Shqiptarët rendin në dyert e Europës, ndersa vendi kërkon emigrantë

untitledNjë lajm i ri vjen nga Avokati i Popullit në seminarin Mbrojtja e Azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri në lidhje me nenet 3 dhe 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, i organizuar nga UNHCR dhe Këshilli i Europës.

Që prej fillimit të krizës migratore, ne Ombudsmanët kemi qenë mjaft të angazhuar në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të refugjatëve azilkërkuesve, të fëmijëve të vetmuar që lëvizin me këto flukse, apo për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar dhe ata që vuajnë nga kushte diskriminimi. Kemi diskutuar gjatë në nivel rajonal dhe global dhe kemi dalë edhe me qëndrime të përbashkëta, sikurse Deklarata e AOM-it për Krizën e Migracionit; Plani i Veprimit i Selanikut; Deklarata e Beogradit për Migracionin; Konkluzionet e Konferencës së Barcelonës, Deklarata e Parisit për Fëmijët dhe Krizën e Migracionit, dhe së fundmi Deklarata e Tiranës, produkt i një eventi ndërkombëtar i firmosur nga krerët e organizatave më të rëndësishme botërore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i dorëzuar në OKB pranë Sekretarit të Përgjithshëm të saj.

 

Këto dokumente, ky angazhim dhe, mbi të gjitha, misioni ynë human në mbrojtje të të drejtave të njeriut na obligon që të punojmë së bashku në këtë krizë globale të flukseve migratore. Më lejoni të ndalem në analizimin e shkaqeve të kësaj krize, të cilat përligjin përpjekjet dhe tentativat tona në funksion të mbrojtjes së këtyre njerëzve, të cilët janë të detyruar të braktisin një jetë të tërë, për të shkuar drejt një të panjohure, ndaj dhe ne kemi detyrimin t’i mirëpresim dhe t’i integrojmë në botët tona. Do të përpiqem të ndaj me ju në këtë takim ato debate dhe opinione që kemi zhvilluar përgjatë kësaj kohe me miq, kolegë, përfaqësues të rëndësishëm të diplomacisë ndërkombëtare, apo politikëbërës e vendimmarrës.

 

– Kjo krizë në thelbin e saj ka shumë shkaqe, si: konfliktet e armatosura, varfërinë, ndryshimet klimaterike, cenimin e të drejtave të njeriut.

 

– Duhet të pranojmë me keqardhje se gjatë kësaj krize u vërejt një dështim i madh i vendeve të tranzitit, në të cilat parimet e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe ato për azilkërkuesit, nuk u arritën të respektohen.

 

– Por çdo qeveri dhe çdo vend ka detyrimin që me firmosjen dhe aderimin në këto Konventa t’i respektojë ato dhe t’i vërë në zbatim, pavarësisht vështirësive me të cilat mund të përballet. Këto akte ndërkombëtare duhet të na shërbejnë të gjithëve jo vetëm për kohë të mira, por sidomos në periudha sfidash, kur vihen në provë vendosmëria, vullneti politik dhe humanizmi. Dhe qëllimi i miratimit të këtyre akteve ndërkombëtare është pikërisht zbatimi i tyre në kohë të vështira, kur njerëzit kanë nevojë më shumë se kurrë.

Në këtë krizë, të gjithë u bëmë dëshmitarë të ngritjes së mureve, a thua se po mbroheshim nga një armik i rrezikshëm që na cenonte lirinë. Në fakt, këto pengesa u ngritën për t’i zënë rrugën një popullsie që vraponte në panik për të shpëtuar jetën e fëmijëve dhe familjeve nga lufta dhe varfëria, nga diskriminimi dhe padrejtësia. Por këto mure, përveçse përbënin shkelje të të drejtave të njeriut, favorizuan dhe rritjen e trafiqeve njerëzore.

 

– Një tjetër dështim i madh ishte profilizimi dhe diskriminimi i migrantëve në kufij, si dhe mungesa e marrjes në mbrojtje të personave pjesëtarë të grupeve vulnerabël, si: fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar etj., të cilët u përballën me një trajtim aspak njerëzor apo dinjitoz.

 

– Mungesa e regjistrimit dhe respektimit të procedurave të azilit, si dhe kthimi i detyruar i migrantëve, ishin probleme të tjera që shoqëruan këtë krizë.

 

– E ndërsa kriza emigratore kërkonte një vëmendje të veçantë në respektimin e të drejtave të njeriut, ajo u trajtua në një këndvështrim krejt tjetër, si një krizë sigurie, duke u shndërruar realisht në një situatë pasigurie, me zgjidhje të munguara.

 

– Ndonëse në përmasa minore, edhe në Shqipëri u ndeshëm me raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, ku për rreth 10 ditë, shumë persona u vendosën në gjendje privimi nga liria në qendrën e mbyllur të Kareqit.

 

– Rreth 677 migrantë kanë hyrë në territorin e Shqipërisë përgjatë vitit 2016. Nga këta, vetëm 85 persona kanë kërkuar mbrojtje nga shteti shqiptar, e cila i është pranuar. Pjesa tjetër kanë kërkuar të kthehen në vendet e tranzitit nga kanë ardhur (kryesisht nga Greqia), për të vijuar më tej rrugëtimin e shpresës, për të arritur në vendet e destinacionit.

 

– Kjo gjendje duhet të marrë fund, dhe tanimë është momenti që të flasim për integrimin e refugjatëve në shtetet tona, duke u garantuar të drejta sikundër edhe për shtetasit e tjerë. Duhet t’u garantohet akses në arsim, në shëndetësi, punësim etj. Menaxhimi i krizës duhet të bazohet në respektimin e plotë të jonventave për të drejtat e njeriut dhe në respekt të tyre.

