do ndërhyjë direkt në menaxhim për të marrrë qoftë administrimin, qoftë procesin e likuidimit të institucionit që paraqet probleme, si dhe për të korrigjuar defektet që menaxhimi do kishte shfaqur, si në emërime, shkarkime, etj”, thotë Sejko.

Sipas guverantorit, sistemi bankar shqiptar është solid dhe në gjendje të shëndoshë financiare, ndaj qëllimi i këtij ligji është të ngrejë një mekanizëm parandalues dhe të përafrojë legjislacionin me Bashkimin Europian.

“Përgatitja e një ligji specifik është për të qenë në përputhje me direktivën europiane dhe jo se ne kemi probleme në sistemin bankar, sepse ai është i mirëkapitalizuar dhe me tepricë likuideti. Ndaj ne nuk përballemi në asnjë rast të vetëm me vështirësi financiare”, shton Sejko.

ME TE LEXUARAT