Erion Brace kërcënon Armando Dukën: Do kesh fundin e Blatterit e Platinisë

braceDeputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi ashper kundër presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Ky i fundit shpërtheu dje ndaj ligjvënësit të shumicës qeverisëse, duke e quajtur edhe “gore, mushkonjë”. Nuk ka përdorur fyerje apo etiketime Braçe në mesazhin e tij të gjatë, por, sipas tij, ia ka numëruar të gjitha, një për një, “sëmundjet” e futbollit shqiptar, që poi a marrin frymën këtij sporti, duke e lidhur me atë që e quan “projekt politik, por edhe ekonomik, rreth të cilit u mblodh i gjithë interesi i një grupi njerëzish, biznesmenë natyrisht, me të cilët edhe Ti ke ndarë biznese; fokusi i tyre ishte futbolli”.
Njëkohësisht, deputeti i majtë i kujton Dukës fundin e Blaterit dhe Platinisë, në karriget e tyre, si presidentë të FIFA-s dhe UEFA-s. Ja reagimi i plotë: “Armando! Qysh kur lexova reagimin tënd, përthithur menjëherë nga media e ushqyer prej reklamës së shitores tënde, kam qeshur dhe vijoj të qesh, madje me lot. E di pse? Unë e di se si është shkruar; ti duke folur dhe Tanët e tu, që shqyhen të shkruajnë çdo fyerje, madje zihen me njëri-tjetrin t’i shtojnë rreshtit të gjatë të fyerjeve të tua edhe ndonjë tjetër, prej vetes ata. Dëgjo; po të them që ti nuk di të shkruash, ta bëj të thjeshtë, se mbase nuk e kupton. Fyerjet e dikujt, që nuk di të shkruajë, thjesht të bëjnë të qeshësh. Megjithatë, duhet ta pranoj se, fyerjet e tua të njëpasnjëshme më dhanë mundësinë të kuptoj se me cilin kam të bëj, gjithnjë në cilësinë e tifozit pasionant. Prej javësh të mbledhura një më një në disa vite arkivoj në memorie kore të ndryshme tifozësh, por sot kuptova se rrugaçët e Sistemit, që mësyjnë gjithë mllef e urrejtje në stadium, kanë një idhull; IDHULLI I TYRE JE TI! TI I TEJKALON ATA! FYERJET E TUA DO JENE GOJA E TYRE NESER, EDHE NJE HERE! Në fakt nuk jam i zhgënjyer. Ti nuk mund të bësh më shumë se kaq. Nuk je vetëm, unë ju njoh. Dëgjo edhe një herë; Paraja e madhe nuk është status në shoqëri, as pushtet mbi të tjerët, kurrë; nuk të bën njeri më të mirë! Po të them se ti nuk je përjashtim. Ta bëj të thjeshtë se mbase nuk e kupton përsëri, je ai që përfaqëson më mirë se kushdo tjetër këtë “sërë”, që paranë nuk e sheh si mjet këmbimi në ekonomi, por si burim për arrogancën banale, që shqyen gojën për të nxënë në të fyerje, sharje, kërcënime ndaj të ndryshmit, derisa humb durimin e pastaj nis punën e zakonshme, numërimin pa mundim të produktit nga interesat që nuk maten, thjesht peshohen. Po të them që ti di të numërosh, në mënyrë të kufizuar, por di të numërosh. Ta bëj të thjeshtë për herë të fundit, se mbase ti nuk kupton përsëri: di të numërosh, por deri kur humbet durimin përfundimisht dhe nis të peshosh produktin e interesave të tua kudo, përfshirë edhe futbollin. Këtu ndalesh vërtetë, jo për të meduar me zë, prit, ç’është kjo që po shkruaj, por për të numëruar, po me zë; 1,2,3,10,20,30,100,200,300 milionë…gola, natyrisht gola! Mbase kështu është dita jote dhe kjo është punë për ty, por e imja nuk është e tillë, është tërësisht e orientuar nga puna dhe modeste, shumë modeste. Nuk e mohoj, me para mund të blesh brekë me lulka, por nuk lufton dot. Pikërisht se e shoh përditë këtë, dua të të them se nuk i honeps hiç njerëzit si ty, të ngjashëm me ty, apo rreth e qark teje, si të tillë, tregtarë interesash e numërues përfitimesh. E di, e di, po thua që edhe ti ndien po njësoj, e lexova këtë rresht më