Dita Kombëtare e Nënë Terezës, Nishani: Shembull i dashurisë pa kushte!

Politikë

Bujar-Nishani-1Me anë të një mesazhi të bërë publik, Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani uron shqiptarët kudo ku jetojnë “Ditën Kombëtare të Nënë Terezës”, tashmë të shpallur nga Kisha Katolike e të njohur botërisht si “Shën Tereza e Kalkutës”.

Mesazhi i plotë i Nishanit

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Të dashur bashkëkombas kudo ku ndodheni

Dita e sotme për ne shënon një kremtim sa të rrallë, aq edhe të papërsëritshëm: Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, e cila plot trembëdhjetë vjet më parë, në saje të kontributeve dhe veprave të saj mrekullibërëse të bamirësisë ndaj të varfërve, të sëmurve dhe njerëzve në nevojë në mbarë rruzullin, u lumturua dhe u quajt ‘Tereza e Bekuar e Kalkutës’ nga Papa Gjon Pali II.

Andaj më lejoni që në këto çaste të një gëzimi mbarëkombëtar, sepse jemi me plot të drejtë kombi i Nënës Terezës, që ka kapërcyer e lënë pas përgjithmonë absurdin e dikurshëm të të qenit i vetmi vend ateist i shpallur nga diktatura komuniste, t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta duke ju ftuar të njiheni më nga afër, të mësoni dhe t’i pasuroni edhe më tej përkujdesjet e vogla e të përditshme të kryera me përkushtim dhe ndjenjë të madhe dashurie nga shtatvogla, por vepërmadhja Gonxhe Bojaxhi!

E bekuara dhe e shenjta datë e sotme si shembulli më domethënës i dashurisë pa kurrfarë kushti njerëzor e i respektit ndaj tjetrit që është ndryshe e në nevojë, simbolizon më së miri bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi shqiptar ka ushqyer, praktikuar dhe përsosur ndër shekuj.

Kjo Ditë e shënuar Lumturimi, por edhe festimi e përkujtimi i përbashkët që i bëjnë shqiptarët kudo ku ndodhen, pavarësisht se cilës fe mund t’i përkasim, sidomos tani pas shenjtërimit të Nënë Terezës më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, si dhe shpalljes Kardinal të Hirësisë së Tij Ernest Troshanit disa ditë më parë, na frymëzon të përulemi me respekt e përdëllim jo vetëm ndaj jetës e veprës së paharruar të Shenjtores sonë, por gjithashtu na mbush me ndjenjën legjitime të krenarisë më sublime mbarëkombëtare.

Gëzuar dhe përshumëvjet Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, tashmë Shenjtores së paharrueshme shqiptare të mbarë Njerëzimit!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani.

ME TE LEXUARAT