Vranë bashkëfshatarin për gështenja, motër e vëlla: Si ndodhi krimi

UntitledAkuza ndaj Indrit Ndoci për “Vrasje me dashje”, ndërsa Xhoana Ndoci për “Kanosje”, ndaj bashkëfshatarit të tyre për gështjenja, ka shkuar në gjykim. Mësohet se Prokuroria e Rrethit Kurbin dërgoi dosjen e të riut që vrau për gështenja bashkëfshatarin e tij. Ngjarja e rëndë e cila ka ndodhur më 12.10.2015 në lagjen “Lester” të fshatit Gallatë në Kurbin, u qëllua për vdekje Ndrec Preni, i cili kishte shkuar për të mbledhur gështenja.

NGJARJA
Gjatë shpjegimeve të para nga kunata e viktimës, shtetasja Eljona Preni, rezulton se rreth orës 7:00, ajo bashkë me kunatën tjetër Pashkë Prenin, dhe me Ndrec Prenin (viktimën), kanë vajtur për të mbledhur gështenja në vendin e quajtur “Lajthia e Madhe”, në fshatin Lester. Te një shesh ku do mblidhnin gështenja janë takuar me shtetasen Xhoana Ndoci (Xhuli), e cila mbante një armë gjahu çifte në dorë, e cila sapo i ka parë u ka thënë “ku po shkoni, dilni se është toka jonë” dhe ka qëlluar me këtë armë një herë në ajër. Gjatë kësaj kohe, 20 metra larg Xhoanës, vëllai i kësaj të fundit, Indrit Ndoci, ka qëlluar me automatik në ajër. Më pas, Indriti i ka thënë motrës së tij, Xhoanës, “largohu/ hapu” dhe ka qëlluar në drejtim të Ndrecës, duke e vrarë atë në vend. Sipas deklarueses, motivi i ngjarjes është një konflikt i mbartur pronësie lidhur me pyllin me gështenja në vendin e ngjarjes, i quajtur “Lajthia e Madhe”, në fshatin Selitë, Lester, ku të dyja palët në konflikt kanë pretendime mbi pronësinë e këtyre gështenjave. Në të njëjtën mënyrë e shpjegon ngjarjen edhe shtetasi Alfons Palaj, i cili ka qenë prezent në momentin e ngjarjes.
MOTRA E VRASËSIT
Gjatë marrjes në pyetje lidhur me këtë ngjarje, shtetasja Xhoana Ndoci ka shpjeguar se rreth orës 06:30, ka vajtur tek ara në pyllin me gështenja, duke marrë me vete edhe një armë gjahu çifte, të cilën sipas saj e kishte fshehur në një ferrë. Pas disa minutash, në atë vend ka vajtur Ndrec Preni bashkë me dy kunatat e tij, Elona Prendi dhe Pashkë Prendi, për të mbledhur gështenja. Pasi janë afruar rreth 30 metra, Xhoana iu ka thënë atyre që të largoheshin nga andej, por kësaj thirrjeje ata nuk i janë bindur dhe kanë vazhduar të ecin në drejtim të saj. Në këto momente, pretendon Xhoana, Ndreca e ka fyer, dhe pikërisht në këtë moment, ajo shpjegon se ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të Ndrecës dhe e ka vrarë në vend atë. Shtetësja në fjalë shpjegon se në ato momente në atë vend nuk ka pasur persona të tjerë nga familja e saj apo e fisit të saj dhe se në këtë vend nuk ka parë nëse kanë qenë të pranishëm edhe shtetasit Fatjon dhe Nikoll Ndoci. Në bazë të veprimeve të para hetimore të kryera, referuar edhe shpjegimeve të saj, më datë 12.10.2015, ora 19:45, shërbimet e policisë gjyqësore kanë arrestuar në flagrancë shtetasen Xhoana Ndoci, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 e 25 të Kodit Penal. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata Kurbin, me vendimin nr.1030-167, datë 16.10.2015, ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetases Xhoana Ndoci, dhe ka caktuar ndaj saj masën e sigurimit “arrest në burg”, me afat 15 ditë, parashikuar nga nenet 238 dhe 245 “ç” të K. Pr. Penale, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/ e 25 të Kodit Penal, duke lënë për detyrë të kryhen ekspertimet tekniko-balistike të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes si dhe ekspertimi mjekoligjor i viktimës, a veprime të tjera që sqarojnë pozitën e të arrestuarës Xhoana Ndoci, karshi veprës penale të “vrasjes”.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori, e arrestuara Xhoana Ndoci ka shpjeguar se nuk është ajo që e ka bërë vrasjen, por në momentin që ajo ishte duke u konfliktuar me Ndrec Prenin, ka dëgjuar krisma arme, të cilat vinin nga drejtimi ku ishte vëllai i saj, Indrit Ndoci, dhe po në këtë moment ka parë Ndrecën që është rrezuar përtokë dhe është vrarë. Ajo ka deklaruar se kishte marrë përsipër vrasjen me qëllim për t’iu shmangur ndonjë hakmarrjeje që familjarët e viktimës mund të bënin atë ditë ndaj vëllait të saj të vetëm, Indrit Ndocit.
MASAT
Referuar veprimeve hetimore të kryera, mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata Kurbin, me vendimin nr.1130-176, datë 31.10.2015, ka caktuar ndaj shtetases Xhoana Ndoci masën e sigurimit “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale. Gjatë dinamikës së punës së policisë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, në orët e para të mëngjesit, të nesërmen e ngjarjes, dhe konkretisht më datë 13.10.2015, ora 02:00, autori i veprës, Indrit Ndoci, pasi ka njoftuar Komisariatin e Policisë se kërkonte të dorëzohej, është vetëdorëzuar në polici, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit me të cilën ka kryer vrasjen. Me procesverbalin e datës 13.10.2015, ora 07:00, shërbimet e policisë gjyqësore kanë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit të dorëzuar nga shtetasi Indrit Ndoci, “pushkë 10- she”, me nr. të stampuar 14129048, dhe që në shulin e saj ka të stampuar numrin 29048, me 6 fishekë mod. 56 kal. 7.62 m/m, në gushën e armës. Gjatë shpjegimeve të tij rreth ngjarjes, si para policisë gjyqësore ashtu dhe para prokurorit, shtetasi Indrit Ndoci ka pranuar se ka vrarë me armë zjarri pushkë, shtetasin Ndrec Prendi.