rresht dje. POR, PO TE PERGJIGJEM; ESHTE E VERTETE, UNE NUK JAM TI DHE AS NUK JAM SI TI, MADJE AS QE DUA TE JEM SI TI, XHANEM. Po e mbyll këtu; rreshti yt i gjatë i fyerjeve meriton veç kaq rreshta, megjithëse më duhet të të tregoj se unë jam i ndjeshëm ndaj çdo gjallese, veçanërisht kur nuk ngjan me ty, mushkonje, qen, mace, buallicë, pula, jo prej parave që bëhen me to, natyrisht, por sepse nuk e bëj dot që të vë pasuri prej tyre e pastaj t’i marr për të sharë të ndryshmin. Duhet të kesh respekt, të paktën si përfitues prej tyre, ndaj ta kujtova modestinë më lart; vlen edhe për to respekti, meqë për njerëzit ti s’e bën dot. Më thanë dje se, para se të “shkruaje” reagimin, përsërisje pa pushim: çfarë ka ky me mua? Po e spjegoj, jo për ty, por për mijëra fëmijë, të rinj që luajnë futboll, qindra-mijë të tjerë që ndjekin futbollin me shpirt e me zemër. TI NUK FLET DOT PER FUTBOLLIN! NUK FOLE AS DJE PER FUTBOLLIN! Por, po e bëj unë, ti dëgjo: President, po ta them që në krye të herës, unë jam kundërshtari yt; kundërshtar i gjithë asaj që ti ke ndërtuar e po e rrënon futbollin. Po të akuzoj dhe do të vazhdoj të të akuzoj, duke qenë i drejtë gjithnjë. Ka disa arsye, ato nuk janë asfare personale, politike jo e jo, as të shoh kund politikisht. Jam i lebetitur nga mënyra jote e të menduarit, këtë herë në planin institucional. Lexova dje reagimin tënd rresht më rresht dhe, i pandjeshëm ndaj fyerjeve, siç ta shpjegova, kuptova se ti nuk mendon dot institucionalisht. “I detyruar nga karrigia që kam”, thua ti dhe, “në emër të progresit të futbollit shqiptar”, natyrisht, natyrisht. Të mbledhësh Tanët për të shkruar këtë është zhgënjyese, por e dobishme gjithnjë. Kupton gjithkush se cila është ideja juaj, ideja është shumë xhanëm, mbi institucionin. Ky është problemi i parë i madh. Federata Shqiptare e Futbollit nuk duhet të jetë “karrigia” jote, FSHF është institucion publik, nuk mund të jetë karrige për ty. Në fakt është dhe, ky është problem i madh. Eshtë njësoj si karrigia e Blaterit në FIFA, si karrigia e Platinisë në UEFA. Po, po, nuk e kuptove gabim; po të tregoj modelin e fotokopjuar prej teje dhe, po të kujtoj fatin e tyre, përfundimin e tyre ende në zhvillim. Institucioni është zhbërë, prej teje, natyrisht. Ti ke zëvendësuar gjithkënd, përfshirë përgjegjësinë, kolegjialitetin, statutin, rregulloret, komisionet. Je veç ti, karrigia. Ti mendon, ti vendos, ti urdhëron, ti vepron, në kundërshtim me çdo parim të qeverisjes së mirë të një organizate, por në funksion të interesave të tua. Ky është Sistemi yt dhe ti je përgjegjësi. Kjo është arsyeja përse Ti, në mënyrë të qëllimtë nuk pranon, nuk lexon, nuk shpërndan, nuk diskuton, nuk analizon raportin e hetimit të UEFA-s mbi paracaktimin e rezultateve sportive në ndeshjet e Superligës Shqiptare, Champions dhe “Europa League”; më keq akoma e bën këtë edhe me tre palë vendime: të parin të UEFA-s, të dytin në Apel, të tretin në CAS, vendime të gjyqeve, të bëra mbi atë raport. Shumë më keq akoma, ti ke fshehur, por nuk ke reflektuar as edhe në një rast të vetëm, ndaj raporteve thuajse të përmuajshme të UEFA-s për paracaktimin e rezultateve sportive, detektuar prej një sistemi që ti e ju e njihni mirë, basteve dhe lëvizjes së koeficentëve të tyre minutë pas minute, për ndeshjet e Superligës Shqiptare. Publikimi i raportit të fundit ishte dufi i UEFA-s pas mungesës së reagimit institucional të FSHF-së, thuajse pesëvjeçar. Por jo vetem; erdhi si i tillë pas mbërritjes së Sistemit deri