Skandal me regjistrimin e tetë pronave, kallëzohen 12 zyrtarë në Devoll

Aktualitet

klshKontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori 12 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të regjistrimit të pronave në Devoll. Ne nje deklarate, KLSH bën me dije se regjistruesi, 5 ish-regjistrues dhe 6 specialistë të Zyrës së Regjistrimit të Pronave kanë regjistruar një sipërfaqe prej 652 ha pyll të në mungesë të dokumentacionit, në 8 raste kanë bërë regjistrimin e një sipërfaqe prej 71186 m2 në mungesë  të akteve administrativë që shërbejnë për të fituar Titullin e Pronësisë, në 2 raste për regjistrim pasurie janë bazuar në vendime gjyqësore me objekt “Vërtetim fakti”, kanë regjistruar sipërfaqen prej 3000 m2, e pakthyer nga KKKP.

Auditi është kryer nga periudha 1 janar 2012 deri më 31 dhjetor 2015. Zyrtarët e kallëzuar janë: E.M. me detyrë Regjistrues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, I.Rr., B.K., S.D. Y.B. dhe J.S., me detyrë ish-regjistrues, N.B. me detyrë jurist, V.B me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Hartografik/Hartograf,  D.B. me detyrë Jurist, Xh.K. me detyrë Jurist, M.L me detyrë juriste dhe R. K. me detyrë jurist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Rastet e shkeljeve sipas KLSH-së:

Kanë regjistruar Vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave Korçë për një sipërfaqe prej 652 ha me parregullsi dhe mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, pa u përcaktuar paraprakisht kufiri i Zonës Kadastrale me rrethin e Ersekës, statusi juridik i sipërfaqes së pa inventarizuar prej 97 ha, dhe pa patur të dhëna nga Drejtoria Shërbimit Pyjor, veprime këto në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, Udhëzimin Metodik nr. 76, datë 13.09.1999 “Për plotësimin e kartelave të pasurive të paluajtshme” dhe me Rregulloren nr. 184, datë 08.04.1999 “Për punën e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

Në tetë raste janë regjistruar sipërfaqe tokë bujqësore dhe kullotë 71186 m2, me mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, në kundërshtim me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, Udhëzimin nr. 76, datë 08.05.2003, UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit” dhe Rregulloren nr. 184, datë 08.04.1999.

Në 19 raste të shpronësimeve të bëra për ndërtimin e rrugës Bilisht-Kapshticë, sipërfaqja totale e të cilave arrin në 5647 m2, nuk është kryer asnjë veprim për kalimin e pronësisë së kësaj sipërfaqe në favor të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

Në 26 raste janë regjistruar më tepër 63350 m2 tokë bujqësore dhe janë lëshuar certifikata pronësie, pa veçuar e regjistruar “shtet” sipërfaqet e tepërta, në kundërshtim me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012, me UKM nr. 2, datë 13.06.2013 dhe me UKM Nr. 2, datë 13.01.2010.

Në një rast është regjistruar dhe është lëshuar certifikatë pronësie për një sipërfaqe të llojit pemëtore prej 920 m2 më tepër, duke korrigjuar AMTP-në.

Në tetë raste është regjistruar një sipërfaqe e llojit “tokë bujqësore” prej 18600 m2 më tepër se AMTP dhe janë lëshuar certifikata pronësie pa marrë masa që këto pasuri të kthehen në pronë shtet.

Në një rast, është regjistruar në kartelat e pasurive të paluajtshme pasuria e llojit arë+zallishte, me sipërfaqe 19575 m2, mbi të cilën janë kryer transaksione dhe është lëshuar certifikatë pronësie në mungesë të aktit administrativ apo vendim gjykate të formës së prerë, që shërben për të fituar Titullin e Pronësisë, në kundërshtim me Ligjin nr. 7843, datë 01.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, me Ligjin nr. 33, datë 21.03.2012 dhe me UKM nr. 2, datë 12.09.2012.

Në dy raste është regjistruar dhe lëshuar certifikatë pronësie për pasuri, për të cilat dokumenti mbështetës i paraqitur është vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë, dokument i cili nuk përmbush kushtet si dokument pronësie, në kundërshtim Ligjin nr. 7850, datë 29.07.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, i cili parashikon se “Vërtetimet gjyqësore të faktit të pronësisë nuk regjistrohen”, me Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, i ndryshuar, me Ligjit nr. 33, datë 29.04.2012 dhe me UKM nr. 2, datë 12.09.2012.

Në një rast është regjistruar e lëshuar certifikatë për pasurinë me sipërfaqe 3000 m2, për të cilën Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish- Pronarëve të Bashkisë Bilisht ka bërë vetëm njohjen dhe jo kthimin e pronës, në kundërshtim me Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 i ndryshuar, me Ligjin nr. 33, datë 29.04.2012, me UKM nr. 2, datë 12.09.2012, dhe me Rregulloren nr. 184, datë 08.04.1999, të ndryshuar.

Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal për E.M. me detyrë Regjistrues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, I.Rr., B.K., S.D. Y.B. dhe J.S., me detyrë ish regjistrues në ZVRPP Devoll, N.B. me detyrë jurist, V.B me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Hartografik/Hartograf,  D.B. me detyrë Jurist, Xh.K. me detyrë Jurist, M.L me detyrë juriste dhe R. K. me detyrë jurist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

Vendimi i Kryetarit të KLSH-së me nr. 124, datë 30.09.2016, ndodhet i plotë në web-in e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

ME TE LEXUARAT