‘’Sherr’’ me shokun e skuadrës, reagon Sadiku: Penalltia më takonte mua

Sport

armando-sadikuSulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, ka qenë protagonist i një skene të rrallë në mbrëmjen e së enjtes në Ligën e Europës, teksa skuadra e tij, Zyrih, luajti në shtëpi kundër Vijarealit. Në minutën e 87-të, kur rezultati ishte 0-1 për spanjollët, skuadra zvicerane, ku përveç Sadikut bën pjesë edhe Burim Kukeli, fitoi një penallti. Në këtë moment, mesfushori Roberto Rodrigez mori topin në duar për t’u bërë gati për të gjuajtur nga pika e bardhë.

Por sulmuesi shqiptar kërkoi t’ia rrëmbente topin për ta goditur vetë penalltinë. Në atë moment, pati dy-tre shtyrje mes lojtarëve, por në fund pas këmbënguljes goditjen e mori përsipër zvicerani Rodrigez. Ky i fundit e shndërroi në gol atë penallti dhe Zyrihu arriti të merrte një pikë.

Mirëpo, përplasja në fushë mes Sadikut dhe Rodriguezit bëri një jehonë të madhe pas ndeshjes, duke u komentuar gjatë nga mediat zvicerane, e veçanërisht nga prestigjiozja “Blick”. Sadiku u pa tejet i mërzitur me gjestin që bëri shoku i skuadrës. Megjithatë, mesfushori Rodrigez, i pyetur se pse këmbënguli ta godiste penalltinë, duke mos ia lënë ta ekzekutonte sulmuesi Sadiku, dha këtë përgjigje: “Gjuajta unë sepse e kisha topin në duar dhe isha i bindur që do të shënoja. Kjo ishte e gjitha, nuk ka pse fryhet kaq shumë”.

Reagimi i sulmuesit

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Panorama Sport” kontaktoi dje me sulmuesin kuqezi, i cili përmes telefonit sqaroi gjithçka kishte ndodhur në momentin e penalltisë. Sadiku konfirmoi për gazetën se trajneri i Zyrihut, Uli Forte, ka vendosur që para fillimit të sezonit që ai të godasë penalltitë.

“Natyrisht që e bëra atë veprim, sepse kur jam në fushë, gjithmonë i gjuaj unë penalltitë. Në periudhën që kam qenë i dëmtuar dhe nuk kam luajtur për Zyrihun, ka qenë Rodrigez goditësi i penalltive. Më pas, kur u riktheva në fushë, normalisht më takonte mua të godisja nga pika e 11-metërshit. Ai e mori topin me forcë dhe unë ruajta qetësinë.

Në fakt, në atë moment i thashë dy-tre herë që jam unë ai që duhet të godas penalltitë. Mirëpo, Rodrigez kishte shumë dëshirë ta gjuante dhe e lashë. Të gjithë e dinë këtu te Zyrihu që i kam gjuajtur gjithmonë penalltitë, prandaj dhe bëra atë reagim. Natyrisht nuk ishte e mirë ajo që ndodhi, por nuk është faji im. Gjithçka tashmë i përket së shkuarës”, ka thënë sulmuesi.

Më pas sulmuesi foli edhe për rikthimin pas dëmtimit: “Tashmë ndihem mirë dhe po stërvitem shumë për të arritur formën maksimale. Përveç përgatitjeve me skuadrën, po punoj edhe me një trajner personal, duke bërë stërvitje ekstra”, tregon sulmuesi elbasanas.

Fakti që Zyrihu merr pjesë në grupet e Ligës së Europës mbetet një motiv i madh për Sadikun, që këtë sezon është i detyruar të luajë në Ligën e Dytë zvicerane. “Pjesëmarrja në grupet e Ligës së Europës është super. Jemi në një pozicion të mirë dhe ndeshja e fundit do të jetë si finale ndaj Osmanlisporit. Kush fiton, do të kualifikohet për më tej. Shpresojmë të kalojmë grupin dhe të vazhdojmë sa më gjatë në Ligën e Europës”, shtoi Sadiku, i cili në fund foli edhe për mundësinë e largimit në janar: “Kam edhe një vit e gjysmë kontratë me Zyrihun. Për momentin jam i kënaqur, por asgjë nuk është e sigurt sa i përket të ardhmes. Të shohim çfarë do të ndodhë”.

Trajneri

Trajneri i Zyrihut, Uli Forte, sqaroi për mediat zvicerane përplasjen e dy lojtarëve, duke zbutur gjithçka dhe marrë me sportivitet situatën. “Ne penalltitë i kemi të përcaktuara, por të dy futbollistët u aktivizuan në pjesën e dytë, ndaj dhe ndodhi ngatërresa. Gjithsesi, fakti që të dy donin të gjuanin, tregon se ishin të gatshëm të merrnin përsipër përgjegjësi”, deklaroi Forte

ME TE LEXUARAT