në paracaktimin e rezultateve sportive në ndeshjet e kompeticioneve të organizuara pikërisht nga UEFA. Nuk kishte më keq se ai publikim, ishte akuza e parë e vërtetë dhe serioze për ty, ndërkombëtare dhe kredibile. Por ishte një fije shprese, ti e këpute! Kam një pyetje për ty: Ku hyj unë në atë raport? Po në ato vendime, ku hyj? Shiko, unë nuk mund të jem alibia jote politike. TI DUHET TE FLASESH PER ATE RAPORT E PER ATO VENDIME, TI DUHESH DETYRUAR TE FLASESH PER TO! NESE JO TI, KUSH TJETER? DO DUHEJ FEDERATA SHQIPTARE E FUTBOLLIT TE JEPTE NJE PERGJIGJE, TE QARTE E SERIOZE. POR INSTITUCIONI ESHTE BERE “KARRIGE”. Kjo duhet të ndodhë doemos. Prej paracaktimit të rezultateve sportive është shkatërruar gara! Gara është problemi i dytë i madh! Raporti i hetimit të UEFA-s na dëshmoi se për pesë vite me radhë, gara në Superligë ka qenë e rreme. Gjashtë vite më parë, si tani, në vjeshtë, lindi një projekt politik, por edhe ekonomik, rreth të cilit u mblodh i gjithë interesi i një grupi njerëzish, biznesmenë natyrisht, me të cilët edhe Ti ke ndarë biznese; fokusi i tyre ishte futbolli. Prej atij çasti gara nisi të zhbëhet pjesë-pjesë. Mënyra shpjegohet shumë qartë në raportin e hetimit të UEFA-s, është klasike; paracaktimi i rezultateve sportive në favor të atij projekti politik dhe ekonomik. Ti nuk e kundërshton dot kët! Projekti, ndeshjet, “fitoret”, kampioni përputhen, kanë sponsor në gjoks kompaninë tuaj. Në daç si President, në daç si Karrige, ti duhet ta pranosh këtë. Për ta mohuar nuk e bën dot, është në gjoks të projektit tuaj, madje me arrogancën tipike, po e përsëris: Kjo e ka shkatërruar garën. Kredibiliteti i Superligës Shqiptare është rrënuar. Të gjithë, jo vetëm unë, po e thonë tani fort, se vënë bast për një rezultat, atë të pritshmin, kush nuk fiton. Eshtë e pabesueshme që një garë, që luhet për t’u fituar, të ketë një rezultat të njohur, humbësin. TI DUHET TE PERBALLESH QARTE E HAPUR ME TE GJITHE ATA QE TANI E THONE PO KAQ HAPUR, ME NE FUND: KAMPIONATI NIS ME KAMPIONIN E DITUR, NJE, ATE TE PROJEKTIT, TE TJERET LUAJNE PER VENDIN E DYTE, TE TRETE E TE KATERT, PER TE KAPUR EUROPEN DHE PJESA ME E MADHE, PER NJE XHIRO TE RE E ME TE SHTRENJTE BASTESH; FUNDI I TABELES NUK ESHTE GARE, ESHTE POLITIKE, PO PO, KUSH DEL E KUSH HYN I SHERBEN INTERESAVE POLITIKE. Duhet doemos të ndodhë kjo, jo thjesht për të bërë përgjegjës ty, por për të shpëtuar futbollin. Kredibiliteti i rrënuar i garës po i mohon futbollit ekonominë dhe, ky është problemi i tretë i madh. Ekonomia e futbollit është jetike, pa të futbolli nuk rritet, nuk zhvillohet, nuk bëhet i madh e përfshirës, por edhe shans për mijëra fëmijë e të rinj, që ndjekin ëndrrën. Shihe si ështe sot, i mjerë, pa kapitale, pa financime, pa reklama. Ekonomia është pasqyra e qartë e rrënimit të garës, ajo të akuzon nga fillimi deri në fund ty. Ekonomia detekton një garë të paracaktuar; Nuk financon atje ku nuk fiton, nuk reklamon atje ku nuk ka ndjekës, nuk bëhet pjesë me kapitale atje ku ka vetëm një rezultat. Akuzë më të rëndë se kjo nga ekonomia për ty nuk ka! Ti ishe tregtari që duhet të ktheje futbollin në ekonomi, por ti nuk di ta bësh këtë. Një tregtar nuk ndërton dot ekonomi, biznes po, di të ndërtosh për vete. Këtë bëre ti. Pikërisht se është keshtu, sot nuk luhet futbolli i madh atje ku ka ekonomi, në Fier, në Elbasan, në Lushnjë, në Berat, në Kavajë, po jep shpirt në Shkodër, në Vlorë, është në vështirësi të madhe në Tiranë, me Dinamon e zhdukur e Tiranën me shumë