Zbardhet arsyeja e vërtetë, ja pse u lirua "i forti” i Durrësit, Lul Berisha

Aktualitet

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka reaguar ashpër pas lirimit nga burgu, të ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha duke i quajtur gjykatat e korruptuara dhe vendimin të papranueshëm. Por kush është trupi gjykues i Gjykatës së Apelit në Durrës, i cili vendosi lirimin e Lul Berishës, banda e të cilit akuzohej për vrasje dhe trafik droge?

“BalkanWeb” ka mësuar se Arben Vrioni ka qenë kryesues i trupës gjykuese që ka shqyrtuar ankimimin e Lul Berishës, ndërsa anëtarë kanë qenë gjyqtarët Petrit Çeno dhe Anita Mici. Sipas vendimit të tyre, siç bëhet me dije për “BalkanWeb”, Lulzim Berisha është liruar me kusht me arsyetimin se ka kryer 3/4 e dënimit me 25 vite burg si dhe për sjellje të mirë. Në sajë të këtij vendimi Lulzim Berisha duhet të mbajë kontakte me zyrën vendore të shërbimit të provës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Për vendimet e gjyqtares Mici, Prokuroria ka bërë dhe më parë apelim duke i konsideruar lirimet e të pandehurve si flagrante, ku rasti i fundit i përket ish-Inspektorit të Mjedisit në qytetin e Durrësit të arrestuar në flagrancë për korrupsion.

Më 13 nëntor 2013 ishte gjykatësja Anita Mici e cila firmosi pafajësinë e Enver Stafukës duke e lënë atë të lirë dhe pse ai së bashku me Gentjan Bejtjan u akuzuan për vjedhjen e automjetit BMW, mjet i cili u gjet një ditë pas vrasjes së Dritan Lamajt.

Anita Mici prej 11 vitesh është emëruar në radhët e gjyqtarëve, teksa pas mbarimit të Magjistraturës në grupin 2004-2005 ajo fillimisht është emëruar në Shkodër për t’u transferuar në 2010 në Gjykatën e Durrësit.

Ndërkohë edhe Arben Vrioni ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, më herët ka qenë edhe kryetar i Gjykatës së Elbasanit. Sa i takon Petrit Çenos, ai është më i njohur për publikun për shkak se ka qenë edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Ndërkohë që më herët ai kishte kërkuar lirinë me arsyetimin se “vuante nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohej jeta po të qëndronte në qeli”.

Berisha, një prej njerëzve më të rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri, është liruar të martën më 6 dhjetor nga Gjykata e Apelit Durrësit në një proces larg vëmendjes së mediave dhe ndaj tij është vendosur “lirim me kusht” për 5 vitet e mbetura të dënimit.

Sot ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu deklaroi se “Lirimi i Lulzim Berishës është bërë për shkaqe të panjohura. Dua t’u them gjykatave të korruptuara se ky vendim është i papranueshëm. Duhet të indinjohemi”.

ME TE LEXUARAT