Nëna e Ilia Karelit: Rrëfimet e tim biri për torturat e policisë greke

nena-kareliResmije Kumi jeton e vetme në shtëpinë e mbushur me fotografitë e të birit që nuk jeton më.

Pas më shumë se 2 vitesh kur Kudret Kume ose i njohur ndryshe si Ilia Kareli humbi jetën me 27 mars 2014 në burgun grek si pasojë e dhunës së udhtruar nga gardianët. Nëna e tij i shtyn ditët mes pyetjeve pa përgjigje.

Drejtësia greke nuk e ka thënë ende fjalën përfundimtare për 12 punonjësit e burgut që e dhunuan barbarisht e më pas i hoqën edhe zemrën.

“Është një torturë e madhe. Çdo lloj torture iu punua atij. Të ma kishin vrarë me një plumb do të ishte shumë mirë. Po ato tortura që iu bënë unë s’i harroj derisa të vdes. Edhe kur erdhi nuk më linin që ta shikoja. Jo se më thonin që ka ndonjë gjë, por ‘lere mos e prek se zbulohet’. Ai ishte bërë çik-çik, nuk kishte më mish. E kishin copëtuar. Po zemra pse ju hoq?! Unë se besoj që ajo zemër që ka ardhur te jetë e tij. Pikë muhabeti. E çuan deri aty sa ia hoqën zemrën për së gjalli”, tregon mes dhimbjes Resmije Kumi.

Në telefonatat e fundit me të, Kudreti e kish rrëfyer për dhunën brenda në burg.

“Më thoshte se ‘po torturohem kot, më nxin jetën kot’”, tregon e ëma e Ilia Karelit.

Resimjes nuk i ka mbetur gjë përveç pengjeve dhe mallit.

“Këtu rri tërë ditën, i flas, i thërras, i them çfarë më bëre, i thosha mendo për nënën dhe për veten. Ta di që do ta takoj atje ku është ai, kisha ikur me sekonda. Ajo tortura e tij më lëndon më tepër. Kur i shoh ato momente kur e kapin ata dy policët, që i kanë rënë ato tutat dhe s’ka mundësi t’i ngrejë. Nuk e shikoj dot”, tregon Resmije Kume.

Në shtëpinë e saj nuk ka televizor dhe ka një arsye për këtë.

“Nuk dëgjoj e shikoj dot asgjë. Jam shumë e përvëluar për vete. Asgjë nuk dëgjoj dot“, vijon rrëfimin nëna e Kudret Kumës.

Ajo pret ende drejtësinë.

“Të marrin dënimin e merituar. Ose në qoftë se ata kishin të drejtë në atë që bënë, të lihën të lirë, por në qoftë se jo, dua që edhe ata si ky të bëhen, ta marrin vesh se si është dhimbja“, vijon Resmija.

Edhe pse kanë kaluar mbi 2 vite, Resmije Kume kapet pas çdo kujtimi të të birit. Numrin e tij në telefon e ruan ende.

“Nuk e fshij se më duket sikur ende flas me të. E marr e shikoj gjithmonë sikur e thërras. Çdo gjë të tijën dua ta mbaj, ta ruaj aty. Edhe një shami dore e mbaj”, tha Resmije Kume./ Top Channel

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

VIDEO/ Ekzekutohet me plumb në kokë shqiptari në Kanada

Një shqiptar është ekzekutuar me plumb në kokë në Toronto të Kanadasë. Policia ...