halle. Por më e rënda, gara jote, Superliga, nuk financohet nga kush, është markë dhe nuk e financon kërkush. Ka dështim më të madh se ky? Jo! Ti dështove! Ti mbarove pune! Kur prek këtë cak, natyrisht që të duhet politika. Politika është problemi i fundit. E ke krijuar ti edhe këtë problem. Ke shkelur rëndë statutin e FSHF-së, atë të FIFA-s dhe UEFA-s dhe, këtu rikthehemi tek Institucioni. Javën që shkoi ti e vrave fare institucionin. Kisha lexuar në vijimësi në media akrobacitë e komisioneve të FSHF-së, gjithnjë nën diktatin tënd, në funksion të interesave politike. Por, javën që shkoi, ke kaluar çdo cak. Statuti i Federatës Shqiptare të Futbollit e përcakton këtë organizëm tërësisht jashtë politikës dhe religjonit; adopton madje rregulla të FIFA-s dhe UEFA-s, që e forcojnë këtë ndarje. Ti e ke kaluar këtë cak! Kolegë të mitë më thanë të enjten që shkoi se, të kapën ty personalisht në fushatë elektorale me kandidatin e Partisë Agrare Ambientaliste, në Ersekë, në zgjedhjet për Bashkinë e Kolonjës. Unë vetë pashë një seri fotosh të publikuara në media gjatë fundjavës, fotot e flagrancës, ku ishe ti dhe kandidati i partisë së shtëpisë. Nuk ka më të rëndë se kjo! Eshtë e papreeeeeeceeeedeeeeenteeeeeee! Nuk ndodh kërkund! Nëse ndodh, ka veç një rrugë, dorëheqje! Por ti as që e mendon këtë! Shiko, politika është fundi i futbollit shqiptar. Kishte ndodhur që politika të guxonte të kapte futbollin, ka ndodhur me ty dhe unë kam qenë tërësisht kundër, kundër ministrit Leskaj, kundër Sali Berishës. Por asnjëherë nuk ka ndodhur që futbolli të përdoret për të fituar një parti politike, për më tepër partia e shtëpisë. Ky është kulmi yt dhe, pas tij nuk ka më gjë. Tani, dy fjalët e fundit për vete; Armando, nuk e dija qe ti lexon dhe realisht mendoj që ti nuk lexon, por që ti të kesh idhull filozofik Sali Berishën, kjo është shumë. Vetëm ti mund të zhvilloje, si dje, fjalinë filozofike të Sali Berishës, “unë jam me atë që fiton”. Vetëm ti mund ta kuptoje ashtu. Unë nuk jam me atë që fiton, Armando, jam edhe me atë që humbet; jam me Partizanin që 8 vjeç, kam parë atë futboll, të cilin nuk e ke parë dot ti, futbollin e madh të Tiranës, Shkodrës, Vlorës; kam parë ata që ti s’i njeh dhe që sot po shohen me lavdinë e atij futbolli, por për të cilët ti pyet: kush o ky me?!
Ndaj nuk ndërroj dot! Jam i kuq, si Partizani. Mos më kërko mua të jem i paanë, s’e bëj dot, por mos e përdor këtë për fajet e tua, deri krimet në futboll. E dyta, përsëri po të them që mendoj se ti nuk lexon, madje as gazeta, por që ti të huazosh akuzat banale të Sali Berishës, vetëm këto të sotmet, për një akuzë më shumë ndaj meje, është e tepërt. Armando, unë nuk huazoj gjë nga Sali Berisha; ti për mua, pavarësisht çfarë mendoj për ty, je gjithnjë Armando Duka, jo “Duka i Krimit”. Dhe jo vetëm ti, xhanëm. Por kjo nuk ka rëndësi! Rëndësi ka të të them që ti nuk më akuzon dot për asgjë, për para kurrë, e di yt vëlla shumë mirë këtë. Por, edhe për dhunën, të njëjtën gjë të them. E di pse? Sepse, kur unë shkruaja kundër koreve fuese, ti dhe Tanët e tu ulërinit; po ky çdo, stadiumi nuk është teatër! Kur unë shkruaja kundër parullave politike, fashiste e të ndaluara në çdo stadium të Europës, ti dhe Tanët e tu ulërinin: mos bëj politikë. Tani hesht! Dhuna në stadiume vjen prej teje, fyerjeve që ti shpërndan, ekonomisë që mungon në futboll. Ajo e bën ambientin të paqtë, gjithëgjinor, madje familjar, është e interesuar për këtë. Por ti nuk kupton! Ti ke biznesin tënd!