 

– Shqipëria është prekur pak nga kjo krizë dhe ka mbajtur një pozicion të ndërmjetëm, pa qenë plotësisht e hapur, por as edhe krejtësisht e mbyllur. Por edhe vendi ynë si firmëtar në Konventën për të Drejtat e Njeriut duhet të funksionojë tërësisht mbi të drejtat që sanksionon ky dokument i rëndësishëm. Institucioni që drejtoj nëpërmjet MKPT-së ka kryer monitorime dhe vizita të shpeshta në pikat kufitare hyrëse. Gjithashtu, një grup i posaçëm permanent dhe multidisiplinor është në punë e sipër. Gjatë inspektimeve që kanë kryer, është konstatuar se ka raste të vonesave në aplikimin e procedurave të azilit, mungesë përkthyesish për të intervistuarit, si dhe shkelje të parimit të moskthimit.

– Dokumentimi i kësaj veprimtarie është finalizuar përmes hartimit të një raporti të veçantë për institucionet shqiptare dhe Parlamentin, si dhe janë botuar dhe dy numra revistash të Avokatit të Popullit për sensibilizimin dhe informimin e publikut mbi këtë çështje. Institucioni ynë, që prej fillimit të kësaj krize ka bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e UNHCR, IOM, si dhe me organizatat e tjera që merren me të drejtat e migrantëve dhe azilkërkuesve. Gjithashtu kemi organizuar edhe konferenca të rëndësishme të nivelit ndërkombëtar.

 

– Në vijim të angazhimit tonë serioz mbi këtë çështje i jemi drejtuar me disa rekomandime kryeministrit, me qëllim që Shqipëria të përgatitej dhe të kishte në gatishmëri kapacitetet e saj pritëse, në rast të një fluksi të mundshëm drejt vendit tonë, si dhe të hapte dyert për të gjithë njerëzit në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, në respekt të obligimeve të Konventës dhe të drejtave të njeriut. – Sfidë mbetet krijimi i një netëork- u bashkëpunues, ku institucionet ofrojnë kontribute të veçanta dhe komplementare me njëritjetrin, dhe këtu nuk kam parasysh vetëm institucionet brenda një vendi, por ato rajonale dhe më gjerë, kryesisht të Mesdheut, si itinerari kryesor i këtij eksodi, që përfshin si vendet e origjinës dhe tranzitit, edhe një pjesë të vendeve pritëse. Deklarata e Tiranës, që miratuam në fillim të shtatorit të këtij viti, dhe detyrat e përcaktuara në të, kërkojnë vijueshmëri të punës dhe ndërveprim të përbashkët, në përmbushje të përgjegjësive që kanë shtetet karshi çdo individi. Ne u bëjmë thirrje shteteve: Të mirëpresin me solidaritet dhe humanizëm çdo qytetar të huaj që ka nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

 

Të kenë një qasje thellësisht humane në vendimmarrjet politike ndaj krizës migratore, të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe të adresojnë të gjitha shkaqet e kësaj krize, përfshirë ato politike, ekonomike-shoqërore dhe mjedisore; Të sigurojnë pajisjen me dokumentacionin bazë të nevojshëm të identifikimit për migrantët dhe refugjatët, që u krijojnë atyre mundësinë të jenë ligjërisht të identifikueshëm dhe të kenë akses ndaj proceseve administrative që lidhen me statusin e tyre në territorin e shteteve respektive. T’u garantojnë refugjatëve dhe migrantëve individualisht nga shtetet, akses efektiv në procedurat e azilit, pa asnjë diskriminim dhe pavarësisht kostove financiare përkatëse, përfshirë informacionin e plotë dhe shërbime përkthimi. Të respektojnë parimin e nonrefoulement të personave nga vendet që konsiderohen të sigurta, por që janë konkretisht në situatë risku. Të sigurojnë ndërveprim shumëplanësh kundër gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë, të cilat kanë pasoja negative për situatën e të drejtave të migrantëve dhe në të njëjtën kohë dëmtojnë vlerat dhe parimet themelore të diversitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqëritë tona. Të angazhohen për trajtimin e veçantë të të miturve të pashoqëruar në radhët e migrantëve, për garantimin e të drejtave të tyre themelore në përputhje me nevojat e tyre të veçanta dhe për të lehtësuar procesin e bashkimit familjar.

 

Të ngrenë nivelin e ndërgjegjësimit në radhët e forcave të policisë dhe sigurisë, në lidhje me situatën e personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe që gjenden në mënyrë të parregullt në territoret e vendeve tona. T

ë mundësojnë monitorimin dhe inspektimin e pavarur në qendrat e tranzitit nga ana e shoqërisë civile dhe organizatave të tjera të pavarura nga pushteti ekzekutiv, përfshirë edhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Të zhvillojnë politika që sigurojnë integrimin e migrantëve në jetën e vendeve pritëse përmes aksesit në strehim të përshtatshëm, arsimimin e fëmijëve, shërbimin shëndetësor dhe tregun e punës, si dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për mësimin e gjuhës së vendeve pritëse dhe vlerave të tyre themelore. Të drejtat e njeriut janë të drejta që duhet t’i gëzojë secili prej nesh, pavarësisht vendit apo rrethanave ku ndodhemi.

 

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Lirimi i “të fortit” të Durrësit, Prokuroria ankimon vendimin e Gjykatës

Prokuroria e Apelit në Durrës do të ankimojë në Gjykatën e Lartë vendimin ...