Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kryetarit të PD-së lulzim Basha, i cili e akuzoi Ramën se po vë në rrezik integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në një reagim në “Facebook” Rama i bën thirrje Bashës të mos kapë deputetë skutave për të bllokuar vendin, i kërkon të zhbllokojë Vetingun.
“Lulzim mos kap skutave deputetë të huaj për të sharë e për të bllokuar Shqipërinë po lexo rekomandimin e qartë të BE dhe zhblloko Vetingun!”- shkruan Rama.
Gjatë mbledhjes me krerët e degëve të PD në rrethe, Basha theksoi se mediat dhe politikanët e Evropës po flasin hapur dhe pa dorashka.
“Ky realitet që shqiptarët e përjetojnë përditë tashmë po vë në rrezik integrimin e vendit në BE. Vetëm një njeri në botë nuk e sheh realitetin dhe fshihet me vetëmohim, kryeministri aktual i vendit. Në vend që të reflektojë për gjendjen ku është zhytur vendi, për mesazhet e forta ka zgjedhur të vazhdojë avazin, trushplarjes dhe keqinformimin e shqiptarëve me regji qendrore”- tha Basha.