Ironia e deputetit/ “Qeveria e mbajti fjalën, tha do bjerë shi dhe sot u përmbyt vendi”

astrit patozi*Nga Astrit Patozi

A nuk na tha qeveria para dy ditëve se do të binte shumë shi dhe se do të kishte përmbytje masive në gati gjithë vendin? Ja ku i doli fjala, e gjithë Shqipëria po noton në ujë. Kjo është prova më e freskët e faktit që Fronti i së Keqes gënjen kur thotë se qeveria jonë nuk e mban premtimet. Dhe është t’i hysh në hak kot po t’i kërkosh asaj që t’u zgjidhë ndonjë hall atyre, që u janë mbuluar shtëpitë, pronat dhe tokat nga uji. Sepse qeverisë nuk mund t’i kërkosh gjithcka. Sidomos kur ajo ta ka treguar qartë se e mban fjalën.

Por dhe po pati ndonjë qytetar të pacipë që nuk ngopet nga mbajtja e premtimeve, por i kërkon qiqrra në hell qeverisë sonë, ajo sërish është e përgatitur edhe për më të keqen. Kush është i babëzitur dhe në këto ditë të bukura veneciane për Shqipërinë kërkon të ketë pranë shtëpisë apo fshatit të vet të përmbytur edhe kryeministërin, e ka atë në dispozicion on line 3 herë në ditë, pas cdo vakti të ngrohtë. Mund ta shikojë, admirojë bile dhe duartrokasë në TV, në Ipad apo smartphone. E njëjta gjë vlen edhe për ministra të rëndësishëm, drejtorë të përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë të lartë, të cilët po përleshen si luanë të vërtetë me përmbytjen mu në mes të zyrës së posacme të kryeministrisë.

Ka të dhëna që po shqyrtohet mundësia, që edhe nëse dikush nga qytetarët e pëmbytur cmendet fare dhe kërkon, përvec humanizmit të qeverisë, edhe objekte të tilla, si pompa, fadroma, buldozerë apo kamionë me dhe, të ketë mundësi ta përfitojë këtë lloj shërbimi sërish online, përmes videove të vecanta me pamje nga puna në përballimin e fatkeqësive natyrore në vendet e Bashkimit Europian. Shërbimi do të garantohet përmes kompanive celulare që operojnë në Shqipëri, dhe do të shpërndahet falas në gjithë vendin. Nuk përfitojnë prej tij vetëm qytetarët që kanë ende në përdorim celularë të zakonshëm, por ata dita-ditës po shndërrohen në racë në zhdukje, për shkak të efekteve të reformave të mëdha që ka ndërmarrë kjo qeveri në tre vjetët e fundit.

Por ky nuk është i vetmi premtim i mbajtur i kësaj qeverie. A nuk i paralajmëroi ministri i Brendshëm pronarët dhe menaxherët e karburantëve që të vendosnin sisteme pagese me kartë në të gjitha pikat e tyre? Ndryshe, do ta pësonin nga hajdutët. Dhe nuk vonoi shumë që qeveria ta mbante fjalën. Një shitës karburanti humbi jetën në Sarandë për 600 mijë lekë, vetëm se nuk e besoi ministrin e vet.

Nesër mos u cudisni po t’u kërkojnë edhe atyre që shesin banane që të mos e përdorin më keshin, por të pranojnë vetëm pagesa më kredit karta, sepse hajdutët tek ne janë të paparashikueshëm. Kurse qeveria e ka për detyrë që t’i ketë të sakta parashikimet dhe ajo po e kryen më së mirë misionin e saj. Jam shumë i sigurt dhe po kaq i bindur që deri sa të vijë dita e zgjedhjeve të ardhshme numri i premtimeve të mbajtura si këto do të vijë gjithnjë duke u rritur, dhe kjo jo ta lërë, jo vetëm pa fjalë, por edhe pa kokër vote Frontin e së Keqes.

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Lirimi i “të fortit” të Durrësit, Prokuroria ankimon vendimin e Gjykatës

Prokuroria e Apelit në Durrës do të ankimojë në Gjykatën e Lartë vendimin ...