Dita e katërt e protestave kundër presidentit të zgjedhur Donald Trump

Bota

prpotestaaaProtestat kundër fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale vazhduan për të katërtën ditë në disa qytete të Shteteve të Bashkuara.

Protesta që zgjati deri në orët e para të ditës së sotme në Portland, të Oregonit, u bë e dhunshme, ndërsa aktivistët frikësohen se presidenca e zotit Trump do të cënojë të drejtat civile në SHBA. Organizatorët thanë se do të organizojnë tubime të tjera në ditët e ardhshme.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Qindra protestues marshuan darkën e së premtes në rrugët e qytetit Portland, duke bllokuar rrugët dhe përdorur bojë për mbishkrime.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese, pasi protestuesit hodhën objekte me zjarr ndaj policisë. Autoritetet thanë se gjatë protestës pati vandalizëm dhe sulme, megjithëse organizatorët kishin thënë se do të ishte një tubim paqësor.

Sipas një dëshmitari, policia në Oregon plagosi me armë në këmbë një protestues në orët e para të së shtunës. Në Los Angelos, policia njoftoi se arrestoi 185 persona, pasi bllokuan disa nga autostradat kryesore.

Mbrëmë në qytetin e Nju Jorkut, qindra njerëz u mblodhën në parkun Washington Square në “tubimin e dashurisë”. Ata mbartnin parulla kundër tij dhe thërrisnin “Donald Trump largohu” dhe “ai nuk është presidenti im”.

Në qendër të Manhatanit, demonstrues të tjerë u mblodhën pranë rezidencës së presidentit të zgjedhur, një apartment luksoz tripleks, i cili mbrohet tashmë nga një kordon kamionësh më rërë. Demonstruesit u mbajtën në distancë, një bllok më larg.

Qindra njerëz u mblodhën në një tubim anti-Trump në qytetin Miami, ku thërrisnin “jo Amerikës raciste”. Demonstrata të tjera u mbajtën në Atlanta, Georgia, dhe në Universitetin Vanderbilt në Tennessee.

Në Philadelfia, rreth 100 studentë të Universitetit Temple marshuan drejt bashkisë për të shprehur shqetësimin e tyre se presidenti i zgjedhur Trump nuk do ta bashkojë vendin, por do ta përçajë atë.

Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, këto ditë janë shfaqur incidente racore në disa shkolla dhe universitete amerikane, ndër to edhe shfaqje publike të supremacistëve të bardhë.

Zoti Trump u është përgjigjur protestave me dy mesazhe të ndryshme në Twitter. Fillimisht, ai u ankua të enjten se “protestues profesionistë, të nxitur nga mediat, po protestojnë. Shumë e padrejtë!”.

Megjithatë, ai shkruajti të premten se: “Më pëlqen fakti që grupe të vogla demonstruesish kanë pasion për vendin tonë. Do të bashkohemi të gjithë dhe do të jemi krenarë!”.

Tubime të tjera kundër zotit Trump janë planifikuar të mbahen sot në Nju Jork, Las Vegas dhe Los Angeles.

Valët e protestave filluan pak orë pasi fitorja e tij ndaj ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton u konfirmua në orët e vona të së mërkurës. Demonstratat ka patur çdo ditë në disa qytete amerikane.

ME TE LEXUARAT