Ai ka shpjeguar se rreth orës 06:00, ka dalë nga shtëpia dhe ka vajtur në fshatin Selitë për të shkuar te toka e tij që ka në pyllin me gështenja, duke marrë me vete edhe një armë zjarri pushkë 10-she. Kur ka vajtur tek ara, në atë vend, kanë ardhur Arben Prendi dhe Ylli Prendi, të cilët sipas tij ishin të armatosur me pistoleta, dhe ai ka qëlluar dy herë në ajër për t’i trembur, dhe për këtë shkak Ylli dhe Arbeni janë larguar nga atje për në banesat e tyre. Më pas, rreth orës 7:00, në atë vend ka vajtur Ndrec Preni bashkë me dy kunatat e tij, Elona Prendi dhe Pashkë Prendi, për të mbledhur gështenja, të cilët kanë ndaluar në mesin arës/livadhit. Tek ata është afruar motra e Indritit, Xhoana Ndoci, e cila ka debatuar me Ndrecën që ai të largohej nga ai vend, por sipas Indritit ky i fundit e ka fyer dhe e ka kapur për flokësh Xhoanën. Indriti shpjegon se ka qenë i ulur në cepin e arës, te një gështenjë, dhe duke parë këtë skenë, ka qëlluar me armën e zjarrit që kishte me vete rreth 70 metra larg tyre, me qëllim që të largoheshin nga motra e tij dhe të mos e godisnin më, ku njëra nga predhat e ka goditur për vdekje Ndrecën. Pas këtij momenti, Indriti shpjegon se është larguar bashke me armën e krimit, me qëllim për t’ju shmangur ndonjë hakmarrjeje të mundshme, derisa në orët e para të mëngjesit është vetëdorëzuar në polici, duke dorëzuar edhe armën e krimit. Sipas tij, motivi i ngjarjes është një konflikt i mbartur pronësie lidhur me pyllin me gështenja, në vendin e quajtur “Lajthia e Madhe”, në fshatin Selitë, ku të dyja palët në konflikt kanë pretendime mbi pronësinë në këtë vend.

Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

policia-tirane

Mbahet peng e masakrohet një person në Tiranë, arrestohet autori

Një person është masakruar me dhunë fizike dhe është mbajtur peng për ...