Emërimet e para të Donald Trumpit shkaktojnë debate

emerimet-trumpPresidenti i porsazgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka bërë emërimet e tij të para për ekipin e ri të Shtëpisë së Bardhë, duke caktuar për postin e shefit të stafit një person të brendshëm të qarqeve në Uashington, kreun e konventës republikane Reince Preibus, i cili ndihmoi në fitoren befasuese të zotit Trump ndaj zonjës Clinton.

Shefi i stafit është një post shumë i rëndësishëm, që shpesh ndihmon në përcaktimin e axhendës së punës së presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe manaxhon mënyrën e operimit të Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa si strateg kryesor të ekipit të tij, zoti Trump ka emëruar Steve Bannon, një përfaqësues të së djathtës konservatore, i cili drejtonte faqen e lajmeve anti-Uashington, “Breitbart”, përpara se të bëhej shefi ekzekutiv i fushatës Trump. Në disa raste “Breitbart” ka publikuar ide antisemite dhe të nacionalistëve të bardhë.

“Jam shumë i emocionuar që në ekipin që do të udhëheqë vendin kam ekipin tim shumë të suksesshëm të fushatës. Steve dhe Reince janë udhëheqës shumë të kualifikuar, që kanë bashkëpunuar shumë mirë bashkë gjatë fushatës që na solli ne drejt fitores. Tani unë do t’i kem të dy ata pranë, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë punës sonë për ta bërë Amerikën përsëri një vend të mrekullueshëm.”- tha përmes një deklarate zoti Trump.

Ligjvënësit republikanë e vlerësuan zgjedhjen e zotit Priebus, përfshirë edhe një kritik të zotit Trump, senatorin e Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, i cili tha se: “kjo zgjedhje për mua tregon se ai e ka marrë me seriozitet çështjen e qeverisjes së vendit.”

Por zgjedhja e kandidaturës së Steve Bannon-it shkaktoi sulme të menjëhershme nga disa republikanë.

John Weaver, një strateg i republikanëve prej shumë vitesh, thonte nëTwitter se, “Një person që përfaqëson pikëpamjet raciste dhe ato fashiste të ektremit të djathtë do të jetë tani vetëm disa hapa pranë Zyrës Ovale. Amerikë, duhet të jesh shumë vigjilente!”

Menaxherja e fushatës së Donald Trumpit, Kellyanne Conway, i doli në mbrojtje Steve Bannon-it, duke thënë, se: “ai është një person brilant, i cili ka shërbyer në ushtrinë amerikane si oficer marine dhe ka studjuar në Universitetin e Harvardit, njërin prej universiteteve më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara”.

Zonja Conway tha se Priebus dhe Bannon “plotësojnë njëri-tjetrin dhe të dy ata kanë aftësinë për të qenë këshilltarë të besueshëm të shefit të tyre.”

Si Priebus, edhe Bannon i hodhën poshtë thëniet se ata nuk do të punonin mirë për zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Përkundrazi, ata thanë se do të bashkëpunojnë ngushtë për ta ndihmuar presidentin e porsazgjedhur të realizojë axhendën e tij.

Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

putin-trump

Putin: Trumpi i “mençur” do marrë vendime të përgjegjshme

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se ai beson që presidenti i zgjedhur ...