Alepo rrezikon të bëhet “varrezë gjigante”

alepoShefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Brien, tha se Alepo e Sirisë rrezikon të bëhet një “varrezë gjigante”, me avancimin e forcave qeveritare në zonat e kontrolluara nga rebelët.

O’Brien u bëri thirre anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbrojnë civilët “për hir të humanizimit”.

Së paku 34 civilë kanë vdekur nga bombardimet e fundit të forcave qeveritare në zonat që kontrollon opozita.

Trupat e regjimit dhe milicitë aleate, qysh në fundjavë, kanë rimarrë më shumë se një të tretën e pjesës lindore të Alepos, të kontrolluar nga rebelët.

“Për hir të humanizmit, u bëjmë thirrje të gjitha palëve dhe atyre që kanë ndikim, të bëjnë gjithçka të mundur për të mbrojtur civilët dhe për të mundësuar qasjen në pjesën e rrethuar të Alepos lindore, përpara se të bëhet një varrezë gjigante”, tha O’Brien në një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit për krizën në Alepo, raporton REL.

Ai tha se rregullat e luftës, të vendosura më shumë se 150 vjet më parë në Konventën e Parë të Gjenevës, janë shpërfillur sistematikisht në Siri.

Konventat e Gjenevës janë traktate universale që do të duhej të përcaktonin se si kryhet një konflikt i armatosur.

O’Brien i tha Këshillit të Sigurimit se rreth 25,000 njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Alepo që nga fundjava.

Ai parashikoi largimin e mijëra të tjerëve në ditët e ardhshme, pasi forcat siriane kanë intensifikuar ofensivën.

O’Brien tha se nuk ka më asnjë spital që funksionon siç duhet në Alepon lindore, e cila është nën rrethim për afro 150 ditë. Ai paralajmëroi se shumë njerëz të bllokuar brenda, nuk kanë mjete për të mbijetuar edhe shumë kohë.

Alepo ka qenë qyteti më i madh i Sirisë dhe qendra e saj komerciale dhe industriale, përpara kryengritjes kundër presidentit Bashar al-Assad, e cila ka nisur në vitin 2011.

Për pjesën më të madhe të luftës civile, qyteti ka qenë i ndarë në zonat që kontrollohen nga qeveria dhe në ato që mbahen nga rebelët.

Por, këtë shtator, forcat e regjimit, me mbështetjen e milicive shiite dhe të sulmeve ajrore ruse, kanë thyer bllokadën.

Zëdhënësja e Programit për Ushqim të Kombeve të Bashkuara, Bettina Luescher, e përshkroi gjendjen e civilëve në lindje të Alepos si “lëvizje e ngadalshme drejt ferrit”.

Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

alepoo

“Zhduket” 7-vjeçarja që postonte në Twitter jetën në Alepo

Një vajzë shtatë vjeçe, e cila ka tërhequr vëmendjen e botës me ...