Postimi i Armand Dukes
DY FJALË PËR “MUSHKONJËN” QË SHPËRNDAN DHUNË
Jashtë natyrës time, madje dhe jashtë dëshirës personale, por i detyruar nga karrigia që kam dhe në emër të progresit të futbollit shqiptar, dua t’i them dy fjalë deputetit të Partisë Socialiste, të ashtëqujturit tifoz Vip të Partizanit Erjon Braçe, por që në fakt po vërteton përditë se është një tifoz i degraduar i një ekipi dinjitoz si Partizani. Po e bëj këtë, jo se jam i shqetësuar për fyerjet, shantazhet, të pavërtetat që thotë në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit,( Federata në rrugën e saj për ta sjellë futbollin këtu ku është ka pasur shumë mushkonja vërdallë),po për të vetmin fakt, e theksoj të vetmin fakt, se statuset e tij publike, të thëna jo thjesht nga bluza e një tifozi, por nga kostumi i një politikani e parlamentari, janë nxitje e pastër dhune në futbollin shqiptar. Ka shumë politikanë tifozë fanatikë kudo në botë, por të gjithë janë të kujdesshëm dhe për shkak të pozicionit që kanë dhe impaktit që kanë në opinionin publik, që të mos përdorin një gjuhë të tillë si ajo prej rrugaçi e Braçes. Ju kujtoj këtu dhe ish liderin e partisë Demokratike dhe ish Kryeministrin Sali Berisha, i cili kur e pyesnin gazetarët se me kë ishte tifoz, përgjigjej jo pa qëllim “me atë që fiton”. Erjon, futbolli është një sport që luhet në fushë dhe jo në kokën tonë. Futbolli është një sport i burrave me karakter të fortë, që flasin pak dhe luajnë fort, jo i atyre si disa nga ju në Parlament, që flasin shumë dhe nuk bëjnë asgjë. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi mund t’i kapërdijmë shpifjet e tua për Federatën, por që të nxisësh dhunë dhe të “erionizosh” futbollin shqiptar siç bën me parlamentin dhe zonën e cila të zgjodhi deputet, këtë jo, këtë nuk e bën dot as me futbollin shqiptar dhe as me Federatën. Dhe a e di pse? Jo se nuk të lejojmë unë dhe bashkëpunëtorët e mi, po për një fakt të thjeshtë: standartet dhe niveli i futbollit shqiptar dhe i organizmave të tij janë shumë e shumë më lart se niveli i poltikës shqiptare. Federata dhe futbolli shqiptar nuk janë Laguna e Karavastasë ku ti fut duart si të duash. Fatkeqësisht, kemi ëndrra të ndryshme: unë ëndërroj që politika shqiptare të arrijë nivelin e futbollit shqiptar, ndërsa ti ëndërron që futbolli shqiptar të arrijë nivelin e politikës. Duke pasur në subkoshiencë këtë ëndërr regresive, unë mendoj se ti nuk i duhesh as Partizanit si tifoz, gjithashtu mendoj se nuk i duhesh as Parlamentit si deputet. Meqë ra fjala, kam dëgjuar se si në Divjakë, pikërisht, prej sjelljeve të tua dhe gjuhës tënde për herë të parë pas 100 vjetësh ka tifoza të Tiranës. Nuk e di sa kanë ndërruar mendje dhe përkatësinë partiake prej gjuhës tënde, të them të drejtën. Gjithsesi kjo punë nuk më takon ta gjykoj unë, i takon shefave të tu. Unë nuk të ndaloj dot ty të vazhdosh të bësh “goren”, sepse dhe ti vetë, fundja fundit, ja ke pare hajrin rolit të gores në politikë, nuk të ndaloj dot as të jesh mushkonjë, por të jesh një “mushkonjë” që nxit dhe shpërndan dhunë e urrejtje në futbollin shqiptar këtë do të ta ndaloj gjithmonë sa të kem frymë, verbalisht dhe legalisht. Si përfundim, jam i sigurtë që nuk ke ndërmend asnjëherë të vizitohesh te psikiatri, sepse përveç të tjerave, siç thashë dhe më parë deri tani të ka dalë për mirë ky rol. Po gjithsesi, kur të kalojnë helikopterat e Ministrisë së Shëndetësisë për dezifenktimin e mushkonjave në Divjakë, rri dhe ti aty: unë e di shumë mirë, ti nuk do pushosh kurrë së qëni “gore” apo “mushkonjë”, por të paktën të jesh një mushkonjë që nuk shpërndan dhunë, se këtë nuk ta ka për borxh futbolli shqiptar.

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Benzema pranë rekordit, shënon 50 gola

Francezi Karim Benzema ka shënuar golat e 49-të dhe të 50-të në ...