Dalin dokumentet e reja: Ja pse Nexhmije Hoxha ka qenë anëtare e Partisë Fashiste

nexhmije-hoxhaKa qenë apo jo Nexhmije Xhuglini, gruaja e diktatorit Enver Hoxha, pjesë e Partisë Fashiste. Në debatin e çelur në vigjilje të festave të Nëntorit, me publikimin e dokumentit që konfirmon anëtarësinë e saj në këtë parti, “Panorama” sjell sot të tjera argumente shteruese me gjetjet e historianit dhe studiuesit Kastriot Dervishi, ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, që u bë protagonist i debatit mediatik për lidhjet e panjohura të Nexhmije Hoxhës me Partinë dhe regjimin fashist.

Dervishi jo vetëm që konfirmon autenticitetin e dokumentit në fjalë, por shtjellon një mori raportesh që gruaja e diktatorit komunist ka pasur me regjimin fashist në vitet e luftës, por dhe më herët.

Zoti Kastriot, ditët e fundit keni publikuar një dokument që vërteton anëtarësinë në Partinë Fashiste të Nexhmije Xhuglinit. Në një reagim për mediat, kjo e fundit e mohon një fakt të tillë. Si qëndron e vërteta?

Faksimilen e dokumentit që konfirmon anëtarësimin e Nexhmije Xhuglinit në Partinë Fashiste, për herë të parë e kam publikuar në librin “Historia e lëvizjes komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së”, që kam botuar kohët e fundit. Qëllimi i ripublikimit në rrjetin social është pjesë e një rubrike që kam hartuar për paraqitjen herë pas here të dokumenteve thellësisht të panjohura. Dokumenti në fjalë është origjinal, pra nuk është as fotokopje e as i gjymtuar apo i cunguar. Vërtetësia e tij nuk është e diskutueshme. Fakti që nuk e pranon vërtetësinë e tij Nexhmija, është i kuptueshëm dhe nuk ka pse të merremi me gënjeshtrën e saj. Si rregull, dokumenti duhej të ishte në fondin nr.164 (Partia Fashiste) në Arkivin Qendror Shtetëror. Për fat të keq, ky dokument dhe qindra e mijëra të tjera janë zhvendosur apo shkatërruar për qëllime politike. Dokumenti në fjalë sot është pjesë e Arkivit të Partisë së Punës…

Pra, ju pohoni se pas luftës janë bërë seleksionime dokumentesh…

Më shumë se kaq, unë pohoj se janë bërë dëmtime të qëllimshme të dokumenteve. Menjëherë pas luftës, komunistët, veç dëmeve të shumta që i shkaktuan shtetit shqiptar, shkatërruan gjithë dokumentacionin që trashëguan nga “shteti borgjez”.

Ju jeni historian dhe njëherazi njohës shumë i mirë i arkivave. Çfarë keni konstatuar se mungon nga ajo periudhë në arkivat tona?

Gjatë punës disavjeçare në arkiva, por edhe nga konsultat me shumë kolegë e studiues, jam njohur me katastrofën arkivore që është shkaktuar në vitet 1944-1964. Skematikisht këtë mund ta përmbledh kështu:

-U prekën sekretari-arkivat në institucionet qendrore e vendore.

-U shkatërruan, dogjën, ngatërruan, prishën etj., të gjitha dokumentet që ndodheshin në këto sekretari-arkiva.

-U prish sistemi i administrimit të tyre. Gjendja u çua në kushtet e një shkatërrimi tërmeti apo lufte.

-U futën dokumentet nëpër thasë, duke dëmtuar unitetin e fondeve arkivore.

-U shitën për letra të vjetra, duke u dërguar në Jugosllavi e vende të tjera nëpërmjet magazinave të Durrësit e Vlorës.

-U hoqën gjithë arkivistët nga puna dhe u zëvendësuan me militantë apo analfabetë etj., etj. Qindra dosarë me dokumente u shkatërruan, u shitën për letër, u përdorën si mbështjellëse qoftesh etj. Përveçse komunistët nuk kishin asnjë ide sesi duheshin përdorur dokumentet, ishin të qartë vetëm në një pikë, që kishte të bënte me të kaluarën e individëve. Kërkimi nëpër dokumente për të gjetur të kaluarën e njerëzve mori përmasa shqetësuese në dy dhjetëvjeçarët e parë të regjimit, aq sa u bë “puna” e vetme në lidhje me dokumentet. Dosje të shumta formulare në ngarkim të “armiqve” u mbushën me dokumente origjinale, duke cenuar fondet arkivore ku ato administroheshin. Jo vetëm te rasti që po flas, por në përgjithësi, kam lexuar praktika që administroheshin nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ka pasur madje për këtë qëllim edhe udhëzim nga ministri i Punëve të Brendshme. Gjithsesi, kur haseshin dokumente për nivelin e lartë komunist, pra për anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byronë Politike, dokumentacioni i kalonte menjëherë sekretariatit të Partisë së Punës apo drejtpërdrejt Enver Hoxhës.

Ku synonin “hetimet” për qëllime biografike?

