Ministri Tahiri: Situata është e vështirë, sërish reshje në mbrëmje dhe gjatë natës

Aktualitet

tahiri2016Në një prononcim për mediat Ministri Tahiri u është përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit.

"Eshtë një situatë e vështirë por nuk na gjeti të papërgaditur. Të gjitha institucionet janë në gatishmëri"u shpreh Tahiri:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Prononcimi:

Pyetje: Si paraqitet situata? Jeni në terren dhe media raporton të paktën 3 viktima nga ky bilanc.

Ministri Tahiri: Së pari më lejoni të them që është një situatë e vështirë për shkak të kushteve të motit, por që nuk na gjeti të papërgatitur. Që në datë 4 janë ngritur Shtabet e Emergjencës në çdo qark të vendit. Prefekti dhe të gjitha institucionet kanë marrë masat paraprake për të parandaluar çdo ngjarje të rëndë.

Në dallim nga të gjitha herët e tjera, të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë, në mënyrë që infrastruktura strategjike, kritike dhe të gjitha institucionet që kanë kontribut themelor në garantimin e jetëve dhe shëndetit të njerëzve të jenë aty, në çdo cep të Shqipërisë, për të bërë gjithçka që është e mundur për të përballur një situatë të shkaktuar nga reshje në fakt të pazakonta.

Gjithsesi, në momentin që flasim, janë dy qytetarë që kanë humbur jetën.

Njëri në Tiranë, dhe strukturat përkatëse po punojnë për të gjetur shkakun por besojmë të jetë si shkak i përmbytjes. Dhe një qytetar tjetër në Qarkun e Dibrës, i cili ka neglizhuar thirrjet e vazhdueshme të Emergjencave Civile, institucioneve përkatëse, Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shmangur aq sa është e mundur lëvizjet e panevojshme, dhe me sa kuptojmë (tani për tani gjithçka është në zhvillim e në hetim e sipër) ka kërkuar të kalojë lumin me makinë.

Gjithsesi kjo është situata paraprake. Ajo që është e rëndësishme është që është një situatë e vështirë që duhet përballuar bashkë me qytetarët. Unë gjej rastin t’i falënderoj për mirëkuptimin. Gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën: janë mbi 7 mijë telefonata në gjithë Shqipërinë për situata emergjence. Ashtu siç gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën që i kanë dhënë njëri-tjetrit në situata të tilla të pazakonta dhe të vështira për të gjithë ne.

Institucionet janë në gatishmëri të plotë. E gjithë qeveria është në gatishmëri të plotë.

E gjithë Policia e Shtetit në gatishmëri të plotë. Çdokush që mund të japë kontribut në këtë kuadër është në krye të detyrës që prej datës 4 për t’u përballur me këtë situatë. Me rekomandim të Emergjencave Civile Ministria e Brendshme ka kërkuar pezullimin e mësimit për të gjithë sistemin arsimor në Republikën e Shqipërisë për të shmangur situatat të vështira me fëmijët dhe nxënësit. Në qoftë se situata do të vazhdojë kështu do kërkojmë që pezullimi i arsimit të vazhdojë dhe për nesër.

Për ne është e rëndësishme sot, në këtë moment, garantimi i jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë, në çdo cep të Republikës së Shqipërisë. Më pas, kemi filluar që tani, me strukturat përkatëse të Emergjencave Civile, të Policisë së Shtetit, Zjarrfikëseve, të Njësive Vendore, të Prefekturave. Kemi filluar me evidentimin paraprak të dëmeve në banesa, në pasuri, gjënë e gjallë, për qytetarët në çdo bashki dhe në çdo komunë.

E ritheksoj është një situatë e pazakontë që nuk na gjeti të papërgatitur. Qeveria është në gatishmëri, institucionet janë në gatishmëri, Shtabet e Emergjencave janë në gatishmëri. Po përballohet deri tani situata. Fatmirësisht duket që po shkojmë drejt përmirësimit. Por, në rast se shkojmë me kushte të rënduara të motit, patjetër që gjithçka do jetë në vlerësimin tonë maksimal, për të garantuar që, - dhe kjo është më themelorja, - të mos kemi humbje të jetës apo dëmtim të shëndetit të qytetarëve.

Pyetje: Z. Tahiri disa kohë më parë keni folur që, fondi i emergjencave është i ulët dhe i pamjaftueshëm në raste situatash të atilla? Sot ndodhen këto para për të përballuar situatën?

