Klement Balili në kërkim, zbulohet gjurma e fundit e tij

Aktualitet

eskobariGjuetia” e Policisë greke për Klement Balilin vazhdon. Shqiptari që akuzohet nga mediat e vendit fqinj si “Eskobari i Ballkanit” ndodhet në arrati, edhe pse tri ditë më parë dha një intervistë përmes avokatit, duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij. Burime zyrtare i thanë dje gazetës “Panorama” se pas akuzave të para që iu bënë Balilit në Greqi, në pranverën e këtij viti, nuk rezulton që biznesmeni të ketë dalë nga vendi. Nga ana tjetër, zyrtarisht sqarohet se në Shqipëri nuk ka mbërritur urdhërarresti i posaçëm për 46-vjeçarin Klement Balili, me precedentë të mëparshëm në mbajtje e transportim droge. Interpoli shqiptar duket se ka vetëm një njoftim të shkurtër që: “shtetasi Klement Balili duhet të arrestohet për akuzën e trafikimit të narkotikëve dhe për prangosjen e tij duhet të njoftohet Policia dhe Interpoli grek”.

Pikërisht ky njoftim mësohet se u është dërguar nga autoritetet greke qendrës së Interpolit në Lion të Francës. Më pas kjo qendër ka lajmëruar të gjitha vendet anëtare të Interpolit në lidhje me faktin se Klement Balili është në kërkim për trafik narkotikësh nga Policia greke. Burimet zyrtare kanë thënë se Policia e Prokuroria shqiptare nuk disponojnë ndonjë informacion apo material të palës greke tjetër në lidhje me biznesmenin. Ky i fundit i mohoi akuzat ndaj tij dhe tha për mediat greke se sulmohet politikisht nga ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, për të dëmtuar kreun aktual të qeverisë, Edi Rama.

NDODHET NË “SARANDË-­TIRANË”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pavarësisht se dosja ndaj biznesmenit Klement Balili është në Policinë greke dhe në Shqipëri nuk ka ardhur ndonjë provë apo material i saj, duket se i kërkuari ka lënë “një gjumë” që pas shpalljes në kërkim. Dhe kjo gjurmë daton në ditët e fundit të muajit gusht 2016, kur mes strukturave të Policisë së Shtetit ka qarkulluar një shkresë-informacion “sekret” në lidhje me kërkimet që ishin bërë dhe vendndodhjen e mundshme të Klement Balilit.

Sipas kësaj shkrese, nga informacionet e marra në rrugë operative, dyshohej se Klement Balili është “në aksin Sarandë-Tiranë”. Hetuesit e konsiderojnë këtë përshkrim të bërë në dokumentin e Policisë si mjaft evaziv, të paqartë dhe jo ndihmues në lidhje me lokalizimin e Klement Balilit. Më 10-11 maj 2016, mediat greke bënë me dije se Klement Balili, biznesmen dhe Drejtor i Transportit në Sarandë, ishte në kërkim për trafikimin në bashkëpunim të një sasie të madhe droge në Greqi. Policia greke tha se kishte përgjuar Balilin teksa fliste me grupin e trafikut të drogës duke përdorur pseudonimin “Kelly”. Pak ditë më pas, Balili u shkarkua nga posti që mbante, ndërsa Policia shkoi për ta marrë në pyetje, por nuk e gjeti në banesën e tij. Si rrjedhojë në Shqipëri nuk pati një hetim të mirëfilltë penal për biznesmenin në kërkim. Që nga ai moment, nuk rezulton që në sistemin TIMS biznesmeni të ketë dalë nga Shqipëria, ndërsa në intervistën e fundit për median greke çdo detaj mbi vendndodhjen e biznesmenit u mbajt sekret./panorama

ME TE LEXUARAT