Universitetet/ Dita e fundit e regjistrimit, Ekonomiku thërret maturatët poshtë vijës për kuotat bosh

universitetiSot është dita e fundit e regjistrimeve në universitet. Por, edhe pse shënon data 1 nëntor, në universitetet publike janë me mijëra kuota të parealizuara, të cilat as sot nuk do të plotësohen, pasi në shumë programe studimi nuk ka më kandidatë. Shtyrja e afatit të regjistrimeve nga Ministria e Arsimit rezultoi se në shumë universitete nuk kishte vlerë, për shkak se tejzgjatja e regjistrimeve solli edhe ezaurimin e listave të aplikantëve. Në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, dekani i fakultetit ka deklaruar për “GSH” se i ka gjetur një zgjidhje ezaurimit të kuotave të lira. “Ditën e martë, më 1 nëntor, ne kemi njoftuar të gjithë kandidatët që janë poshtë vijës së fituesve të shpallur në fazën përfundimtare 31-tetor-1 nëntor, që të mblidhen në Fakultetin e Ekonomisë në orën 18:00, dhe kuotat e lira do të plotësohen me këta kandidatë. Ne nuk do t’i djegim kuotat, por do t’u japim mundësi atyre kandidatëve që janë në listat e pritjes që të mund të regjistrohen”, – theksoi dekani i Ekonomikut, Dhori Kule.

Kuotat e lira & Zgjidhja
Në Universitetin e Tiranës, sipas portalit të Rrjetit të Akademikëve Shqiptarë, rezultojnë të jenë ende të lira 540 kuota. Numrin më të madh e kanë Shkencat e Natyrës, pasi ende pa u shtyrë afati i regjistrimeve nga MAS-i, në këtë fakultet kishin përfunduar kandidatët në listat e pritjes. Më pas renditet Fakulteti i Ekonomisë, me 83 vende të lira. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, duke qenë se në listat e pritjes vijojnë të ketë ende kandidatë që nuk kanë fituar, ka gjetur një zgjidhje për plotësimin e kuotave brenda ditës së fundit të regjistrimeve, e cila është data 1 nëntor 2016. “Pas raundit të fundit të regjistrimeve, në datat 29 dhe 30 tetor, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, kanë mbetur ende 83 kuota të paplotësuara, përkatësisht 18 në degën Financë, 36 në degën Administrim Biznes, 7 në degën Informatikë Ekonomike dhe 22 në degën Ekonomiks. Normalisht, paraditen e së martës do ketë regjistrime, por nuk pritet të jenë më shumë se 20 të tilla. Ndaj ne kemi vendosur që kuotat e paplotësuara t’i plotësojmë me kandidatët që i kemi poshtë vijës së kuqe. Ne kemi nisur që ditën e hënë duke i njoftuar nëpërmjet email-it kandidatët poshtë vijës, ndërsa të martën paradite do t’i njoftojmë edhe nëpërmjet telefonit që të paraqiten në Fakultetin e Ekonomisë. Ne besojmë se ezaurimin e kuotave do ta bëjmë mbrëmjen e datës 1 nëntor. Në disa programe kanë mbetur vetëm 20-30 kandidatë, nuk ka shumë; Biznesi ka më tepër kandidatë në pritje”, – sqaron dekani Kule.

Po ashtu, ai thekson se tejzgjatja e regjistrimeve solli deformimin e cilësisë së kandidatëve fitues, por se kjo gjë do korrigjohet vitin që vjen nëpërmjet transferimeve. “Tejzgjatja e regjistrimeve dhe paniku që i kapi kandidatët se mos mbeten pa shkollë, sollën një deformim të cilësisë së kandidatëve që janë pranuar. Por këtë gjë do ta riparojmë nëpërmjet transferimeve. Ne kemi vendosur që vitin tjetër, ata kandidatë që na kanë ikur në fakultete analoge, pra në fakultete ekonomie, do t’i marrim nëpërmjet transferimeve. Këtë gjë po e bëjmë, pasi na kanë ardhur shumë kandidatë që na kërkojnë të transferohen këtë vit, pasi nuk e dinin se do ulej vija dhe atyre do t’u vinte radha të regjistroheshin në Ekonomikun e UT-së”, – sqaron Kule. Sipas tij, ky deformim erdhi me regjistrimet e bëra pas datës 16 tetor, pasi, siç thekson Kule, “në valle hynë institucione që nuk parashikohen në ligjin e arsimit të lartë”. “Janë dy linja pranimi. Në pranimet në master u zbatua ligji dhe nuk ka pasur asnjë ankesë apo protesta. Ndërsa në pranimet e bachelorit pati dhe vijon të ketë kontestime pasi nuk u zbatua ligji. Universiteteve, të drejtën që u jep ligji pas regjistrimeve të studentëve të fazës së dytë, pra deri më datë 16 tetor, ua morën institucione që nuk janë të përfshira fare në ligjin e arsimit të lartë”, – përfundon dekani Kule.
(Gazeta Shqiptare)

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Tiranë/ E dhunoi vjehrri, dhëndri merret në mbrojtje nga policia

Një 69-vjeçar me incialet S.T. është denoncuar pasi dyshohet se ka ushtruar ...