Kokëdhima kundër PS: Mbështes protestuesit kundër importit të mbetjeve

Politikë

kokedhimaaIsh-deputeti i PS, Koço Kokëdhima, shprehet se mbështet pa rezerva protestuesit, të cilët janë kundër importit të mbetjeve në vendin tonë. Kokedhima shpjegon, në një deklaratë në rrjetet sociale, se Shqipëria është e rrezikuar nga planet e eko-mafies europiane.

Statusi i Koço Kokëdhimës:

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Nuk do të doja ta shikoja këtë situatë, kur brenda në sallën e Parlamentit në shumicë janë deputetët e PS-së, ndërsa jashtë qëndrojnë dhe protestojnë kundër tyre aktivistët e mbrojtjes së mjedisit të Shqipërisë, të cilët në 2013 ishin aleatët tanë dhe mbështesnin PS-në, që ajo të vinte në pushtet. Plehrat në Shqipëri i futi qeveria e Berishës. Shumica e majtë i shfuqizoi ligjet e Saliut. Kthimi ynë në ligjet e të shkuarës së PD-së u vjen shumë për shtat deputetëve të opozitës dhe nuk mirëpritet në popull. Pavarësisht nga argumentet që prezanton shumica jonë, shoqëria civile , veprimtarët e mbrojtjes së mjedisit, socialistët e bazës dhe qytetarët shqiptarë nuk i besojnë këto argumente. Ata kërkojnë që ligji për importin e mbetjeve të refuzohet në mënyrë përfundimtare.

Ne kemi detyrim t'iu qëndrojmë besnik këtyre mbështetësve të së majtës, sepse në vitin 2013 u kemi dhënë fjalën që nuk do lejojmë import të plehrave e të mbetjeve në Shqipëri. Çdo import mbetjesh është edhe import plehrash, pavarësisht si mund ta sofistikojmë ne gjuhën. Në analizë të fundit çdo mbetje që përpunohet ka si mbetje të vetën, plehra të rrezikshme, të cilat duhet të groposen në tokën e Shqipërisë. Këta demonstrues janë heronjë dhe patriotë të pashoq, i duan shumë jetën, familjen nderin dhe atdheun. Ata kanë plotësisht të drejtë në kërkesat e tyre. Tri gjëra nuk duhet të lejohen të ndodhin në këto kushte në Shqipëri:

1) Nuk duhet të lejohet të importohen mbetje dhe plehra.

2) Nuk duhet të lejohet që përmes territorit të Shqipërisë të tranzitohen plehra apo mbetje të çdo lloji.

3) Nuk duhet të lejohet të ndërtohen inceneratorë për djegie të mbeturinave. Edhe ata që janë ndërtuar nuk duhet të lejohen të djegin. Të tjerë që janë në proces të mos lejohet të ndërtohen.

E kam shpjeguar edhe më përpara se PS nuk i meriton këto kosto. Në grupin e saj parlamentar ka shumë deputetë patriotë dhe njerëz të mirë, të ndjeshëm, me integritet dhe seriozë. Këta deputetë sigurisht që janë të shtrënguar të qëndrojnë në përputhje me atë, që udhëheqja e konsideron dhe e dikton si vendim politik të grupit parlamentar. Unë mbështes pa rezerva protestuesit. Shqipëria është e rrezikuar nga planet e eko-mafies europiane. Ajo rrezikon të mbytet në plehra edhe pa këtë ligj. Kur partitë politike të reformohen, kandidatët për deputet do t’i zgjedhë anëtarësia e thjeshtë e bazës së partive me "një anëtar, një votë" dhe jo kryetarët e partive siç bëhet sot. Atëherë demonstruesit dhe qytetarët e Shqipërisë do të ndihen dhe do të jenë të përfaqësuar në këtë Parlament".

ME TE LEXUARAT