Ministri Tahiri: Unë kam folur disa kohë më parë për gjendjen e Rezervave të Shtetit. Dhe sot janë në gjendjen e tyre më optimale, për të garantuar në të gjitha situatat e mundshme, ose të paktën për të shmangur mungesat themelore në lidhje me situatën e emergjencave. Nuk jemi fare aty, nuk është kjo situata.

Pra, nuk jemi para një emergjence të shpallur. Është një situatë kritike, shqetësuese për disa zona të vendit. E ritheksoj, ne ishim të përgatitur, kjo edhe nga pikëpamja e parashikimit dhe masave paraprake për të parandaluar çdo ngjarje.

Unë dua edhe njëherë t’i bëj thirrje qytetarëve, në të tilla situata të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të kursejnë veten, vetëm për lëvizje që janë absolutisht të domosdoshme.

Në këto situata kërkohet kontributi i të gjithë atyre që mund të shërbejnë për të garantuar shëndetin dhe jetën e tyre dhe pastaj të familjes së tyre. Në këto raste nevojitet që të gjithë qytetarët të kuptojnë se, situata të tilla kritike për shkak të kushteve të pazakonta të motit, kërkojnë kontributin e të gjithëve.

Ndaj dua t’i falenderoj edhe njëherë të gjithë qytetarët që kanë njoftuar në numrin e emergjencës, ashtu siç dua të falënderoj të gjithë ata të tjerët që kanë dhënë kontribut konkret për të përballuar këtë situatë. Gjendja e vështirë vazhdon. Dhe me të kaluar momenti i emergjencës, patjetër duhet të merremi edhe me vështirësitë që le pas apo me problemet që mbeten pas.

Ju e patë, edhe këtu ka probleme që kanë të bëjnë me përmbytjen e shtëpive dhe po kështu, përmbytjen e bizneseve.

Strukturat vendore, prefekturat, strukturat e policisë, emergjencave civile, të gjithë bashkë janë angazhuar dhe do angazhohen menjëherë pas përfundimit të situatës së emergjencës për evidentimin e problematikave për shuarjen e problemeve që mund të kenë lindur për shkak të përmbytjes.

Por duhet ta bëj të qartë, kjo është një situatë që sa vjen për shkak të motit, aq vjen edhe për shkak të gabimeve historike që kemi bërë lidhur me zhvillimin urban dhe me sjelljen në raport me natyrën. Ndaj ne duhet të mbajmë mbi kurriz këtë barrë historike duke bërë gjithçka është e mundur për t’u përgatitur që të bëjmë maksimumin të shmangim pasojat në shëndet dhe akoma më keq në jetën e njerëzve.

Pyetje: A ka zona më problematike për të zhdëmtuar deri tani dhe ku janë ato?

Ministri Tahiri: Po, Emergjencat Civile kanë bërë publike të gjithë listën e zonave problematike. Tani është pjesa më e madhe drejt normalizimit, në rast se moti nuk ka përkeqësim. Parashikimi është që të ketë përkeqësim të motit në orët në vazhdim  dhe gjatë natës. Ndaj duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm të bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar shëndetin dhe jetën fillimisht dhe pastaj pasurinë dhe gjënë e gjallë, patjetër.

Por në këto momente që flasim situata është disi më e stabilizuar. Mbetet për t’u parë në orët në vijim. Moti është më kapriçioz sesa njerëzit. Ndaj na duhet që të jemi të gjithë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm.

Unë i ftoj qytetarët që të bëjnë kujdes dhe të lajmërojnë pranë numrave të emergjencës për çdo shqetësim që mund të kenë. Është e rëndësishme që të punojmë të gjithë bashkë për të përballuar situata të jashtëzakonshme që shkojnë përtej limiteve që ka çdo qeveri, në çdo vend të botës, për t’i administruar. Këto i bëjmë të gjitha bashkë.

Pyetje: Keni menduar për evakuime në raste të rrezikut?

Ministri Tahiri: Në momentin që flasim janë mbi 100 familje të evakuuara. Dhe Policia e Shtetit, strukturat e emergjencës, ushtria janë të gjitha të angazhuara për të evakuuar çdo familje që gjendet në rrezik. Dhe në momentin që flasim ka familje që evakuohen. Kjo varet nga kushtet, varet nga gjendja e emergjencës dhe rrezikut në momentin e caktuar.

Janë mbi 100 familje të evakuuara dhe kjo është për të shmangur çdo rrezik potencial. Gjithsesi mbetet për t’u vlerësuar në vazhdim. Unë këshilloj qytetarët të mos neglizhojnë asnjë lloj situate rreziku në raport me veten dhe në raport me fqinjët.

ME TE LEXUARAT