Atentati me dy viktima afër lulishtes “1 Maji”, Elvis Gaçaj: Ja si ndodhi ngjarja

Aktualitet

elvis-gacaj15Gjykata e Tiranës pas një viti merr vendimin për atentatin në sheshin mes pallateve afër lulishtes “1 Maji”, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagos një tjetër. MËsohet se në këtë vendim rezulton se objektivi i autorëve të krimit ishte Elvis Gaçaj, i cili mbeti i plagosur. Ndërsa, viktima të ngjarjes së rëndë mbetën Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Po ashtu, nga atentati shpëtoi mrekullish shoqja e Aurorës, Eda Gjura.

Një muaj më parë, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg. Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, Gaçaj u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv “Dinamo”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas të dhënave dy të pandehurit nuk kanë pranuar, ndërsa Gaçaj i kishte dhunuar. Ndërsa, Elvis Gaçaj u gjykua i veçuar nga dy të pandehurit të akuzuar si autorë të masakrës. Ai u dënua me 3.4 vite burg për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Sipas gjykatës, ai është zotëruesi i një sasie prej 3.8 gr kokainë, e sekuestruar në banesën e viktimës Rugova pas ngjarjes. Origjina e lëndës narkotike u sqarua nga Kristjana I., e cila u gjet e mbyllur në banesën e Rugovës. Ajo shpjegoi para hetuesve se bashkëjetonte me Rugovën që prej gjashtë muajsh. Sipas saj, kokaina i ishte dhënë Kevinit nga Elvis Gaçaj, pasi Kevini ishte përdorues i kësaj lënde narkotike.

DEKLARATA

I pyetur nga oficerë të policisë gjyqësore, Gaçaj ka deklaruar për itinerarin e lëvizjeve të asaj dite. Ai ka shpjeguar se kishte qenë në lëvizje me shokun e tij, Kevin Rugova. Më pas kishte komunikuar me një të njohurën e tij, Aurora Oskian, që interesohej për të blerë makinë dhe kishte shkuar dhe e kishte marrë tek Unaza e Re, vend ku ajo ishte bashkë me një shoqe të saj, Eda Gjura. Gaçaj ka shpjeguar më tej se ka furnizuar mjetin me karburant te TEG, është kthyer dhe ka parkuar mjetin në vendin ku ndodhi atentati. Ai ka treguar para hetuesve se kanë ngrënë drekë te restorant “Gjirokastra” dhe më pas janë drejtuar dhe kanë hipur në mjet. Sapo ka hipur dhe e ka ndezur mjetin, ka dëgjuar breshëritë që vinin nga sheshpushimi i katit të dytë, që ndodhej në krahun e tij të majtë.

Duke qenë se ishte plagosur në krahun e djathtë, nuk mundi të drejtonte mjetin dhe ka humbur kontrollin, çka ka bërë që mjeti të ecte vetë mbrapsht deri sa është përplasur me një tjetër mjet dhe aty ka ndaluar. Ai, pas ndalimit të mjetit ka hapur derën dhe ka ikur drejt tregut të fruta-perimeve drejt lokalit ‘EBIS’, ku u ka kërkuar ndihmë disa djemve dhe është dërguar në spital. Pas kësaj, ka njoftuar për ngjarjen edhe Klajdi Gjeçin, i njohur i tij. Elvis Gaçaj u plagos në sup, në krahun e djathtë, ndërsa Aurora Oskian dhe Kevin Rugova morën plumba në kokë, kraharor, bark dhe në anësi. Plumbat në drejtim të Rugovës kanë ardhur nga xhami i përparmë i makinës dhe tavani i makinës, ku ka rezultuar se plumbat janë nxjerrë nga arma automatike që kishte përdorur i pandehuri Sael Sulaj./gazetashqiptare/

ME TE LEXUARAT