PD, Basha: Beteja jonë, për t’u kthyer pushtetin njerëzve

Politikë

basha-pd“Duam apo nuk duam ne, Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ne ndodhemi para zhvillimeve dinamike, javët dhe muajt do të vijnë,” u tha Lulzim Basha anëtarëve të Partisë Demokratike në Memaliaj, duke u kërkuar të jenë në krye të aksionit për hapjen e partisë dhe veçanërisht qëndrimin me njerëzit dhe pranë tyre.

“Gjendja reale e njerëzve është aty ku nuk mban më. Dhe kjo nuk është më çështje e mbështetësve të Partisë Demokratike. Shqipëria sot de fakto i takon një pakice, që janë bërë multimlionerë, miliarderë në kurrizin e shqiptarëve.”

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Jemi mbledhur këtu për të rënë të gjithë dakord me njëri-tjetrin dhe pastaj jashtë këtyre mureve me banorët e Memaliajt, e Tepelenës, e Gjirokostarës dhe e gjithë Shqipërisë se beteja në të cilën thirremi dhe i thërrasim nuk është thjesht betejë për të përmbysur një qeveri të korruptuar, por është betejë për t’u kthyer pushtetin njerëzve duke bërë qeverisje transparente dhe të përgjegjshme që lekët e taksapaguesve të shkojnë tek taksapaguesit.”

Basha shpjegoi se Partia Demokratike ka zgjidhje konkrete dhe realiste për gjendjen e rëndë që po kalon vendi dhe qytetarët.

“Familjet në nevojë ekonomike në qeverisjen time, në qeverisjen tonë, 200 kilovatët e parë do t’i kenë falas. Faturën e ujit për konsumin e tyre jetik do ta kenë falas. Se nuk do të ketë nën qeverisjen tonë as palma, as lluks qeveritar të shfrenuar që të ketë familje të cilat nuk janë më në errësirë dhe kanë bukën të garantuar.”

“Zgjidhja jonë është 100 milion euro buxhet për subvencione për çdo fermer në vit, është 1 përqind e prodhimit të brendshëm bruto, për 300 mijë familjet fermere, pa burokraci pa NIPT në varësi të prodhimit bujqësor apo blegtoral do t’i jepen lekët në dorë, grant.”

“E kemi ne projektin për rendin dhe sigurinë, e hartuam. Dhe kjo është punë e jona, e askujt tjetër.”

Kryetari i Partisë Demokratike u kërkoi drejtuesve dhe anëtarëve të shkojnë derë më derë, për të identifikuar hallet konkrete të njerëzve, çdokënd që është në varfëri, i papunë dhe i goditur nga fatkeqesitë e natyrës dhe abuzimet e qeverisë.

“Ajo që kërkoj nga gjithësecili prej jush është në rradhë të parë të prekni dhe evidentoni problemet për zonat ku jeni përgjegjës.”

Basha bëri të ditur se duke ndryshuar PD-në, do të ndryshoje politikën dhe vendin. Më pak pushtet për kryetarët e politikanët, më shumë për qytetarët. Basha foli për një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë.

“Kemi në anën tonë të vërtetën, kemi në anën tonë faktet, kemi në anën tonë argumentat, kemi në anën tonë alternativën që presin njerzit. Kemi në anën tonë, apo gati duke ardhur në anën tonë, njerëz që kurrë nuk u ka shkuar mendja tek Partia Demokratike si zgjidhje.”

ME TE LEXUARAT