Rrëfimi i Edi Ramës: Ja si gjyshi im ortodoks, shofer i Zogut, e “rrëmbeu” gjyshen nga Shkodra në Durrës

Aktualitet

u39uedi-ramaKryeministri Edi Rama ka rrëfyer disa histori pikante familjare në galerinë “Marian Goodman” në Nju Jork. Një ndër to ishte se si u njohën dhe si u martuan gjyshi dhe gjyshja e tij, dhe si e pagëzuan nipin e tyre katolik dhe ortodoks njëherazi. Por, i ngacmuar nga pyetjet e drejtuesve të bisedës, Hans Obrist dhe Rirkrit Tiravanija, kreu i qeverisë ka treguar se si ka nisur të pikturojë në mbledhjet e mërzitshme të qeverisë “Nano”. Në tregimin e kësaj historie ai ka akuzuar ish-ministrin e Arsimit si ‘hajdut të artit të tij’.

Historia e saksofonit

“Na e trego pak historinë e saksofonit”, i tha organizatori i ekspozitës, Edi Ramës, që ishte përgatitur për një rrëfim të sinqertë në galerinë “Marian Goodman” në Nju Jork. “Ishim në Liceun Artistik dhe një shoku ynë flautist erdhi dhe na tha: ‘Doni të shikoni një saksofon?’ Ishte sikur të thoshe: ‘Do të shkosh në bordello?’ kur je adoleshent dhe ke vetëm imagjinatë. I thashë: ‘Sigurisht që dua të shikoj një saksofon’. Shkuam në shtëpinë e tij; ishte një eksperiencë shumë emocionuese, shumë erotike. Zemrat tona rrihnin fort. Një prej nesh bënte roje, ndërsa shkuam te rrobat e gjyshes së vdekur… Hiq rrobë pas rrobe… ishte zhveshja më e gjatë në jetën time… dhe më pas shfaqet ky trup i pabesueshëm dhe i bukur dhe ta prekje ishte e pabesueshme, pasi ishte e ndaluar”.

Kanoçet e ‘Coca-Cola’-s

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Kur im atë shkoi njëherë në Kosovë për të dhënë mësim, solli 5 kanoçe ‘Coca Cola’, që i ruajtëm në frigorifer. Ne ishim 5 pjesëtarë në familje dhe kanoçet nxirreshin një e nga një për secilën prej ditëlindjeve tona. Qëndronte aty në mes të tavolinës si diçka e pabesueshme dhe ne shijonim ‘Coca Cola’-n ngadalë e ngadalë”, – tregoi Rama.

Martesa e gjyshërve

“Gjyshja ime ishte katolike dhe shumë besimtare. Gjyshi im ishte ortodoks, por i pafe. Besonte vetëm te femrat dhe te makinat. Është histori e gjatë si u martuan. Por e bindi se kishte një makinë shumë të bukur dhe një gramafon. Babai i tij e nisi në Itali për t’u bërë intelektual, por ai mori të gjitha paratë në bankë dhe bleu një makinë. Dhe kur erdhi në Shqipëri u bë shoferi i kryetarit të bashkisë, se kishte një makinë më të mirë se e kryetarit të bashkisë. Kur kryetari i bashkisë shkoi te mbreti, mbreti pa makinën dhe i tha: ‘Sa bën?’ Ai i tha: ‘Është e shoferit!’ ‘Atëherë sill shoferin’. Dhe kështu u bë shoferi i mbretit. Dhe takoi gjyshen time që ishte katolike. Por familja e saj nuk do ta lejonte kurrë, se ai ishte ortodoks, ndaj bënë një “rrëmbim konsensual”. E mori në makinë nga Shkodra në Durrës. Kur po parkonin, ajo tha: ‘Ku jemi këtu?’ Ai: ‘Në shtëpinë time!’ ‘Jo, – i tha ajo. – Në hotel. Duhet të martohemi. Jam katolike’. Atëherë shkuan në hotel dhe më pas në kishë. Në kishë i thanë: ‘Jo, nuk mund të martohesh me të. Ai është ortodoks’. Ndaj ajo i shkroi Papës: ‘Ati im i shenjtë. Jam në hall. Më lejo të martohem me këtë burrë. Ai është ortodoks, por ai nuk beson në asgjë. Të lutem më lejo të martohem dhe betohem se të gjithë fëmijët e mi do jenë katolikë’. Dhe gjyshi thoshte ‘Bëj ç’të duash. Nuk më intereson se çfarë feje do të kenë fëmijët’. Kjo tregon shumë për ne. Ndaj dhe babai im, xhaxhai im ishin të gjithë katolikë. Por kur linda unë, ai (gjyshi) më çoi në një kishë ortodokse dhe më pagëzoi. Kur u kthye, i tha gjyshes: ‘Ti abuzove me dashurinë time. M’i bëre të gjithë fëmijët katolikë, por unë mora hak. E pagëzova këtë ortodoks!’ Por ajo i tha: ‘Më vjen shumë keq për ty që nuk e paske kuptuar. Ne vërtet jemi minoritet, por jemi më të organizuar. Unë këtë e kam pagëzuar katolik kur t’i flije gjumë’.

Dhe mua Papa më ka thënë: ‘Ti je katolik. Pjesa tjetër është ujë’. Kur erdhi në Tiranë, unë e pyeta për djalin tim. ‘Unë jam katolik, gruaja ime, Linda është myslimane. Po ai?’ Dhe Papa më tha: ‘Edi, unë e zgjidha dilemën tënde, atë lëre ta zgjedhë vetë’”.

Ministër i Fatos Nanos

“Në Këshillin e Ministrave ishte një torturë. Nuk i ndiqja dot, nuk kuptoja, dhe pikturoja gjatë të gjithë kohës mbi shkresa. Kisha ministrin e Arsimit në krah që gjithmonë në fund më pyeste: ‘Mund ta marr këtë?’ ‘Po – i thosha, – merre’. Një ditë shkoj në zyrën e tij, ndërkohë që akuzohej për korrupsion, dhe më tregon këtë koleksion. U ndjeva sikur kishte vjedhur artin tim. U ktheva në zyrën time dhe i them asistentes: ‘Ky duhet të jetë hajdut, njerëzit me siguri kanë arsye që e akuzojnë, se ai ka vjedhur artin tim’. ‘Mund ta marr, mund ta marr’… i kishte marrë të gjitha”. /GSh/

ME TE LEXUARAT