“Ta këpus kokën si të zogut”, djali kërcënon me jetë nënën e tij

GJYKATAGjykata e Tiranës urdhëron Prokurorinë të vijojë hetimet për kallëzimin e një 65-vjeçareje kundër djalit të saj. Në qershor të këtij viti, e moshuara J. Allkoçi ka kallëzuar të birin për “kanosje”, por Prokuroria nuk ka vendosur mosfillim të procedimit penal.

E moshuara e ka kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën e Tiranës, duke pretenduar hetime të paplota. Në kallëzimin e saj, e moshuara ka pretenduar se ishte kërcënuar me jetë nga i biri.

Ajo ka rrëfyer se jeton vetëm me nipin e saj të mitur në shtëpi. Në paraditen e 7 majit, në dritaren përballë apartamentit të saj, në hyrjen tjetër ku jeton djali i saj Sh. Allkoçi, i ka thënë nga dritarja se “do t’i këpuste kokën si të zogut, do ta çonte në Tufinë dhe do ta mbyste me duart e tij”.
Ajo nuk u ka kushtuar vëmendje fare këtyre fjalëve dhe ka hyrë brenda në apartamentin e saj dhe nuk e ka ndjekur debatin më tej. Ajo ka sqaruar se i biri i ka krijuar konflikte të vazhdueshme, për shkak se ka vënë banesën e saj si garanci në një kredi, ndonëse ajo është munduar t’i shmanget konflikteve.

Nga ana e saj, Prokuroria ka vlerësuar se veprimi i kryer nga i kallëzuari nuk i përmbush kushtet për t’u konsideruar si formë e kanosjes. Sipas Prokurorisë, veprimet nuk kanë qenë të tilla në formë dhe përmbajtje sa t’i krijojë bindjen personit konkret se nga momenti në moment jeta apo shëndeti i tij mund të jenë në rrezik serioz.

Në vlerësimin e organit të hetimit, duke mos u konstatuar prezenca e ndonjë arme apo mjeti tjetër të fortë, nuk mund të konkludohet se kanosja ka qenë serioze. Ndryshe ka qenë vlerësimi i gjykatës, i cili në vendimin e shpallur më 1 nëntor 2016 ka shfuqizuar vendimin për mosfillim procedimi penal dhe ka urdhëruar Prokurorinë të vijojë hetimet.

Gjykata e ka vlerësuar konkluzionin e Prokurorisë dukshëm të përciptë dhe të paargumentuar. Sipas Gjykatës, Prokuroria nuk ka kryer veprime me karakter verifikues, mes të tjerave as nuk ka pyetur kallëzuesen J. Allkoçi./PANORAMA/

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Kush ia bllokoi Facebook-un Manjanit? Ministri flet për disa ‘katjushka’

Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani i është bllokuar faqja e tij në ...