Deputeti socialist Vladimir Kosta: Të legalizohet hashashi për përdorim mjekësor

Politikë

vladimir-kosta15Deputeti socialist, Vladimir Kosta del pro idesë së deputetit Koço Kokëdhima për liberalizimin e kanabisit si bimë mjekësore. Në një intervistë Kosta shprehet se kjo nismë kërkon një mbështetje, pasi ajo do i sillte përfitime si banorëve ashtu edhe shtetit, pasi shteti do të përfitojë të ardhura nga taksat që do u grumbullojë banorëve për ushtrimin e ligjshëm të kësaj kulture mjekësore.

Zoti Kosta si e shihni iniciativën e deputetit Kokëdhima për liberalizimin e kanabisit si bimë mjekësore?

Nuk është e thënë që çdo iniciative të përfundojë me sukses por sidoqoftë ato duhen dëgjuar dhe respektuar pasi edhe ato mund të kenë vlerën e tyre. Ato janë edhe më të vlefshme kur kanë motiv dhe qëllim të argumentuar dhe shpjegojnë me qartësi efektet pozitive që mendohet se mund të sjellin. Unë e njoh mirë zotin Kokëdhima pasi vij edhe vetë nga fusha e biznesit, por besoj se iniciativën dhe aktivitetin e tij të suksesshëm e njeh dhe e respekton edhe një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë në vise të ndryshme të Shqipërisë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Çfarë përfitimesh i sjell ky proces banorëve?

Ashtu siç mund të jenë shprehur edhe të tjerë përfitimi kryesor në këtë proces është fusha e punësimit, fushë kjo aq e domosdoshme për nevojat e shtetit shqiptar, sidomos në pjesën rurale të vendit.

Po shteti a mund të përfitojë nga liberalizimi i kanabisit si bimë mjekësore?

Fakti që shtete shumë më të zhvilluara se vendi ynë e kanë liberalizuar kultivimin e kanabisit si bimë mjekësore tregon edhe përfitimet që janë patjetër të konsiderueshme në këtë proces.

A do të ishte një zgjidhje me interes nëse banorët që deri dje kultivonin kanabis në mënyrë të paligjshme, sot ta kultivojnë në mënyrë legale dhe të paguajnë edhe taksa?

Nevojat për punësim i kanë bërë qytetarët shqiptarë që të merren me kultivimin e kanabisit në mënyrë klandestine duke provuar herë pas here edhe ndëshkimet ligjore. Ushtrimi i ligjshëm i këtij aktiviteti do sillte të mira materiale për një numër të madh të familjeve shqiptare por edhe për shtetin shqiptar në formën e tatimeve dhe taksave.

A mundet shteti shqiptar që të bëjë një legjislacion të veçantë për këtë temë me qëllim edhe eksportimin si bimë mjekësore?

Patjetër që juristët shqiptarë i kanë të gjitha kapacitetet e mundshme për të përgatitur legjislacion të veçantë për kultivimin dhe eksportimin e kanabisit si bimë mjekësore, aq më tepër që një legjislacion i duhur dhe i adaptuar për vendin tonë mund të gjendet në vende evropiane që e kanë eksperiencën e konsoliduar në këtë fushë.

Shumë vende të Evropës tashmë e kanë vënë në zbatim këtë ide. Mund të kërkojmë edhe një mbështetje dhe një eksperiencë nga jashtë në lidhje me këtë temë?

Eksperiencat e vendeve evropiane janë të domosdoshme në këtë proces, por më e rëndësishmja është që ushtrimi i ligjshëm i këtij aktiviteti kërkon edhe forcimin e shtetit ligjor në mënyrë që çdo gjë të jetë nën monitorimin e rreptë të të gjitha strukturave të shtetit, si të pushtetit qendror edhe atij vendor. Gazeta Shekulli

ME TE LEXUARAT