Arrestohet miku i ngushtë, dyshohet se ndihmoi Klement Balilin gjatë arratisë

Aktualitet

Policia arrestoi një ndër miqtë më të ngushtë të Klement Balilit, gjatë një operacioni të gjerë që po zhvillon për kapjen e një ndër personave më të kërkuar në vend.

Berti Dosti, 36 vjeç, një ndër personat që dyshohet se e ndihmon Balilin të lëvizë, u arrestua pasi kishte në automjetin e tij Volksëagen dy “shotgun” dhe një pistoletë Zastava. Akuza që rëndon mbi të është vetëm ajo e armëmbajtjes pa leje. Armët e tij ndodhen në laboratorin kriminalistik për ekspertizën balistike.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas arrestimit të tij, policia bëri të ditur publikisht se do të arrestojë çdo person që tenton të ndihmojë Klement Balilin të strehohet apo t’i fshihet policisë. Policia bëri me dije se gjatë orëve të mbrëmjes se të shtunës kontrolloi të gjitha ambientet në Delvinë dhe Sarandë të cilat Klement Balili frekuentonte më parë, përfshi edhe banesën e tij dhe disa të afërmve.

Aksioni policor ku janë përfshirë më shumë se 200 policë të forcave speciale si edhe i mbështetur nga komisariatet Sarandë e Delvinë, nisi pasi Gjykata e Krimeve të Rënda nxori urdhërin e ndalimit me burg, të premten në orët e pasdites. Lista e ambienteve të cilat policia kontrolloi, u përgatit për dy ditë, por policia nuk kishte një informacion konkret nëse ai fshihej në një nga këto ambiente. Policia mendon se balili mund të jetë i fshehur në zonën e Sarandës dhe të Delvinës, pasi kërkimet e Interpolit prej 6 muajsh kanë dështuar.

Balili është nxjerrë nga Interpol Athina në kërkim ndërkombëtar dhe policisë greke nuk i është përgjigjur asnjë prej homologëve se ka ndonjë informacion për lëvizje të tij në shtetet anëtare të agjencisë ndërkombëtare. Kjo është një ndër arsyet kryesore pse policia mendon se Balili ndodhet ende në Shqipëri.

Burime policore thanë për Top Channel se asnjë nga akuzat e deritanishme të ardhura qoftë edhe prej politikës se është parë në disa vende gjatë kohës që është në kërkim, kanë qenë të pabaza. Ajo që policia njeh si një ndër problemet për kapjen e tij, është fakti i njohjes së mirë të zonës dhe lidhjeve të tij të fuqishme në këtë zonë, që i siguron atij shpesh herë strehim.

Ndaj edhe policia bën të ditur se do të penalizojë dhe arrestojë në masë të gjithë ata që do t’i japin ndihmë apo do të bëhen pengesë ligjore për kapjen e tij./tch

ME TE LEXUARAT