Mentaliteti “vret” ëndrrat! A mund ta vazhdojë shkollën Oriada?!

oriadaaNë rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në pjesën e saj të parë, në studio e ftuar ishte Oriada.

Ajo kishte thërritur babain e saj Florinin, për shkak të problemeve dhe kontradiktave shumë të forta midis tyre. Por çfarë ka ndodhur ndërmjet tyre?

Kliko per me shume info

Pikërisht këtë, Oriada vendosi ta tregojë në studion e “Ka një mesazh për ty”, tek e “Diela Shqiptare”.

“Si çdo vajzë e moshës sime doja të vazhdoja shkollën e mesme, pas mbarimit të klasës së nëntë. Im atë ishte në emigrim dhe nuk pranoi që të vazhdoja shkollën, diçka që mua më lëndoi shumë”.

Nga se kishte frikë babi që ti mos ta vazhdoje shkollën?

“Nuk e di, ndoshta nuk donte që të tjerët t’i thonin që vajza juaj kështu apo ashtu… Të them të drejtën, kur babi më tha jo për shkollën, fillova ta urrej. Është një gjë që nuk duhet bërë, por thjesht ajo që shkolla është gjithçka për mua, më bëri që të kisha shumë konflikt dhe të mos e pranoja babin ashtu siç ishte. Mora shkak nga një dhimbje dhëmballe dhe piva një tabletë me kokrra, që të vetëvritesha. Pasi e piva u shtriva në dhomën e gjumit, aty nuk lejova që të futej njeri, por u fut mami dhe gabimisht i kanë shkuar sytë tek tableta e kokrrave. Mami është tronditur shumë, unë kam qenë pa ndjenja, nuk është se e kam kuptuar se çfarë ka arritur ajo të bëjë, por më thanë që të kemi dërguar tek doktori i lagjes e më pas më dërguan në Spitalin e Tiranës. Sapo më kanë dërguar aty më kanë bërë shpëlarjen e stomakut, bëra analizat e gjakut dhe më dolën shumë keq. Aty mbaj mend që kam thënë “Babi im” dhe mami më ka thënë: E shikon se çfarë i bëre babit?”

fotookok

Pse pikërisht babi im?

“E kisha me merak, ngaqë ishte larg, thoja mos të vdes pa e parë. Marrëdhëniet tona kanë qenë gjithmonë të ftohta, nuk e kam shijuar babin aq shumë sa do të dëshironte çdo vajzë ta shijonte, sepse të gjithë vajzat e kanë pikë të dobët, ndërsa unë jo dhe aq”.

Florini kishte rreth tre vite pa ardhur në Shqipëri, qëkur ajo ishte në moshën 15 – vjeçare. Por që nga momenti kur Oriada kërkoi të vetëvritej, babai i saj është kthyer nga emigrimi. Ai ishte vënë në dijeni pasi Orida doli nga spitali.

A u ballafaquat me njëri – tjetrin?

“Po! Momenti ishte shumë i ftohtë, ai nuk është se ma shprehu, por unë e shikoja që e kishte si peng në zemrën e vet, që pse unë e kisha bërë diçka të tillë.”

Nga kjo kohë kanë kaluar gjashtë vite. Edhe pas kthimit të tij nga emigrimi, marrëdhëniet e tyre vazhdojnë ende të ftohta, sepse Oriada druhet shumë, pasi nëse i thotë diçka mund të refuzohet prej tij. Ai ende vazhdon të jetë fanatik për vajzën e tij edhe pse kanë kaluar kaq vite. 21 – vjeçarja është ende me arsim 9 – vjeçar. Dëshira e saj për ta vazhduar shkollën është shumë e madhe, por beson se babai nuk do ta lejojë. Vajza e tij ka një mesazh për të:

“Babi, ti je dashuria ime , e di që unë kam bërë një gabim, ndoshta ti se quan si gabim, por unë e ndjej si të tillë. Ti e di që unë para pesë vitesh tentova të vetëvritesha. Motivi ishte shkolla. Dua të më falësh për atë gjë. Ti je dashuria ime e parë dhe e pavdekshme, nuk dua të të jesh vetëm babi im, por dua të të jesh edhe miku im, vëllai im dhe çdo gjë e shtrenjtë e jetës sime.”

foto5

I emocionuar nga fjalët e vajzës Florini mbetet pa fjalë!

“Kjo gjë është e pabesueshme për mua, nuk di çfarë të them”.

Gjyshi i Oriadës gjithmonë ka dëshiruar që ajo të bëhej gazetare dhe e quan të tillë çdo ditë. Por ajo sot erdhi për të falenderuar babain e saj edhe pse ai nuk ia ka plotësuar dëshirën e saj më të madhe, shkollën. Por Florini, me bindje thotë sot se është fajtor për të dyja vajzat që i ka lënë të pashkolluara.

“Duke qenë larg shtëpie në emigracion, plus që edhe zonat tona atje nuk janë si Tirana, atje është ndryshe. Jam bërë pishman për këtë.”

foto8

A mundet që ta vazhdojë shkollën Oriada?

“Unë tani që jam këtu nuk e pengoj sepse jam vetë i pranishëm në Shqipëri. Jam dakort që ajo të vazhdojë shkollën, e di jam fajtor për shkollën, ishte koha, ishin kushtet të atilla”.

Edhe pse Oriada nuk ia kërkoi babait të saj këtë dëshirë, tashmë ëndrra e saj u bë realitet dhe ndoshta në një të ardhme mund të bëhet një gazetare e mirë, ashtu siç e quan gjyshi./tvklan.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.