Humbja me Izraelin, Duka: Luajtëm keq, por s’jemi një skuadër e dobët!

armando_dukaPërveç shijes së hidhur për mënyrën sesi rodhën ngjarjet, me dy kartonë të kuq për kuqezinjtë dhe dy penallti të akorduara nga gjyqtari turko-gjerman Aytekin, humbja me Izraelin erdhi si pasojë e përgatitjes jo të mirë të ndeshjes. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka foli për një ndeshje të luajtur keq, por që mund të merrte rrjedhë të ndryshme nëse përveç penalizimit me 11-metërsh Berat Gjimshiti nuk do të ishte larguar nga fusha pas vetëm 17 minutave lojë.

“Ndeshje e dobët, ndeshje për t’u harruar që realisht e luajtëm keq. Rezultati iu përgjigj asaj çfarë ne dhamë në fushë. Dëgjova shumë gjëra, mes të cilave edhe që ndikoi arbitri, por ne duhet të bëjmë analizat tona. Ka kohë, me qetësi, stafi teknik dhe ekipi të analizojë ato gjëra çfarë bëm gabim. Mendoj që ishte paksa i ekzagjeruar kartoni i parë i kuq, por fakti që lojtari i Izraelit hyri në zonë nuk ishte një rast i veçantë dhe kishte mungesë përqendrimi”.

Kartoni i dytë i kuq i Etrit Berishës, që për 35 minuta e la Shqipërinë me 9 lojtarë në fushë vulosi një ndeshje ku asgjë nuk funksionoi. Megjithatë, kreu i federatës provoi të ngushëllonte gardianin kuqezi. “Nuk është i pari Berisha atij që i ndodh diçka e tillë. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin, por ka raste të veçanta kur nervat të tradhtojnë. Ajo i ndodhi edhe Berishës, që në atë moment dhe në atë lloj mënyre bëri një xhest të ndëshkueshëm”.

Pavarësisht humbjes me rivalin direkt dhe zhgënjimit në të gjithë ambientin kuqezi, presidenti Duka beson te forca e Kombëtares dhe kërkon nga skuadra që të ringrihet, pasi në grupin kualifikues të Botërorit 2018 janë për t’u luajtur edhe 6 ndeshje. “Nuk mendoj që kemi një skuadër të dobët. Nuk mendoj e e kemi humbur skuadrën, por humbëm vetëm një ndeshje. Kjo i ndodh të gjitha ekipeve, edhe atyre që janë shumë herë më të mëdha se Shqipëria. E rëndësishme është sa e fortë do të jetë skuadra dhe i gjithë stafi ta kalojnë këtë moment negativ, këtë ditë të keqe dhe të bëjë mirë në ndeshjet e ardhshme. Asgjë nuk është përcaktuar, nuk kemi shkuar ende në gjysmën e rrugës dhe i kemi të gjitha mundësitë për të shkuar më lart.”

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Fikja e dritave në stadiume, nga Anglia e Turqia deri te “Super Bowl”-i

Dy rastet e fundit të fikjes së dritave në stadiumet tona kanë ...