Zyrtare, prokurori: Astrit Dehari bëri vetëvrasje

syl-hoxhaaKryeprokurori Sylë Hoxha në konferencën për media ka konfirmuar se Astrit Dehari ka vdekur nga dëmtimet e vetshkaktuara. Incizimet janë autentike dhe se Dehari nuk ka pasur asnjë konfrontim fizik me asnjë të burgosur.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit Sylë Hoxha në një konferencë të jashtëzakonshme për media tregoi raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore si dhe provat e mbledhura për vdekjen e Astrit Deharit.

Bazuar në raportin e autopsisë dhe hetimeve që ka bërë Policia kryeprokurori i Prizrenit tha se në këtë rast kanë të bëjnë me vetëvrasje.

“Nuk është gjendur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje nga faktorë të jashtëm që rezulton me lëndimin apo dëmtimin fizik të tani të ndjerit Astrit Dehari dhe nuk kemi asnjë person të dyshuar për vepër penale apo që mund ta ketë shkaktuar vdekjen. Pra të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje, tha Hoxha.

Hoxha lexoi edhe raportin e obduksionit që sot e kanë marrë nga Mjekësia Ligjore. Në raport sipas tij thuhet se i ndjeri Dehari ka vdekur nga asfiksia e shkaktuar nga një mjet i fortë ndërsa lëndimet e gjetura në trupin e tij sipas raportit konstatojnë se janë vetëshkaktuar.

Në trupin e Deharit sipas raportit nuk ka pasur prezencë të barnave apo drogës,

Kryeprokurori po ashtu tregoi gjithë procedurën që ka ndërmarr Prokuroria që nga dita kur në burgun e Prizrenit është gjetur i vdekur Astrit Dehari.

Sipas Hoxhës pas marrjes së informatës për rastin dhoma në të cilin ka qëndruar Astrit Dehari është mbyllur për t’u kryer ekzaminimet e nevojshme.

Hoxha shtoi se nga qendra e paraburgimit në Prizren janë sekuestruar xhirimet nga kamerat e sigurisë, të cilat gjatë procesit të ekzaminimit kanë rezultuar se nuk ka ndërhyrje dhe xhirimet janë autentike.

Ndërsa, gjatë procesit hetimor, kryeprokurori shtoi se deri më tani janë marrë në pyetje 17 persona, nga të cilët janë ri-marrë në pyetje katër prej tyre dhe janë ekzaminuar të gjitha dëshmitë e sekuestruara nga vendi i ngjarjes, të cilat përmendi që do t’i dorëzohen së shpejti përfaqësuesit ligjor të familjes Dehari.

“ Nga dëshmitë e siguruara deri më tani, nuk është dhënë asnjë dyshim i mundshëm për ndonjë përleshje fizike apo probleme në mes të paraburgosurve dhe oficerëve me tani të ndjerin Dehari. Nga monitorimi i kamerave të sigurisë nga hetuesit policor, janë evidentuar të gjitha lëvizjet e të gjithë të paraburgosurve, duke përfshirë edhe Astrit Deharin dhe lëvizjet e oficerëve korrektues nga mëngjesi i datës 05.11.2016 deri në mbrëmje dhe në asnjë rrethanë nga ora 14:00 deri në ora 15:00 nuk është vërtetuar ndërhyrje, lëvizje nga faktori i jashtëm në dhomën A3 ku është gjetur tani i ndjeri Astrit Dehari”, tha kryeprokurori Sylë Hoxha.

Kryeprokuropri hodhi poshtë pretendimet se dikush mund të ketë hyrë nga dritarja e qelisë ku qëndronte Astrit Dehari duke treguar se dhoma A3 ku ka qenë i vendosur i ndjeri gjendet në katin e dytë rreth 8 metra lartësi nga toka dhe dritarja e kësaj dhome është e siguruar me grila të fortë, të cilët nuk kanë mundësi të zhvendosen dhe të cilët nuk janë të dëmtuar.

Ai po ashtu shtoi se eliminon çdo mundësi të ndërhyrjes nga faktori i jashtëm nga pjesa e jashtme e dhomës.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në burgun e Prizrenit. Vdekja e tij kishte hedhur dyshime tek familja dhe Lëvizja Vetëvendosje për shkak të deklaratave kundërthënëse të zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse.

Dehari ishte arrestuar në fund të gushtit si i dyshuar se kishte sulmuar me predhë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.

Bashkë me të ishin arrestuar edhe pesë aktivistë të kësaj Lëvizje.

Familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar publikisht se nuk i pranojnë rezultatet e hetimeve nga Prokuroria e Shtetit pasi që nuk iu besojnë atyre. Ata kërkojnë hetime të pavarura për vdekjen e djalit të tyre. Astrit Dehari ka qenë 26 vjeçar dhe pas vetes ka lënë prindërit dhe gruan shtatzënë.

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Seri arrestimesh në Prishtinë, një serb në arrati

Policia e Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit ka realizuar ...