Rama: Piramidë e re pagash në administratë, 100 milionë USD për rritjen e rrogave

Politikë

rama-pagatQeveria ka prezantuar pasditen e kësaj të mërkure planin e saj për modernizimin e administratës publike, duke e vënë theksin tek rritja e rrogave për punonjësit e kësaj kategorie.

Duke marrë fjalën në këtë event, kryeministri Rama ka deklaruar se shërbëtorët e shtetit duhet të vlerësohen për kontributin e tyre në realizimin e reformave të qeverisë së tij.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Besoj se është momenti që të gjithë ata që i shërbejnë këtij shteti të ndajnë frytet e para të reformave dhe rritja e pagave nuk është thjesht e zakonshme, por është dhe një shpërblim i merituar për gjithë mbështetjen që ata i kanë dhënë reformës”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë me dije se, “qeveria ka vendosur që të spostojë nga buxheti i shtetit në atë të familjeve 100 milionë dollarë, për të rritur rroga e pensione”.

“Është hera e parë që hiqen kaq shumë para për administratën nga buxheti i shtetit”, ka thënë Rama.

Në vijim të fjalës së tij Rama i ka quajtur “përralla” pretendimet e opozitës se qeveria e tij ka rritur taksat. Ai ka theksuar se, në rreth 3 vjet e gjysmë kjo qeveri ka bërë shumë më tepër se qeveria e kaluar në 8 vjet, duke shpenzuar 540 milionë dollarë për fuqinë blerëse.

Më herët, ministri i Financave Arben Ahmetaj sqaroi se, pagat për administratën do të rriten 7 për qind dhe se fondi për këtë rritje shkon 7.2 miliardë në nivel 12-mujor.

“Ka një fond tjetër për transferimet nga administrata publike në atë lokale dhe është hera e parë që ka një shumë kaq të konsiderueshme në dispozicion të administratës publike, duke filluar nga mjekët e duke vazhduar me mësuesit, policët, ushtarët”, tha Ahmetaj.

Shefi i financave shqiptare nënvizoi se, paketa e rritjes do të ketë edhe një “fytyrë sociale” sa i përket pagave të ulëta. “Kjo rritje bazohet tek suksesi i reformës, tek rritja e pagave pa borxh”, shtoi Ahmetaj.

ME TE LEXUARAT