Partia e Punës, aparati i saj qendror krijoi ndër të tjera dosarët e rëndësishëm për njerëzit e saj me funksione të larta. Nuk bëhet fjalë këtu për dosjet e kuadrit, por për një kategori dokumentesh të rezervuara në atë kohë dhe të lejueshme vetëm për sekretarët e Partisë së Punës. Të dhënat e niveleve më të ulëta i mbante Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Kjo sepse Partia e Punës mbështetej fort tek ana biografike.

Ndërsa organet e Sigurimit të Shtetit përpilonin vërtetimin biografik ose vërtetimin e komplikuar biografik. Organet e partisë e kishin detyrë të përhershme të administronin vetëdeklarimet biografike, si dhe t’i hetonin ato. Në lidhje me periudhën para vitit 1944, dosarët që mbante Partia e Punës përfshinin dokumente nga:

-Drejtoria e Përgjithshme e Policisë (periudha e luftës).

-Partia Fashiste Kombëtare.

-Mëkëmbësia e Përgjithshme.

-Prefekturat, ministritë etj. Në vëmendje të organeve të kuadrit të Partisë së Punës ishin sidomos: -Anëtarët e Partisë Fashiste.

-Personat që kishin përfituar bursë shtetërore nga regjimi fashist. Në analizën e fakteve rezulton se një pjesë jo e vogël e anëtarëve të Partisë së Punës kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste në vitet 1939-1943.

Për këtë arsye, statusi i parë i Partisë së Punës i miratuar në vitin 1948, duke e njohur këtë fakt, parashikon se mund të bëheshin anëtarë të partisë ish-anëtarët e Partisë Fashiste, të Ballit Kombëtar apo Legalitetit “vetëm në raste speciale dhe me rekomandimin e 3 anëtarëve të partisë”.

Po ashtu, disa ministra të periudhës komuniste ishin arsimuar me bursë të dhënë nga regjimi fashist. Kjo krijonte te regjimi dyshimin e përhershëm të tyre se ata mund të ishin implikuar në veprimtari spiunazhi.

Nexhmija: S’kam firmosur asnjë dokument në Partinë Fashiste

“Mund të më jetë dashur ndonjë vërtetim, por unë nuk kam firmosur asnjë dokument anëtarësimi në Rininë fashiste dhe aq më tepër në Partinë Fashiste”. Ky ka qenë reagimi i parë i Nexhmije Hoxhës, pas publikimit të dokumentit që vërteton përfshirjen e saj në radhët e Partisë Fashiste.

“Në periudhën që bën fjalë dokumenti, unë kisha mbaruar provimet e maturës dhe më duhej të përgatisja dokumentet për emërimin si mësuese”, është shprehur gruaja e diktatorit për gazetën “Dita”. “Për këtë arsye, rreket të justifikohet ajo, mund të më jetë dashur ky vërtetim, por unë nuk kam firmosur asnjë dokument të tillë. Sa për kujtesë, shtjellon më poshtë e veja e Hoxhës, unë që nga viti 1936 kam qenë e organizuar në grupin komunist me Qemal Stafën. Në 4-7 prill të ’39-s kam marrë pjesë në demonstratat e rinisë së Tiranës kundër pushtimit nga Italia fashiste dhe në vazhdim, derisa u kërcënova me arrestim dhe kalova në ilegalitet.

Sa isha studente në Institutin e Vajzave në Tiranë, instruktorja italiane fashiste për gjimnastikën më dha notën 6, pavarësisht se në dëftesë të gjitha notat i kisha të larta, sepse nuk i shkoja në aksionet që organizonin fashistët për të bërë pako për ushtarët në front. Unë të gjitha këto i kam të shkruara në librat e mia të kujtimeve”.panorama

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

2 comments

  1. ik o legen historjan
    pse s dogji testren e partis t Nexhmies po tjet e vertet.
    ti ate te ppsh tenden. e ke ruajtur legen, se si dihet

  2. hahahaha, kjo eshte SHAKAJA E VITIT, ….Nexhmija anetare e partise fashiste?! Mos ka qene Nexhmija e fejuara e Duces se me Qemal Stafen e “fejoi” saliu? Ndonje perralle tjeter nga e kaluara? Wow!!!! U moren dokumentat neper thase dhe u cuan ne Jugosllavi dhe-“U futën dokumentet nëpër thasë, duke dëmtuar unitetin e fondeve arkivore.
    -U shitën për letra të vjetra, duke u dërguar në Jugosllavi e vende të tjera nëpërmjet magazinave të Durrësit e Vlorës.” Ne cilat vende te tjera o derman? Cilat shtete donin pacavuret e qeverise se ahmet zogut? Pas lufte Europa doli me shume se e rrenuar …Ti je nje mender historian. A ka edhe ndonje tjeter historian si ty aty ne Shqiperi?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Lirohet nga burgu 5 vjet para kohe Lul Berisha, kapo i Bandës së Durrësit

Gjykata e Apelit Durrës ka panuar të lirojë nga burgu Lulzim Berishën, ...