“Sa e bukur je, të hëngsha…”, si u dënuan me burg 2 djemtë në Tiranë

Aktualitet

ngacmim-seksualeDy djem, 25 dhe 23 vjeç, u dënuan me burg nga Gjykata e Tiranës, për shkak se ngacmuan me fjalë të pahijshme në distancë një vajzë në rrugë. Të rinjtë Leonard B. dhe David B. u kallëzuan për “ngacmim seksual” nga 20- vjeçarja me iniciale B.A., e cila pretendoi se ishte ndier e fyer dhe e frikësuar.

Sipas saj, dy djemtë nuk i ishin afruar, por i kishin shoqëruar frazat me veprime me natyrë seksuale. Shfajësimi i të pandehurve Leonard B. dhe David B. në gjyq, se vetëm kanë komplimentuar 20-vjeçaren, nuk ka bindur gjyqtarin Ardian Kalia.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në një vendim të shpallur pak ditë më parë, të pandehurit u shpallën fajtorë për akuzën e “ngacmimit seksual” dhe u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burg secili. Më herë, në pretencën e paraqitur në gjyq, prokuroria i kërkoi gjykatës nga 4 vjet burg për dy të rinjtë. Vendimi i gjykatës është ankimuar në Apel edhe nga të pandehurit, edhe nga Prokuroria.

DËSHMIA E VAJZËS

Sipas vendimit të shpallur më 14 tetor, një kopje e të cilit zotërohet nga “Panorama”, episodi i ngacmimit të 20- vjeçares ka ndodhur në oborrin e pallatit të saj, në një nga lagjet e kryeqytetit. Gjatë procesit gjyqësor, në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, e reja ka dëshmuar se sapo kishte dalë nga shtëpia, nga apartamenti i saj, për të shkuar në punë, ka parë të pandehurit.

Ata kanë qenë të kapur me njëri-tjetrin dhe të pozicionuar në një rrugë të ngushtë ngjitur me pallatin e saj. “E dëmtuara ka dëshmuar se është tronditur mjaft nga shprehjet e thëna ndaj saj si: “…. sa e bukur je…”, “të hëngsha…”, lëvizje e duarve dhe bërja e gjesteve të ndryshme në drejtim të saj, gjeste me natyrë seksuale, situatë kjo e cila, sipas të dëmtuarës, ka zgjatur dy ose tre minuta”, thuhej në vendim.

Para trupit gjykues 20-vjeçarja është shprehur se u ka bërtitur të pandehurve, duke u ndier e frikësuar dhe e fyer, shkak që, sipas saj, buronte dhe nga fakti se ndodhej pranë banesës dhe pranë një lokali ku punonte babai i saj. E reja ka dëshmuar se në atë moment aty ka ardhur kushëriri i saj i parë, i cili ka ndërhyrë duke debatuar me të pandehurit dhe më pas një patrullë policie që ka shoqëruar dy të pandehurit.

“NUK MË PREKËN”

E pyetur në seancë gjyqësore nga ana e gjykatës dhe palët ndërgjyqëse, nëse të pandehurit kishin kryer ndonjë veprim ndaj saj, në kuptimin e prekjes fizikisht të saj, e dëmtuara B.A. është shprehur se nuk e kishte prekur asnjë person. Ajo ka përsëritur se thjesht i ishin thënë fjalë të rënda në drejtim të saj, faktin se ishte ndier e fyer, si dhe gjeste të ndryshme me duar ndaj saj, të cilat kishin natyrë seksuale.

“E KOMPLIMENTUAM”

Gjatë hetimit dy të pandehurit kanë deklaruar se thjesht e kishin komplimentuar 20- vjeçaren. Ata kanë mohuar të kenë prekur ndonjë pjesë intime, apo ta kishin ngacmuar atë. Gjatë gjykimit, avokatët e tyre janë shprehur se rasti i sjellë për gjykim nga organi i Akuzës është i nxituar dhe keqinterpreton një traditë pozitive në lidhje me mënyrën e sjelljes ndaj së bukurës, duke e ngatërruar me veprën penale të ngacmimit seksual.PANORAMA

ME TE LEXUARAT