Vrasja e 44-vjeçarit në Sarandë, familjarët: Nëse s’vihet drejtësia, do bëjmë vetëgjyqësi

polic-sarandeMes lotëve dhe dhimbjes kanë përcjellë në banesën e fundit 44-vjeçarin Artan Hoxha, baba i dy fëmijëve, por për familjarët tronditja është mjaft e madhe. I dashuri i tyre mbeti i vrarë në vendin e punës, një pikë karburanti në Sarandë, gjatë një grabitje me armë.

Të gjithë kanë mbetur të shokuar nga ngjarja, familjarë, miq e shokë. 44-vjeçarin ata e përshkruajnë si njeri të qetë, punëtor e të dashur. Gruaja e tij, Zana Hoxha rrëfen mes dhimbjes, se bashkëshorti i saj i ndjerë punonte shumë për të siguruar para për familjen, dhe përpiqej të mundësonte blerjen e ilaçeve për vajzën e sëmurë, 15 vjeç. Ndërsa, djalin 22-vjeçar e kishte marrë me vete tek puna, për të nxjerrë edhe ai sadopak të ardhura. Jeta për ta nuk ishte e thjeshtë, pasi kushtet në të cilat jetojnë janë të vështira.

Ndërsa, vëllai i Artan Hoxhës, i cili ka marrë me qira një lavazh pranë karburantit ku mbeti i vrarë 44-vjeçari, i bën apel organeve të drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Ndërsa në të kundërt ai thotë se: “Nëse drejtësia nuk flet siç duhet, atëherë do bëj vetëgjyqësi”.

NGJARJA:

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.55 të së dielës, kur një person që drejtonte një motor të kuq dhe me skafandër në kokë ka hyrë në lokalin e karburantit ku punonte Artan Hoxha, 44-vjeç, banues në fshatin Gjashtë. Në ato momente në lokal ndodheshin dy punonjësit e lokalit dhe punonjësi i karburantit, Artan Hoxha, i cili qëndronte vetëm, disi i përgjumur. Nën kërcënimin e një arme gjahu, çifte, grabitësi ka arritur të marrë rreth 60.000 lekë të reja nga banakieri. Teksa po largohej, ai ka marrë cigare dhe çamçakëzë në ekspozitor, por i kanë rënë në tokë disa nga paratë që mbante në dorë. Pasi ka marrë nga toka paratë dhe teksa po dilte, nga tavolina ka lëvizur 44-vjeçari Artan Hoxha.

Lëvizja e tij e ka trembur grabitësin, i cili e ka goditur pa paralajmërim drejt e në gjoks dhe është larguar me vrap duke marrë motorin për të dalë në rrugën kryesore me drejtim qytetin e Sarandës. 44-vjeçari Hoxha është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, por ka mbërritur i vdekur.

Përmes pamjeve filmike të karburantit dhe bizneseve fqinje, por edhe dëshmive, është arritur në identifikimin e të dyshuarit, pikërisht shtetasit Arqilea Koçi, 27-vjeç, banues në Qeparo, i skeduar si përdorues i lëndëve narkotike. Hetimet e shpejta kanë konkluduar edhe në zbulimin e lidhjeve shoqërore të të dyshuarit, konkretisht në emrin e mikut të tij, Mihal Leka, 33vjeç, banues në Sarandë. Policia ka ushtruar menjëherë kontroll në banesën e këtij të fundit në lagjen nr.4 të Sarandës, ku ka zbuluar armën e krimit, motorin, skafandrën dhe një sasi të vogël lënde narkotike, por jo Lekën dhe të dyshuarin e vrasjes, Arqilea Koçi.

Për këtë është organizuar një tjetër operacion, disa dhjetëra metra larg banesës, konkretisht në një hotel për të cilin ishte marrë informacion se fshiheshin dy shokët. Operacioni ka rezultuar i suksesshëm, duke çuar në arrestimin e 27-vjeçarit Arqilea Koçi dhe 33-vjeçarit Mihal Leka. Brenda në dhomë policia ka gjetur dhe sekuestruar një pjesë të parave të grabitura si dhe një fishek çifteje në rrobat e autorit. /News24/

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Kapet çifti i hajdutëve në kryeqytet, ja lista e vjedhjeve

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë, pasi akuzohen për disa ...