“Përndjekja e Fatmir Limajt nga ata që bënin dosje e tani heshtin si mumje”

krasniqi2014Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi tash Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, ka deklaruar se Fatmir Limaj është duke u përndjekur po aq sa është duke u përndjekur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si vlerë kombëtare. Ai ka shtuar se përndjekja e Limajt bëhet nga ata që dje përgatiten dosje e sot heshtin si mumie apo shpifin pa fije turpi kudo që u epet rasti.

Krasniqi në një opinion dërguar mediave ka shkruar se përndjekja e Limajt bëhet nga armiqtë e sehergjinjtë, të cilët shtetit e së drejtës, shtetin e zhvilluar, shtetin e drejtësisë sociale, prisnin t’ua sillte dikush në pjatë.

Ja opinioni i plotë i Krasniqit:

PËRNDJEKJE NË VEND TË MIRËNJOHJES!

Nga Jakup Krasniqi

Nuk e kam më asnjë dyshim dhe nuk me duhet asnjë argument tjetër, Fatmir Limaj është duke u përndjekur po aq sa është duke u përndjekur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si vlerë kombëtare?!

Po ashtu nuk e kam asnjë dyshim: përndjeksitë janë gjithë soj e sorollopi i hafijeve te popullit tonë dhe gjithë lloji i profiterëve të vlerave të Luftës Çlirimtare. Të cilët, UÇK-në e patën për mburojë të përfitimeve personale të pas luftës, e sot Kosovën e kanë bërë mburojë, për mbrojtje personale.

Ne një situatë të tillë, përndjekja e Fatmir Limajt, është e dhimbshme aq sa edhe e lavdishme dhe lavdia zakonisht e ka çmimin e lartë. E dhimbshme se kjo po zgjatë që 13 vjet?!

Lavdi për veprën e madhe të tij. Vepër që ka nxitur të gjitha mëritë e armiqve të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, kundër tij, pse jo edhe të ardhmes së Kosovës. Andaj trajtimi që po i bëhet Luftës Çlirimtare të UÇK-së, është veprim kriminal!

Nëse shikohet nga perspektiva e sotme del se, ai dhe Brigada e tij 121, ishin më te organizuarit për të luftuar për liri, hapësira e veprimit të tij u bërë strehë e ngrohtë, ishte sofër bujarie, ishte siguria më e duhur për Institucionet më vitale te UÇK-së si: Për Shtabin e Përgjithshëm dhe trupat e tij përcjellës, për Radion Kosova e Lirë, për Agjencinë e Lajmeve – Kosovapresse etj. Ishte strehë e siguri edhe për Zëdhënësin e UÇK-së, nga ku u përcollën për opinionin vendor e ndërkombëtar prononcimet e tij të shumta për qëllimet e Luftës Çlirimtare, për luftën e drejtë të popullit shqiptar! Ishte mburojë edhe për qindra mijë qytetarë te Kosovës!

Ajo zonë ishte e tillë edhe për familjen time. Andaj Mirënjohja ime shkon për çdo ushtarë, për çdo qytetarë e familje të asaj hapësire gjeografike! Mirënjohja e jo përndjekja duhet të jetë edhe për Komandantin e asaj Brigade – Fatmir Limaj.

Përndjekja e tij, nuk bëhet nga qytetarët e Kosovës, nuk bëhet nga njerëzit që e donin dhe e donë lirinë e shtetin e Kosovës, nga ata që e njihnin dhe e njohin vlerën e luftës çlirimtare, që i donin dhe i donë qytetarët e Kosovës dhe të ardhmen e tyre të lirë e të dinjitetshme, por nga armiqtë e sehergjinjtë, të cilët shtetit e së drejtës, shtetin e zhvilluar, shtetin e drejtësisë sociale, prisnin t’ua sillte dikush në pjatë. Ata që dje përgatiten dosje e sot heshtin si mumie apo shpifin pa fije turpi kudo që u epet rasti! Çlirimtarët, kurrë mos qofshin kurrë nën lëkurën e këtyre djajve shpirtzinj!

Përndjekja politike e bënë Fatmir Limajn – Komandant Çelikun, njeriun më me integritet, mbi të cilin bien të gjitha mëritë e armiqve të kombit shqiptar dhe dashuria e popullit që i shërbeu!

Kështu mendoj për çdo çlirimtar e luftëtarë te UCK-së, që ka luftuar dhe ka qenë pjesë e saj deri më 21/22 qershor 1999!

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

BE: Kosova të përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave

Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, kanë arritur pajtim ...