Donald Trump takohet për të dytën ditë me ekipin e tranzicionit

ekipi-trumpPresident i zgjedhur Donald Trump po takohet për të dytën ditën radhazi me ekipin e tij të tranzicionit për në Shtëpinë e Bardhë, duke synuar të plotësojnë me shpejtësi një listë të anëtarëve të rinj të kabinetit dhe pozicionet më të larta të administratës.

Pozicioni i shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, i cili ka përgjegjësinë e menaxhimit të zyrës ekzekutive të Presidentit, pritet të ketë një rëndësi në rritje në adminstratën e re, për shkak të mungesës së eksperiencës politikë-bërëse të zotit Trump dhe të lidhjeve me qendrat e pushtetit në Uashington.

Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan (RNC), Reince Priebus, mendohet se po shqyrtohet për këtë pozicion, krahas kreut të fushatës Trump, kryeredaktorit të “Breibart News”, Stephen Bannon, një figurë e debatueshme që ndihmoi në mobilizimin e konservatorëve të djathtë.

Strategu dhe drejtori i komunikimeve në RNC, Sean Spicer, paralajmëroi që mos t’u kushtohet shumë vëmendje njoftimeve se cilët janë emrat që po shqyrtohen.

“Nuk dua të nxjerr karrocën përpara kalit”, u shpreh zoti Spencer sot për rrjetin CNN, duke shtuar se vendimet për personelin do të merren nga vetë presidenti i zgjedhur.

Emërimet e bëra nga presidentët shërbejnë si tregues të politikave që ata planifikojnë të ndjekin. Zoti Trump e pranoi këtë të premten në një deklaratë ku thuhej se ekipi i tij po shqyrton “grupime udhëheqësish nga më të kualifikuarit që do të jenë në gjendje të zbatojnë axhendën tonë të ndryshimit në Uashington”.

Zoti Trump e riorganizoi ekipin e tij të tranzicionit ditën e djeshme duke caktuar në krye zëvendëspresidentin e zgjedhur Mike Pence dhe duke emëruar një grup personash të brendshëm të Uashingtonit, të cilët do të ndihmojnë në përzgjedhjen e kabinetit.

Nëpërmjet caktimit të zotit Pence, u mënjanua Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, i cili tashmë është nënkryetar i ekipit. Ky ndryshim u bë dy ditë pasi dy ish-ndihmësa të zotit Christie u gjetën fajtorë për një vendim politik për mbylljen e urës “George Washington”, që lidh lagjen Manhattan të Nju Jorkut me Fort Lee të Nju Xhersit.

Gjithashtu, tre nga fëmijët e zotit Trump dhe dhëndri i tij Jared Kushner iu shtuan komitetit ekzekutiv të ekipit të tranzicionit, të përbërë prej 16 anëtarësh. Ky vendim mund të ngrejë shqetësime për konflikt interesash, pasi ata mendohet se do të menaxhojnë edhe interesat e gjera të biznesit të zotit Trump gjatë katër viteve të ardhshme.

Ndër anëtarët e tjerë të komitetit ekzekutiv të ekipit të tranzicionit janë Senatori Jeff Sessions, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudolph Giuliani, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, Gjeneral Lietnanti në pension Michael Flynn, dhe ish-kandidati republikan Ben Carson. Të gjithë këta mendohet se do të merren në konsideratë për pozicione kyçe në administratën Trump.

Ndërkohë, ekipit i është kërkuar të identifikojë personat që do të jenë në 15 pozicione kyçe të kabinetit qeveritar, si dhe në rreth 1 mijë pozicione të tjera të larta që duhet të konfirmohen nga Senati.

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Itali, Mateo Renzi: Do shkoj tek Presidenti të jap dorëheqjen

Shefi i qeverisë italiane, Matteo Renzi, njoftoi se do të takojë sot ...